Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri: Së bashku jemi më të fortë

Intervista

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri: Së bashku jemi më të fortë

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 23:55
Foto ilustrim nga intervista

Izraeli do ta gjejë mënyrën për të luftuar Hamasin, sado që të fshihen militantët mes palestinezëve të thjeshtë, premtoi të hënën ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Diplomatja izraelite ishte e ftuar në emisionin "3D" të Alban Dudushit për të hedhur dritë mbi temën e ditës: "Izraeli në luftë".

Sipas znj. Peleg, sulmi i së shtunës qe i mirë planifikuar jo vetëm nga Hamasi, militantët islamikë që sundojnë Gazën, por edhe nga aktorë të tjerë, edhe shtetërorë.

Intervista e plotë me gazetarin Alban Dudushi në "3D"

Zonja ambasadore [Galit Peleg], në radhë të parë më lejoni të shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tonë për humbjet tuaja në Izrael, dhe që kjo luftë të marrë fund sa më shpejt dhe agresorët të marrin përgjigjen e merituar. Nga informacionet që keni, si është situata aktualisht në Izrael?

“Faleminderit për qëndrimin tuaj, për empatinë tuaj. Për sa i përket situatës, vetë numrat e viktimave flasin për situatën: janë 750 viktima, kemi 2.100 njerëz të shtruar në spitale dhe gjysma e tyre janë në një situatë kritikë. Ne dimë se 130 veta janë rrëmbyer nga palestinezët. Pavarësisht shifrave e kemi të qartë çfarë masakrash janë kryer. Nuk janë histori që mund të tregohen edhe në një situatë luftë në vitin 2023.”

Cili është reagimi i publikut atje?

“Më duhet të them diçka edhe për kundërshtarët. Jemi njerëz shumë të fortë. Kemi një situatë që shumë fshatra në pjesën jugore të Izraelit, ku gati 20% e fshatit janë masakruar. Ka pasur njerëz që nuk mund të bënin dot gjë, por vetëm mbanin zi. Ajo që shohim sot rrugëve në Izrael është diçka krejt ndryshe. Ne dimë si të bashkohemi në këto kohë dëshpërimi. Ka njerëz nga gjithë bota që po përpiqen të kthehen në Izrael dhe të japin ndihmën e tyre. Ka mijëra njerëz që rrinë në radhë për të dhuruar gjak. Njerëzit janë organizuar shumë shpejt për të dërguar ushqime, veshje. Jemi të fortë së bashku. Ne po vazhdojmë të mbijetojmë.”

Si është e mundur që u kap në befasi Izraeli me shërbimin informativ, që mbahet si më i miri në botë?

“Kjo është pyetja më e rëndësishme që bëhet. Nuk jam e sigurt që mund të jap një përgjigje të saktë. Do të ketë komitete që do të analizojnë situatën. Ajo që dimë deri tani është që gjithë ky sulm nuk është i organizuar vetëm nga Hamasi. Jemi të sigurt që ka aktorë të tjerë, forca të tjera pas këtij sulmi që na kapi në befasi.”

Cilat mund të jenë këto shtete apo forca të tjera që janë pas Hamasit?

“Dihet qartë se Irani është pas këtyre forcave. Ata mbështesin Hamasin, i trajnojnë, i ofrojnë armë dhe nuk ka dyshim që gjurmët janë shumë të qarta se ata i mbështetin. Ka dhe vende të tjera që u ofrojnë ndihma financiare, si për shembull Katari, dhe i aftësojnë për të përmirësuar metodat e tyre të luftimit. Ata po marrin mbështetje nga forca të tjera të fuqishme, të cilat kanë armë shumë të sofistikuara.”

Kryeministri juaj [Benjamin Netanjahu] ka deklaruar se tashmë jeni në luftë dhe se kjo luftë mund të zgjasë. Keni parasysh se mund të keni një intifadë të tretë të organizuar nga palestinezët?

“Izraeli është në gjendje lufte tani. Fatkeqësisht armiku është përballë nesh. Nuk është një ushtri e cila zbaton rregullat ndërkombëtare të luftës dhe nga ana tjetër kemi një organizatë terroriste vdekjeprurëse që nuk ka rregulla, pasi ka rrëmbyer gra 85-vjeçare, fëmijë të vegjël dhe këtu qëndron vështirësia e luftimit. Por ne kemi organizata militare të përkushtuara dhe do ta fitojmë këtë luftë ashtu siç e kemi fituar edhe herë të tjera.”

A e ndani pjesën e kësaj organizate nga pjesa tjetër e popullatës palestineze?

“Gjëja më e lehtë do të ishte që të bëheshin luftime me anë të avionëve ushtarakë dhe ne nuk e bëjmë këtë për arsye të popullatës që banon atje. Nga ana tjetër këto organizata terroriste janë në mes të popullatës. Ata hedhin raketa shkolla nga xhamia dhe vendi ku përgatitin armatimet janë vende me popullatë të dendur. Por ne do ta gjejmë mënyrën.”

A ka rrezik si 50 vjet më parë Izraeli të përfshihet në luftë edhe me vendet e tjera?

“Lufta është një plagë në historinë e Izraelit. Në 1973 na u deshën shumë orë për të vendosur kontrollin, ne e fituam atë luftë por humbëm shumë jetë njerëzit. Prandaj ka ngelur si një plagë në historinë e izraelit. Armiqtë shfrytëzuan faktin që familjet ishin së bashku duke festuar. Sot kemi marrëveshje paqeje me Egjiptin, kemi marrëdhënie shumë të mira me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nuk mendoj që sot këto terroristë do të gjejnë partnerë kundër Izraelit”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat