Dugolli tregon prapaskenën e arrestimit dhe lirimit të Radoiçiqit/ Ka një mesazh për Serbinë dhe opozitën në Kosovë!

Intervista

Dugolli tregon prapaskenën e arrestimit dhe lirimit të Radoiçiqit/ Ka një mesazh për Serbinë dhe opozitën në Kosovë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 tetor 2023 Në ora: 08:02
Enver Dugolli

Deputeti nga radhët e LVV-së, Enver Dugolli në një intervistë për “Bota sot”, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në vend.

Ai ka filluar që nga rasti i vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku nga terroristët serbë dhe deri tek inatet që opozita po vazhdon t'i ketë me pozitën.

Dugolli u shpreh që humbja e jetës se rreshterit te Policisë Afrim Bunjaku, tani hero i Kosovës, ka qenë humbje dhe dhimbje e madhe për familjen dhe gjithë shtetin tonë.

Ndërsa, sa i përket sulmit në veri deputeti thotë që nga të gjitha provat që janë mbledhur deri tani, të cilat po vazhdojnë ende të kompletohen, po deshifrohet komplet plani mire i organizuar i Serbisë për destabilizimin e veriut.

Të padrejta Dugolli i sheh sanksionet e BE-së ndaj Kosovës duke theksuar që duhet urgjentisht të largohen.

Ndër të tjera, deputeti foli edhe për “sulmet” e opozitës ndaj pozitës, duke shtuar që inatet personale apo grupore nuk do duhej të reflektonin aty ku dëmtohet interesi i qytetareve dhe shtetit.

Për mundësinë e zgjedhjeve ai tha që nuk është koha tani për zgjedhje. Kemi shumë punë për të bërë edhe në këtë kohë që na ka mbetur nga mandati i rregullt.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si i keni parë zhvillimet e fundit në veri të vendit?

Enver Dugolli: Zhvillimet e fundit në veri të vendit kanë qenë nga ato që nuk i kemi parë që nga paslufta. Pra një tentativë agresioni nga Serbia ku përmes formacionit ushtarako policore e terrorist tentoj që të anekson atë pjesë të vendit me qëllim të ndryshimit të realitetit në terren. Kapja e territoreve dhe kontrollimi i atyre pjesëve nga ai formacion i armatosur dhe më pastaj stabilizimi i tyre si faktor ishte sfida më e rëndë që ju ka bërë shtetit të Kosovës por edhe faktorit ndërkombëtar kur dihet se KFOR-i si mision i NATO-s është në Kosovë.

“Bota sot”: Vrasja e policit të Kosovës nga terroristët serbë ka tronditur vendin. Cili duhet të jetë dënimi për Serbinë?

Enver Dugolli:  Pa dyshim, humbja e jetës se rreshterit te Policisë Afrim Bunjaku, tani hero i Kosovës, ka qenë humbje dhe dhimbje e madhe për familjen dhe gjithë shtetin tonë, mirëpo Policia e Kosovës dhe institucionet e vendit dhimbjen e shndërruan në forcë dhe nuk u zmbrapsen por u përballen me sukses me ata akt agresioni duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Republikës se Kosovës me rend dhe ligj për gjithë qytetaret e vendit duke shpartalluar me sukses dhe profesionalizëm formacionin terrorist të ardhur nga Serbia. Të gjitha Institucionet e vendit por edhe ato ndërkombëtare e kanë dënuar këtë akt agresioni dhe me te drejte presim nga BE, SHBA dhe bota demokratike qe të sanksionon Serbinë për atë qe beri me 24 shtator ne Banjska te Zveqanit.    

“Bota sot”: Së fundmi është liruar edhe Radojçiqi nga Gjykata në Beograd. A  është momenti që ndërkombëtarët të reagojnë dhe të ndërmarrin masa ndaj Serbisë?

Enver Dugolli:  Procedimi i Radoiçiqit për të dhënë deklaratë para gjykatës dhe pastaj lirimi i tij gjoja në arrest shtëpiak, është një maskaradë e llojit të vet të cilën Serbia, e shtyrë nga presioni ndërkombëtar, po mundohet ta shet si përpjekje për të zbardhur atë që ndodhi në Banjska dhe për t’i ikur përgjegjësisë dhe implikimit shtetëror Serb. Kjo jo vetëm se është e papranueshme, por do duhej që bashkësia ndërkombëtare të jetë shumë stërkitë dhe e vendosur në adresimin e saktë të përgjegjësisë së Serbisë.    

“Bota sot”: Është përfolur që sulmi në veri është paramenduar të jetë më i gjerë mirëpo është ndaluar nga policia e Kosovës. Cili është opinoni i juaj për këtë çështje?

Enver Dugolli:  Nga të gjitha provat që janë mbledhur deri tani, të cilat po vazhdojnë ende të kompletohen, po deshifrohet komplet plani mire i organizuar i Serbisë për destabilizimin e veriut të vendit përmes këtij agresioni të armatosur i cili do përfshinte gjithë veriun e vendit. Fatbardhësisht tani për tani ky plan ka dështuar fal reagimit tejet profesional dhe të vendosur të Policisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të Republikës që ishin të angazhuar maksimalisht në menaxhimin e asaj situate.  

“Bota sot”: Gjithashtu temë diskutimi është edhe dialogu mes dy shteteve. Në cilën pikë mendoni që është dialogu pas tensioneve të fundit?

Enver Dugolli: Kosova në vazhdimësi ka treguar interesim për dialogun dhe zgjidhjen përfundimtare të problemeve me njohjen reciproke, madje Kryeministri Kurti si fillim pati ofruar edhe një propozim që palët (Kosova dhe Serbia) të nënshkruanin një traktat që nuk do sulmonin njëra tjetrën, mirëpo ishte Serbia ajo që e kundërshtoj sepse thellë në diskursin e saj, ajo nuk mund të shkëputet nga koha e Millosheviçit që dhunën e kanë si opsionin kryesor për zgjidhjen e problemeve. Sulmi i fundit në Banjska tregon që Serbia nuk ka qenë asnjëherë e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.    

“Bota sot”: Pasi jemi tek kjo situatë, a duhet Kosova ta kushtëzojë Serbinë për vazhdimin e dialogut?

Enver Dugolli: Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë konstruktive mirëpo edhe përkundër kësaj padrejtësisht u sanksionua me disa masa nga BE, prandaj ajo që do duhej të ndodhet fillimisht është që Serbia të sanksionohet e Kosovës t’i hiqen urgjentisht masat e padrejta dhe tek pastaj të shihet se çka dhe si të veprohet. Nuk mund të sillemi (në fakt nuk mund të sillet askush) sikur nuk ka ndodhur asgjë. Pas 24 shtatorit ka një situatë krejtësisht të re e cila nuk mund të harrohet e as të abstrahohet. Mos sanksionimi i përgjegjësisë së Serbisë në raport me sulmin ndaj Kosovës do inkurajonte ndonjë sulm tjetër e ku pasojat do ishin shumëfish më të mëdha.   

“Bota sot”: Kryeministri Rama në lidhje me këto ngjarje ka dalë me deklaratë të njëjtë si Vuçiq. A ka qenë momenti që Rama të jetë krah Kosovës dhe jo krah Serbisë?

Enver Dugolli:  Kam përshtypjen që kryeministri Rama nuk është duke jetuar në të njëjtën kohë me ato që po ndodhin. Ai po flet sikur dikush që interesin e Kosovës nuk e ka prioritet gjë që nuk do duhej të ndodhte. Interesimin e Shqipërisë dhe kryeministrit të saj për Kosovën ne e mirëpresim por jo në kurrizin tonë. Në të kundërtën, e pakta që mbase do na ndihmonte më shumë është të flas sa më pak ose hiq për ne sepse kështu me siguri do na ndihmonte më shumë.

“Bota sot”: Në fund, cili është mesazhi i juaj për opozitën e cila po vazhdon të “sulmojë” qeverinë ?

Enver Dugolli:  Opozita gjithmonë ka të drejte të kritikon e sulmoj qeverinë dhe të ofron alternativa qeverisëse, por jo në kurriz të interesave madhore kombëtare e shtetërore. Këtu do duhej të ishim bashkë sepse nuk do ju duhet mbase as atyre qeverisja kur cenohet shteti dhe funksionimi i tij.

“Bota sot”: Raportet pozitë – opozitë po vazhdojnë të jenë të acaruara dhe kjo po përkthehet edhe në ngecje në votimin e ligjeve dhe së fundi marrëveshjeve ndërkombëtare a mund të presim relaksim në të ardhmen apo gjuha parlamentare do të degradojë tutje?

Enver Dugolli: Inatet personale apo grupore nuk do duhej të reflektonin aty ku dëmtohet interesi i qytetareve dhe shtetit. Mos-votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare po dëmton në radhë të parë qytetarin e Kosovës dhe seriozitetin e shtetit tonë karshi raporteve me shtetet dhe institucionet tjera ndërkombëtare. Mos-votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare po dëmton vendin mbi 360 milionë euro nga të cilat një pjesë e asaj shumë janë grante dhe që shkojnë të gjitha për projekte të shumta zhvillimore nëpër komuna dhe projekte të tjera.

“Bota sot”: Opozita po kërkon po ashtu zgjedhje të reja, si i përgjigjeni ju si LVV kësaj kërkese?

Enver Dugolli:  Nuk është koha tani për zgjedhje. Kemi shumë punë për të bërë edhe në këtë kohë që na ka mbetur nga mandati i rregullt. Ato do të vijnë në kohën e rregullt dhe besoj që atëherë do marrin përgjigjen nga qytetari i vendit por jam i bindur që nuk do ju pëlqej aspak. Me këtë qasje te opozitës që janë barrikaduar dhe nuk po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, po hapet një mundësi që herën tjetër të mos-varemi nga një opozitë e papërgjegjshme por t’i kemi deputetë të mjaftueshëm për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat