Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Protesta e studentëve të mjekësisë, denoncon brutalitetin e politikës mbi universitetet

Intervista

Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Protesta e studentëve të mjekësisë, denoncon brutalitetin e politikës mbi universitetet

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 15 tetor 2023 Në ora: 18:14
Prof. Dr. Lush Susaj

Jemi në mbështetje të studentëve, që po reagojnë e protestojnë kundër padrejtësive.

· Situata ka ardhë këtu pasi, për më shumë se 25 vjet arsimi është lënë jashtë reformave zhvillimore e totalisht në dorën e autokracisë dhe të klaneve të zeza të nepotizmit dhe korrupsionit.

· Problemet duhen zgjidhur me reforma e ndërhyrje demokratike nga poshtë lartë, e jo duke ndërmarrë ndërhyrje me vendime e ligje nga lartë.

· Problemet duhen parë me investimet, me projektet, me punësimet, e deri edhe me shkumësat, frigoriferat, karrocat dhe fshesat e pastrimit.

· Problemet e arsimit të lartë, nuk u zgjidhën dhe nuk mund të zgjidhen përmes patronazhimit politik, as përmes kapjes nepotike të universiteteve dhe as përmes mbytjes së protestës studentore e universitare.

· Pa demokraci studentore e universitare, reputacioni i shkollës dhe universiteteve tona do të reduktohet.

· Heshtja përballë padrejtësisë, nuk i shërben Shqipërisë

· Protestat studentore janë dritë e demokracisë

Dhjetëra studentë të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë kanë protestuar kundër nismës së Qeverisë së Shqipërisë për punësimin e tyre në vend për disa vite, si kusht i marrjes së diplomës. Studentët kanë protestuar para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë gjatë kohës që po mbahej seanca parlamentare, duke kundërshtuar projektligjin e miratuar nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë për "trajtimin prioritar të studentëve të mjekësisë dhe punësimin e tyre në Shqipëri". Me pankarta në duar me mbishkrimet "Nuk është prona jote diploma ime" dhe "Mos ndryshoni rregullat në mes të lojës", studentët e universitetit publik kanë kundërshtuar projektligjin e Qeverisë së Shqipërisë. Studentët protestues kanë deklaruar gjatë protestës se nuk dëshirojnë që të jenë sipas tyre pjesë e një punësimi të detyruar. Sipas projektligjit që Qeveria e Shqipërisë prezantoi më 5 korrik, studentët që do të pranohen në vit të parë në mjekësi, do të nënshkruajnë një marrëveshje për t'u punësuar për 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

Sipas projektligjit, studentët që janë në proces studimi, do të kenë mundësi zgjedhjeje mes punësimit të sigurt, me detyrimin për të punuar për 3 vite në Shqipëri, nëse janë studentë të vitit të dytë deri në të katërtin; studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë me detyrimin për të punuar 2 vite në Shqipëri, ose, në të kundërtën, do të paguajnë koston reale të tarifës së studimit për vitet e mbetura. Sipas autoriteteve shqiptare, projektligji në fjalë synon kryesisht plotësimin e nevojave të sistemit shëndetësor për mjekë, shpërndarjen më të mirë të tyre, si dhe parandalimin e largimit të mjekëve për të punuar jashtë vendit. Por ende mjekët e ardhshëm refuzojnë të hyjnë në mësim. Edhe dita e tetë e vitit akademik i ka gjetur të boshatisur auditorët e fakultetit të Mjekësisë së Përgjithshme. Studentët e viteve të dyta, të treta deri të viteve të gjashta vijojnë bojkotin. Ata deklarojnë se nuk do të hyjnë në mësim deri në anulimin e ligjit që i detyron të punojnë për 2 deri 3 vjet pas studimeve në atdhe ose në të kundërt të paguajnë tarifën e plotë të studimit për vitet e mbetura. Ndërsa për studentët e viteve të para mësimi filloi normalisht. Ndërsa, studentët e 5 viteve më të larta janë të vendosur për të vijuar protestën. Madje në protestat pati dhe simbolika dhe thirrje të fuqishme, të cilat përmes një manikine të veshur me uniformë të bardhë, me gojë të mbyllur dhe rrethuar nga tymuese, përcollën mesazhin e kaosit të krijuar dhe “burgosjes së mjekëve të rinj” si pasojë e ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë. Ja si e përshkruan këtë situatë prof. Susaj…

Situata e studentëve të mjekësisë duket sikur nuk do qetësohet. Qeveria ngul këmbë në kërkesat, por po ashtu edhe studentët…Si do ta cilësojë Prof. Susaj këtë situatë?

Jemi në mbështetje të studentëve që po reagojnë e protestojnë kundër padrejtësive…

Aristoteli na mëson që tragjedia denoncon teprimet e njerëzore, politike e shtetërore. Në këtë këndëvështrim filozofik, duhet lexuar e kuptuar edhe tragjedia aktuale me shkollën dhe universitetet publike të Shqipërisë, për më shumë se 25 vjetë të lëna jashtë reformave zhvillimore, e totalishtë në dorën e autokracisë dhe të klaneve të zeza të nepotizmit dhe korrupsionit. Në këtë mënyrë e lexoj edhe protestën studentore të filluar nga studentët e Universitetit të Mjekësisë, e cila nuk duhet të braktiset, e as nuk duhet të pësojë atë mënyrë kapje e dhunimi politikë e shtetërorë që është provuar e parë në protestën studentore të vitit 2018-2019. Koha vërtetoi faktin që problemet duhen zgjidhur me reforma e ndërhyrje demokratike nga poshtë lartë, e jo duke ndërmarrë ndërhyrje me vendime e ligje nga lartë, të pakonsultuara, tipike marksiste.

Sikurse dihet, protesta studentore e vitit 2018-2019 është shtypur përmes patronazhimit të detajuar e frikësimit deri edhe me kafshatën e gojës. Në vend që kjo protestë e ajkës së shoqërisë shqiptare, të dëgjohej e të prodhonte debat, gjithëpërfshirje, stopim të largimit të rinisë shkollore e universitare dhe fillimin e një reformimi bashkëkohor të universiteteve, protesta u mbyt me demagogji dhe me kapjen totale të sistemit të drejtimit akademikë e financiarë të universiteteve, duke i shndërruar shkollat dhe universitetet publike në oaze të qeta të nepotizmit dhe të korrupsionit me investimet, me projektet, me punësimet, e deri edhe me shkumësat, frigoriferat, karrocat dhe fshesat e pastrimit.

Pavarësisht nga ajo që më pas ndodhi me studentët dhe me ata pak pedagogë që e përkrahën protestën e që i prinin protestës, e që asokohe artikulonin kërkesat e tyre të drejta me megafon dhe nëpër studjot televizive (shumica e tyre u goditën, u menjanuan dhe u detyruan të largohen nga Shqipëria), është e lehtë për të kuptuar faktin që nga kapja dhe nga dhunimi politik e shtetëror i protestës dhe lëvizjeve studentore e universitare, nuk vjen e nuk mund të vijë asgjë e mirë për Shqipërinë. Përkundrazi, gjithkush mund të shikojë faktin që është thelluar e do të thellohet edhe më shumë tragjedia e shkaktuar nga sistemi që është kollandrisur e që në çdo qelizë kundërmon nepotizëm, injorancë, konspiracion dhe korrupsion endemikë. Që do të thotë që problemet e arsimit të lartë, nuk u zgjidhën dhe nuk mund të zgjidhen përmes patronazhimit politik, as përmes kapjes nepotike të universiteteve dhe as përmes mbytjes së protestës studentore e universitare. Nuk mund të zgjidhen as përmes ngeljes në klasë, bullizimit dhe dëbimit të studentëve protestues. As përmes përgojimit, mënjanimit dhe padrejtësive të vazhdueshme ndaj pedagogëve që me të drejtë besuan dhe mbështetën protestën, duke e ditur që është dhe mbetet mjeti i vetëm që mund të shëmbë përtokë autokracinë e të risjellë demokracinë studentore e universitare. Pa demokraci studentore e universitare, reputacioni i shkollës dhe universiteteve tona do të reduktohet, duke i bërë gjithnjë e më pak funksionale e gjithnjë e më pak të rankuara e të besueshme.

Zgjidhjet nga lart janë zgjidhje jodemokratike, janë teprime që shkaktojnë tragjedi të tilla sikurse kjo që aktualisht po denoncon e kërkon të sensibilizojë protesta e studentëve të mjekësisë.

Por nga ana tjetër shikohet se heshtet nga shoqëria civile madje dhe nga shumë zëra të fortë intelektual. Pse dhe kujt i shërben kjo heshtje?

Heshtja përballë padrejtësisë, nuk i shërben Shqipërisë. Ata që heshtin e nuk reagojnë për të drejtën e tyre, dashje apo padashje bëjnë një padrejtësi shumë të madhe. Pasojat e heshtjes dhe padrejtësisë që buron prej saj, bien mbi çdo nxënës e student të Shqipërisë. Bien mbi të gjithë mësuesit, pedagogët dhe shqiptarët që akoma nuk po e kuptojnë mënyrën se si pak e nga pak, heshtja e tyre po ua dëbon fëmijët, duke ua boshatisur klasat, auditoret, vatrat, lokalet e shërbimit e konsumit, e deri edhe administratën. Studentët janë pasuria dhe ndjeshmëria më e lartë e kësaj toke. Prandaj reaguan e nuk heshtën kurrë. Prandaj reagimi i tyre është hyjnorë e për Shqipërinë, e si i tillë nuk meriton kurrë mëdyshje, brutalitet e as politizim, në shërbim të zgjatjes së jetës së klaneve nepotike e hajdutërore në krye të punëve.

Sikurse duket çartë, pavarësisht nga protestat, klithmat dhe emigrimi masiv i rinisë shkollore e universitare, problemet shqetësuese në sistemin tonë arsimor vetëm sa janë shtuar dhe përkeqësuar deri në atë pikë, saqë politika akoma guxoj dhe ndërmori vendime jetësore për studentët, pa i konsideruar fare ata, e as prindërit e profesorët e tyre, që fatkeqësisht akoma po heshtin e nuk po vërshojnë në rrugë për t’i dalë zot të drejtave të fëmijëve e të studentëve të tyre, e të gjithë Shqipërisë. Madje klanet e nepotizmit dhe korrupsionit, njëlloj sikurse në vitin 2018-2019, përsëri janë lëshuar si ujqërit e errësirës për ta përfolur, përçarë, izoluar dhe politizuar me qëllimin e vetëm për ta vonuar sa më gjatë ditën e vërshimit të demokracisë studentore mbi shkollat dhe universitetet e Shqipërisë. Në këtë kontekst, Abraham Linkolni na mëson dy gjëra. Së pari, në diktaturat moniste, çështjet politizohen aq shumë, sa e vërteta është rrezik po të shprehet. Së dyti, zhargoni dehumanizues i marksizmit, prodhon një botë të dehumanizuar, ku njerëzit bëhen instrumenta në dorën e pushtetit abuziv. Këtë fakt po denoncon protesta aktuale e studentëve të mjekësisë, mbi të cilët bien të gjitha pasojat e një ligji marksist e dehumanizues, i ardhur nga lartë. E që ky ligj dhe e gjithë kjo sjellje e mendësi marksiste, jo vetëm ua pamundëson marrjen e diplomave, por edhe ua pamundëson rrugën e mëtejshme të punësimit dhe profesinalizimit (specializimeve), duke i rrezikuar që mjekët e rinj të mbyllen nëpër ato fshatrat e thella pa ujë dhe pa energji elektrike, e duke ua humbur edhe 5 vitet më të bukura e më produktive të pas diplomimit. Shqip e troç, duke ua rrezikuar, madje edhe duke ua shkatërruar e pamundësuar suksesin në jetën e tyre profesionale, madje edhe mundësinë e krijimit të një familje e të një banese në vendin ku duan të jetojnë e punojnë. Pavarësisht nga demagogjia idjote, e vërteta është që studentët nuk u ngritën në protestë për faktin që nuk e duan Shqipërinë, e as për faktin që nuk duan të punojnë e të jetojnë në Shqipëri. Përkundrazi, studentët dhe të gjithë ata që reaguan e që do të reagojnë në mbështetje të kauzës së tyre të drejtë e duan Shqipërinë dhe popullin shqiptar më mirë e më shumë se askush tjetër. Nuk duhet të harrojmë faktin që tragjedinë mbi shkollën dhe universitetet e Shqipërisë, e përpasojë edhe mbi çdo nxënës e student të Shqipërisë, e ka mbjellur dhe po e ushqen heshtja dhe përkulja ndaj të keqes sonë më të madhe, që është rrënimi i demokracisë studentore e universitare, përmes manipulimit të zgjedhjeve në universitete, dhe kapjes mbi 25 vjeçare nga autokracia dhe klanet nepotike e hajdutërore.

-Si do t’i cilësoje protestat e studentëve në kën vështrimin intelektual?

Protestat studentore janë dritë e demokracisë…

Dashje apo padashje Shqipërinë e dëmtojnë dhe mund të mos e duan ata që heshtin e nuk reagojnë, as kur ikin çdo vit 7000-12000 maturantë për të studjuar jashtë, përfshirë këtu edhe në universitetet e vendeve të rajonit sikurse është Tetova. Shqipërinë e dëmtojnë dhe mund të mos e duan ata që nuk reagojnë e që heshtin edhe kur shkatërrohet reputacioni i universiteteve shqiptare me auditore e klasa të mbetura bosh, e krahasuar me vitin 2013 me mbi 56000 studentë më pak. Shqipërinë e dëmtojnë rëndë ata që heshtin dhe nuk reagojnë ndaj nepotizmit dhe korrupsionit, që po shkreton pa mëshirë shkollat dhe universitetet tona e nuk e dëmtojnë kurrë ata që protestojnë për transparencë dhe demokraci studentore. Sistemin tonë universitarë po e turpërojnë dhe po shkatërrojnë pa mëshirë klanet nepotike e hajdutërore, të cilat përmes demagogjisë dhe shfajësimit sofistikë përpiqen që të na mbushin mendjen se po gabojnë edhe studimet dhe rankimet ndërkombëtare të universiteteve tona. Rezultatet e pakontestueshme të studimeve dhe rankimeve ndërkombëtare, janë këmbana alarmi që zgjojnë dhe legjitimojnë reagimin dhe protestën e fuqishme të studentëve, të pedagogëve dhe të çdo shqiptari për shkollën dhe universitetin. Për lexuesin, shkurtimisht po risjell në vëmendje faktin që në rankimin ndërkombëtar, universiteti i Beogradit rankohet në vendin 442, i Zagrebit në vendin 507, i Malit të Zi në vendin 1848, i Shkupit në vendin 1545, i Prishtines në vendin 2895, etj.

Ndërsa Universiteti i Tiranës rankohet në vendin 4276, Universiteti Bujqësor në vendin 4420, Epoka University 4475, e kështu deri tek Akademia e Sigurisë që rankohet në vendin e largët 31356. Për të qenë në këto nivele, nuk gjykoj se ka shkak real e objektiv, përveçse kapjes për fyti dhe degradimit që politika e gabuar solli mbi të gjithë sistemin tonë arsimor, e atë universitar në veçanti.

Parë në këtë kontekst, studentët, që po protestojnë dhe çdo shqiptarë që paguan kontribute për shtetin dhe arsimin, ka të drejtë të protestojë e të kërkojë ndryshimin sa më parë të kësaj situate kënetë e katastrofë, ku Universiteti i Tiranës rankohet 1381 vende më poshtë se Universiteti i Prishtinës, apo 3834 vende më poshtë nga Universiteti i Beogradit, apo 2428 vende më poshtë se Universiteti i Podgoricës. Këtë duhet të shohin të gjithë ata që dhunuan dhe masakruan protestën studentore të viteve 2018-2019. Këtë duhet të shohin e të kuptojnë të gjithë ata që po përpiqen ta politizojnë e ta pengojnë zgjidhjen e të drejtës kushtetuese të studentave të mjekësisë. Një gjë është e sigurtë, ndjeshmëria e rinisë studentore nuk gabon kurrë, kauza e tyre është e drejtë dhe jetike për shtetin dhe kombin shqiptarë. Shqiptarët e kanë dashur dhe e duan shumë arsimin dhe shkollën e tyre kombëtare. Askush nuk ka paguar e sakrifikuar më shumë se shqiptarët për shkollën dhe për universitetet e veta. Protesta e rinisë studentore është klithma e shpirtit të një kombi për shkollën dhe universitetet, të cilat duhet të çlirohen sa më parë nga duart e nepotizmit dhe korrupsionit e universitetet të kthehen përsëri në shërbim të rinisë dhe zgjidhjes së problemeve të mëdha të Shqipërisë. Protestat studentore janë drita e shpresës për demokracinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shtetit dhe të shoqërisë. Prandaj duhet mbështetur, e nuk duhen përfolur e cënuar nga askush.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat