“NATO punoi me përkushtim në çmontimin e bombës së kurdisur serbe”/ Lepaja: Ja pse po vonohet ndëshkimi i Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit

Intervista

“NATO punoi me përkushtim në çmontimin e bombës së kurdisur serbe”/ Lepaja: Ja pse po vonohet ndëshkimi i Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 tetor 2023 Në ora: 11:02
Pamje nga Banjska, pas sulmit terrorist

“Kishte skenarë për të ndezur konflikte në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe nyjat e tjera gjeopolitike. Këtu kam parasysh sulmet mbi Izraelin dhe gjithë aleatët perëndimor nëpër botë, me qëllim të shpërqendrimit të fuqisë dhe fokusit të SHBA dhe NATO-s nga lufta në Ukrainë”, deklaron njohësi i zhvillimeve dhe marrëdhënieve në rajonin e Ballkanit, Fadil Lepaja, kur pyetet për sulmin terrorist në veri të Kosovës dhe ndërlidhjen me ngjarjet në Lindjen e Mesme, apo luftën në Ukrainë. 

Sipas Lepajës, pavarësisht sulmit terrorist dialogu ka kuptim gjithnjë përderisa nuk ka shpërthyer lufta. 

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Lepaja ka folur rreth rezolutës së Parlamentit Evropian për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe sanksioneve ndaj Serbisë, duke thënë se perëndimi është i vetëdijshëm se Serbia është peng i fuqisë ruse dhe interesave ruse në rajon. 

Image
Fadil Lepaja

Ai thotë se ShBA është duke punuar që të fuqizohet pro perëndimi dhe deklaratat e tyre ndaj Serbisë duhet të merren mirëkuptuese. 

Njohësi i zhvillimeve dhe marrëdhënieve në rajonin e Ballkanit, ka folur edhe rreth Procesit të Berlinit dhe deklaratave të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për Kosovën, gjithashtu edhe për rrezikun e mundshëm në Kosovë, duke parë luftërat në botë. 

Intervistoi: Naile Ejupi 

“Bota sot”: Kanë kaluar një muaj që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit, ndërsa të enjten është miratuar një rezolutë nga Parlamenti Evropian që parasheh marrjen e përgjegjësisë nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje, cili është komenti juaj rreth kësaj resolute dhe sa do të bashkëpunojë Serbia për zbardhjen e hetimeve? 

Fadil Lepaja: Një gjë duhet kuptuar qartë: në Ballkan ekziston fuqia e shteteve, fuqia e lëvizjeve kombëtare e fetare, fuqia e krimit të organizuar ndërkombëtar, fuqia e grupeve militante islamike që vjen nga disa drejtime dhe mbi të gjitha fuqia e disa fuqive botërore si BE; SHBA; RUSIA; KINA....Konflikti në Ukrainë krijoi aleanca të reja dhe fronte të reja politike anë e mbanë globit me tendencë të shpërthejnë në konflikte të hapura. Ballkani në këto rrethana është bërë një hartë e palexueshme gjeopolitike. Padyshim, dështimi i projektit për anketimin e veriut, i ngjashëm me ato në Ukrainë, e solli Serbinë zyrtare në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë ndërkombëtare. Në radhë të parë brenda vet Serbisë, madje edhe asaj institucionale ka luftëra të brendshme dhe ndikime të ndryshme nga jashtë. Presidenti serb kalkulon në këtë balancë të frikës ruse dhe dëshirës për integrime në BE. A ishte ky një sulm i koordinuar nga kreu politik shtetëror serb apo ishte një skenar nga jashtë për ta futur Serbinë në luftë me NATO-n, këtë do ta tregojë shpejtë gatishmëria e Serbisë zyrtare që të luftojë krimin dhe terrorizmin bashkë me aleatët perëndimorë apo rreshtimi në anën e krimit dhe mosbashkëpunimi me BE, SHBA etj. Trysnia mbi Serbinë për tu distancuar nga Rusia dhe për tu rreshtuar në anën e perëndimit, në këtë konflikt përmasash globale, është rritur shumë. Parlamenti Evropian me rezolutën e vet, fuqizoi qëndrimin evropian dhe euroatlantik për Ballkanin Perëndimor, dhe tregoi se kufijtë janë të pandryshueshëm, se me demokracinë dhe paqen në rajon nuk do të tolerohet kurrfarë pazari dhe se Serbia nëse do të jetë pjesë e Evropës duhet të bashkëpunojë kundër terrorizmit, duhet të bashkëpunojë me fqinjët në këtë luftë dhe duhet të mbaj qëndrim të qartë ndaj luftës në Ukrainë dhe Rusisë.  

“Bota sot”: Si i keni parë reagimet e ndërkombëtarëve pas sulmit terrorist, a janë “vonuar” BE për këtë rezolutë dhe a do të duhej t’i vënin sanksione Serbisë menjëherë pas pranimit të përgjegjësisë së Milan Radojçiqit dhe vërtetimit se armët janë me origjinë nga Serbia?  

Fadil Lepaja: Edhe pse nga këndvështrimi ynë mund të duken të vonuara, megjithatë gjërat po rrjedhin sipas një strategjie të SHBA dhe BE për menaxhimin e krizës në Ukrainë dhe pasojave të saj, përkatësisht tendencave që zjarri të përhapet edhe në rajonin e ndjeshëm e eksploziv të Ballkanit ashtu sikurse u hap vetëm disa javë më vonë konflikti në Gaza, pas sulmit mbi civilët në Izrael të kryer nga grupi militant islamik i Hamasit. Perëndimi është i vetëdijshëm se Serbia zyrtare është peng i fuqisë ruse dhe interesave ruse në rajon. Ajo nuk ka fuqi që vet të shkëputet edhe po të dojë nga ky rreth, pa e shpërthyer fuqinë e barotit mbi të cilën rri ulur. SHBA është duke punuar në të dyja anët, edhe me perëndimin por edhe e vetme për të fuqizuar forcat properëndimore dhe për të rritur ndikimin perëndimor ndër serbët. Kështu mund të kuptohen deklaratat e SHBA, nganjëherë mirëkuptuese për Serbinë edhe pse në asnjë moment nuk vihet në pyetje përkrahja e saj ndaj Kosovës.  

“Bota sot”: Shumë analistë ndërkombëtarë e vendorë thonë se pas sulmit terrorist nuk ka kuptim të vazhdohet dialogu, në anën tjetër BE e ShBA kërkojnë vazhdimin e tij, si duhet vepruar apo si duhet të vazhdohet me dialog?  

Fadil Lepaja: Dialogu nuk ka alternativë. Pavarësisht presionit që të dilet nga skema, perëndimi do të insistojë ta mbajë Serbinë në tryezë dhe të kryhen obligimet që palët i kanë marrë me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Dialogu ka kuptim gjithnjë përderisa nuk ka shpërthyer lufta, e cila për fat u evitua falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të Policisë së Kosovës dhe falë përkrahjes së NATO-s, e cila ruajti kufijtë e Kosovës të paprekur gjatë gjithë kësaj kohe dhe i dërgoi vazhdimisht mesazhe të qarta shtetit serb gjatë gjithë kohës, kur ndodhi eskalimi. NATO punoi me përkushtim në çmontimin e bombës së kurdisur serbe, e cila ishte paraparë të çojë në ajër jo vetëm procesin e dialogut por edhe paqen në rajon.  

“Bota sot”: Kur i shikojmë ngjarjet në Lindjen e Mesme, a mendoni se sulmi i grupit të armatosur serb në veri të Kosovës është një rast tjetër i shfrytëzuar për të krijuar konflikt, apo i lidhur me kontekstin më të gjerë të luftës në Ukrainë?  

Fadil Lepaja: Patjetër, mendoj se kishte skenarë për të ndezur konflikte në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe nyjet e tjera gjeopolitike. Këtu kam parasysh sulmet mbi Izraelin dhe gjithë aleatët perëndimor nëpër botë, me qëllim të shpërqendrimit të fuqisë dhe fokusit të SHBA dhe NATO-s nga lufta në Ukrainë.  

“Bota sot” Zotëri Lepaja, të ndalemi pak te Procesi i Berlinit i cili është mbajtur të hënën në Tiranë, si e vlerësoni ecurinë e tij deri më tani?  

Fadil Lepaja: Rikthimi në procesin e Berlinit , pas dështimit të “Ballkanit të Hapur” i cili synonte ta bënte të hapur regjionin duke shkelur mbi vullnetin e Kosovës dhe duke e mjegulluar edhe më tej çështjen e sovranitetit dhe kufijve të saj, është mesazh i qartë, se vetëm duke ndjekur rrugën e integrimeve dhe parimet bazë të funksionimit të BE, ka një perspektivë evropiane për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Kosova njihet si vend i barabartë me të tjerët. Takimi në Tiranë, edhe pse mund të duket ashtu, nuk ishte përkrahje e mesazheve politike, shpeshherë kontroverse të Tiranës zyrtare, por nuk ka dyshim se Tirana ishte vendi i vetëm ku mund të rridhte i qetë dhe konstruktiv një samit i përmasave që i kishte samiti BE-Ballkani Perëndimor, kësaj radhe.  

“Bota sot”: Në këtë samit ka munguar presidenti serb Aleksandër Vuçiqi, i cili kishte zgjedhur Kinën dhe takimin atje me Putinin, madje edhe ka siguruar armatim nga Kina, çfarë po planifikon Vuçiqi dhe a mendoni se ka marrë përkrahjen e Kinës dhe Rusisë për një konflikt të ri në Kosovë?  

Fadil Lepaja: Padyshim, lëvizjet politike të presidentit të Serbisë janë të kalkuluara me kujdes dhe synojnë efekte të dyanshme. Në njërën anë, orientimi kah armatimi kinez dhe politika kineze vetvetiu shpalosë një formë të largimit nga Rusia dhe një aleancë më pak problematike se ajo që e kishte me Rusinë, e cila si dihet ka ndikim të jashtëzakonshëm në armatën serb dhe në gjithë strukturat e sigurisë. Në anën tjetër ishte një ikje nga presioni i drejtpërdrejtë, asisoj që në samit u dërgua një personalitet politik me peshë vetëm formale e cila nuk bëri asgjë tjetër pos që mori vëmendje duke mos pranuar të bënte “foton familjare”.  

“Bota sot” Si i shihni komentet e Edi Ramës në raport me Kosovën. Nga shumë tabore po cilësohen si neutrale dhe kontroverse? 

Fadil Lepaja: Edi Rama, po sillet si i hutuar në këto rrethana, në të cilat dorën në zemër çdo vend i vogël e ka të vështirë të orientohet qartë, aq më tepër kur është i dukshëm rreshtimi i zotit Rama me antiglobalistët e ish presidentit Trump dhe me politikën rajonale të Sorosit, nga e cila politikë e ka të vështirë të largohet rrufeshëm. Mospajtimet me KM e Kosovës i sollën atij humbjen e fuqisë ndërmjetësuese në mes Serbisë dhe Kosovës, të fituar qysh nga bisedat e dikurshme për këmbim territoresh, por edhe i solli humbjen e rolit të liderit rajonal të shqiptarëve. Padyshim se Edi Rama duhet të rimodelojë politikën e tij rajonale dhe atë ndaj Kosovës.  

“Bota sot” Për fund, sa është e rrezikuar Kosova dhe tërë rajoni duke parë luftën në Ukrainë dhe tanimë edhe në Lindje të Mesme?  

Fadil Lepaja: Kosova dhe rajoni janë gjithsesi të rrezikuara duke pasur parasysh tendencën që të shfrytëzohen nyjet gjeopolitike si ajo e BeH dhe Kosovës, por edhe Maqedonisë Veriore, Malit të Zi për të nisur konflikte të reja. Kur zjarri bie ndër fqinjë, flakët nuk të anashkalojnë. Gjithashtu duke qenë se identifikimi i disa popujve me religjionet , i bënë pjesëtarë të luftës apo aleancave globale ka tendencë që ti ndizen konflikte dhe mos durime në mes komuniteteve fetare, apo popujve mbi këtë bazë. Politika e Kosovës është koshiente për këto rreziqe dhe në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare , BE, SHBA, NATO dhe vetëm kështu mund të jemi pjesë e koalicionit të paqes dhe demokracisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat