Paralajmëron eksperti i sigurisë: Jemi të ekspozuar para një rreziku të rëndë, organet shtetërore të ndërmarrin veprime konkrete

Intervista

Paralajmëron eksperti i sigurisë: Jemi të ekspozuar para një rreziku të rëndë, organet shtetërore të ndërmarrin veprime konkrete

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 24 tetor 2023 Në ora: 10:48
Bedri Elezi

Në Kosovë situata aktualisht është e qetë, por e brishtë.

Kështu po vlerëson njohësi i sigurisë Bedri Elezi.

AI në një intervistë për “Bota sot” ka thënë se Kosova vazhdon akoma të jetë e ekspozuar ndaj sulmeve terroriste serbe.

Sipas tij, deri tani nuk kemi pasur asnjë iniciativë për dënim nga BE e as një bashkëpunim nga institucionet e Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë.

Elezi kritikon qeverinë, kryeministrin për mos mbështetje të Policisë e cila ballafaqohet me probleme elementare.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën e sigurisë në vend?

Bedri Elezi: Situata e sigurisë është e qetë po e brishtë, e kjo për shkak të të tendencës së vazhdueshme të Serbisë dhe grupeve terroriste kriminale në veriun e Mitrovicës, për të cilat mund të themi se nuk kanë ndërprerë përpjekjet për të organizuar aktivitet të dhunshme , dhe kemi parë që 24 shtatorit ishte një momentum kur ne prekum mund të themi gatishmërinë e Serbisë dhe strukturave të saj të sigurisë, ato terroriste të cilat janë brenda territorit të Kosovës, që janë të gatshme të organizojnë sulme të ndryshme terroriste. Po ashtu kemi parë se në vazhdimësi Policia e Kosovë në bashkëpunim me institucionet e sigurisë ka arritur që të sigurojë informacione që pas bastisjeve të gjejë edhe armë në lokacione të ndryshme, kryesisht armë luftarake. Referuar kësaj që thashë situata e sigurisë është e rëndë pavarësisht se është e qetë por mund të themi se jemi të ekspozuar para një rreziku të rëndë që mund të vijë, edhe si rezultat i zhvillimeve të fundit të sigurisë në gjithë botën.

“Bota sot”: Në veri u vra një polic i Kosovës nga terroristët serbë, pse ende nuk po dënohet Serbia?

Bedri Elezi: Më 24 shtator pamë një rast ku grupet terroristë të mbështetura nga organizuan një agresion, ku humbi jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe një tjetër ishte plagosur dhe ishin rrezikuar shumë qytetarë të komunitetit serb dhe pelegrinë të cilët ishin në një ditë pelegrinazhi në Banjskë: Ishin rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejt nga një numër i konsiderueshëm terrorist.

Deri më tani fatkeqësisht nuk kemi parë veprime konkrete nga institucionet e Kosovës apo edhe ato ndërkombëtare për të vendosur para përgjegjësisë organizatorët e kësaj ngjarje. Ne kemi parë që janë arrestuar disa nga terroristët dhe po ashtu kemi parë se Policia e Kosova ka bërë në vazhdimësi përpjekje duke u munduar që të sigurojë prova të mjaftueshme për t’ia ofruar prokurorisë së shtetit, në mënyrë që të njëjtit t’i vendos para drejtësisë por deri tani nuk ka pasur veprime konkrete të Prokurorisë së shtetit, dhe as një mekanizëm ndërkombëtar për një hetim në mënyrë që të kemi realisht një dënim. Po ashtu duhet ta pranojmë faktin se nga Kosova nuk kemi pa kërkesa konkrete për bashkëpunim ndërkombëtar në mënyrë që të vendoset para përgjegjësisë shteti serb

“Bota sot”: Kryeministri Kurti ka thënë se një sulm tjetër mund të ndodh, cili është mendimi juaj për këtë?

Bedri Elezi: Po, është e vërtetë se kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar aksion të tjera që mund të ndodhin në veri të Kosovës apo në vende të tjera për shkak të informacioneve që ata kanë. Kryeministri i është referu informacioneve që ka AKI. Kryeministri ka detyrë dhe mandat që të merret me çështjen në fjalë për të angazhuar Ministrinë e punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës si dhe AKI, po ashtu mund t’i kërkojë KFOR-it, EULEX-it dhe UNMIK-ut, që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre për parandalimin e këtyre sulmeve.

Kosova realisht është e kanosur nga një sulm i tillë dhe është ekspozuar para aktiviteteve të dhunshme, por që në fakt institucionet shtetërore, Kryeministria dhe institucionet tjera, duhet të bëjnë më shumë veprime konkrete për të parandaluar aktivitetet e tilla.

“Bota sot”: Po aksionet policore në vazhdimësi në veri, si i keni parë?

Bedri Elezi: I kemi pa në vazhdimësi aksionet e Policisë së Kosovës në veri , e po ashtu edhe në Komunën e Vushtrrisë në një fshat me serbë. Policia e Kosovës në të gjitha bastisjet ka gjetur armë të ndryshme luftarake të cilat dyshohet se mund të përdoren në aktivitet të dhunshme terroriste, siç ka ndodhur ai i datës 24 shtator. Mendoj se janë të mjaftueshme këtë aksione policore për të konstatuar se, kemi dyshime se armë të tilla kemi jo vetëm në Mitrovicë por edhe në vende të tjera. Policia e Kosovës duhet të bashkëpunojë ngushtë edhe me reagues të tjerë për të lokalizuar edhe vendndodhje të tjera, enklava të ndryshme përfshirë edhe veriun e Mitrovicës për gjetjen dhe sekuestrimin e armëve.

“Bota sot”: Mbështetja për Policinë në Kuvend nuk po gjen përkrahje nga pozita, si vlerësohet kjo, kur Policia në raste të rrezikut është në vijë të frontit?

Bedri Elezi: Ky është një problem serioz që po na shoqëron në vazhdimësi mos gatishmëria e Republikës së Kosovës për mbështetjen e Policisë së Kosovës. Ne kemi parë disa struktura, qoftë ato të opozitës për një mbështetje të Policisë së Kosovës sidomos pas datës 24 shtator ku ishte një rast i fuqishëm ballafaqimi që Policia e Kosovës ka nevojë për mbështetje. Kosova ka nevojë për Polici moderne dhe koherente e cila mund të ballafaqohet me sulme terroriste. Por, zyra e Kryeministrit dhe ministria e Brendshme nuk po bën atë që duhet bërë për Policinë e Kosovës, dhe në fakt është në kundërshtim nga pozita. Opozita ka marrë disa iniciative për të mbështet policinë në kërkesat që janë natyrale siç është rrezikshmëria pastaj sigurimi shëndetësor, ndërrimet e natës, të cilat Policia i ka bërë të qarta disa herë dhe në vazhdimësi po kërkon të drejtat e tyre. Kryeministri i Kosovës nuk e ka gatishmërinë për të mbështet Policinë e Kosovës dhe si duket është i vërtetë një informacion se Policia e Kosovës nuk kanë raporte të mira me kryeministrin dhe madje në një vizitë kryeministri i Kosovës kishte një bazë elitare, në Mitrovicë ku kryeministri iu kishte thënë se nuk është i gatshëm të mbështes Policinë e Kosovës dhe akoma ka emocione individuale me Policinë.

“Bota sot”: Sa ka kapacitete Kosova që ta mbrojë vendin në rast të ndonjë agresioni të mundshëm serb në Kosovë?

Bedri Elezi: Policia e Kosovës është mirë e organizuar, ka një strukturë koherente dhe demokratike për zbatimin e ligjit, ka të gjitha departamentet e saj përfshirë edhe njësitet elitare të cilat janë për intervenime në raste të rënda siç janë edhe sulmet terroriste. Por, Policia e Kosovës nuk ka mjaftueshëm zyrtarë të cilët kanë përgatitje luftarake dhe mund të përballen me sulme terroriste sepse për raste të tilla është përgatitur FSK dhe NATO, por jo Policia, ngase në Policinë e Kosovës është njësia elitare që ka zyrtarë të përgatitur por është numër i vogël për t’u ballafaquar për numrin që mund të përdorin grupet terroriste. Për raste të tilla Policia e Kosovës duhet të ketë akoma më shumë anëtarë të njësive të veçanta, në veçanti njësive elitare të intervenimeve në mënyrë që të mund të përballet me numër të madh të anëtarëve të grupeve terroriste. Policia e Kosovës mund të zgjerojë kapacitetet e saj me të rinj dhe të reja të cilët janë të gatshëm për tu ballafaquar me këto aktivitet, që veprimet e tilla duhet të parandalohet nga Forca e Sigurisë e cila është mirë e përgatitur dhe ka gatishmëri dhe përgatitje profesionale për rastet e tilla si ky i fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat