Elshani jep detaje për bastisjet në veri, Policia gati për t’i bërë ballë sulmeve të mundshme nga Serbia

Intervista

Elshani jep detaje për bastisjet në veri, Policia gati për t’i bërë ballë sulmeve të mundshme nga Serbia

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 26 tetor 2023 Në ora: 11:51
Veton Elshani

Zëvendësdrejtori i Policisë, Veton Elshani në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në pjesën veriore të Mitrovicës.  

Ai situatën në veri e ka vlerësuar të qetë por edhe delikate.  

Ai për bastisjet ka thënë se Policia shkon aty ku dërgojnë hetimet, dhe vetëm dje (ditë e mërkurë) kanë kryer bastisje në 8 lokacione.  

Më tej, ai ka thënë se është e kuptueshme se gjithë këto bastisje po bëhen për ndriçimin e sulmit në Banjskë.  

Derisa, për paralajmërimin e sulmeve të tjera nga terroristët serbë, Elshani thotë se Policia është në gatishmëri dhe konsiderojnë se kanë kapacitete për mbrojtje.  

Kurse, për bashkëpunimin me Qeverinë dhe MPB, ai thotë se është e paracaktuar me ligj dhe është profesional.  

Intervista e plotë:  

 “Bota sot”: z. Elshani në çfarë gjendje është situata e sigurisë aktualisht në Kosovë?   

Veton Elshani: Situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë por delikate duke marr parasysh ngjarjet në Banjska me 24 shtator dhe veprimet politike që ndodhin në terren.  

“Bota sot”: Që nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, Policia e Kosovës intenzivisht po kryen bastisje në veri, çfarë gjeti Policia në bastisjet e fundit?    

Veton Elshani: Që nga 24 shtatori në shkojmë aty ku na dërgojnë hetimet. Dej kemi kryer bastisje në 8 lokacione, 4 në Mitrovicë të veriut e 4 në Zveçan por nuk kemi arrestuar dikë.  

“Bota sot”: Keni konfirmuar se bastisje është kryer edhe në shtëpinë e Vladimir Toliqit, i cili ndodhet në paraburgim, a mund të thoni çfarë gjetët?    

Veton Elshani: Nuk konfirmojmë bastisje me emra të veçantë, por në vazhdimësi kryejmë bastisje në lidhje me rastin Banjska.  

 “Bota sot”: Sa po ndihmojnë këto aksione për zbardhjen e plotë të sulmit terrorist në Banjskë që ndodhi më 24 shtator?   

Veton Elshani: Operacionet policore bëhen në varësi të hetimeve dhe normalisht që ndikojnë në ndriçimin e rasteve në përgjithësi dhe rastin e Banjskës në veçanti.  

“Bota sot”: Policia është në koordimin me KFOR-in, deri kur do të vazhdojë Policia me bastisje në veri, cili është hapi radhës?    

Veton Elshani: Policia e Kosovës ka bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in dhe në varësi të hetimit edhe vepron.  

Bota sot”: Po paralajmërohen sulme tjera në veri, a është Policia në gati, a kemi kapacitete për mbrojtje?    

Veton Elshani: Konsiderojmë që kemi kapacitete të mjaftueshme që të merremi me rastet që na paraqiten në përgjithësi në veri të vendit.  

“Bota sot”: Policia e menaxhoi mirë sulmin terrorist në Banjskë, si e patë ju?    

Veton Elshani: Policia e menaxhoi shumë mirë rastin në Banjska. Pasi kemi filluar operacionin territori u mor, policë nuk kishte të vrarë, nuk kishte dëme as në njerëz të fshatit as në pelegrinë e as dëme materiale, ndërsa 5 persona i kapëm (tre të vdekur e dy të gjallë)  

“Bota sot”: Cili është bashkëpunimi i Policisë me Qeverinë, konkretisht me Ministrinë e Punëve të Brendshme?  

Veton Elshani: Bashkëpunimi me Qeverinë dhe MPB-n është i paracaktuar me ligj dhe bashkëpunimi ynë është profesional. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat