Dyshimet mbi draft-statutin e Asociacionit, Ramabaja: Marrëveshja e Brukselit i jep fund iluzioneve të Serbisë për kthim në Kosovë

Intervista

Dyshimet mbi draft-statutin e Asociacionit, Ramabaja: Marrëveshja e Brukselit i jep fund iluzioneve të Serbisë për kthim në Kosovë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 nëntor 2023 Në ora: 13:47
Dr. Sadri Ramabaja

Sadri Ramabaja ka mbështetur politikat e kryeminsitrit të Kosovës Albin Kurti, karshi Bashkimit Evropian dhe dialogut me Serbisë.

Ramabaja në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” komentoi ngjarjet e fundit në vend, me fokus rrjedhën e zhvillimeve pas sulmit terrorist në Banjskë.

Sipas tij, agresioni në Manastirin e Banjskës ka trazur miqtë tanë që ushqenin iluzione të pabazuara për mundësitë që mund t’i kishin përllogaritur për shkëputjen e Serbisë nga orbita ruse.

Krahas kësaj, ai përmendi edhe Marrëveshjen e Ohrit, të cilën presidenti serb tash e sa muaj refuzon ta nënshkruajë.

Ramabaja vlersëon se Vuçiqi organizoi zgjedhjet e parakohshme më 17 dhjetor, duke krijuar kështu edhe një alibi të re për zvarritjen e nënshkrimit të marrëveshjes.

Ndër të tjera, ai analizoi edhe draft-statutin e Asocaicionit dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota Sot”: Si i komentoni zhvillimet e fundit politike në vend? Sa ka ndryshuar rrjedha e zhvillimeve dhe fokusi i qeverisë së Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë?

Dr. Sadri Ramabaja: Zhvillimet politike janë të një intensiteti të lartë. Janë produkt i rrjedhave gjeopolitike në rajon dhe botë. Ne po jetojmë në epokën e ndryshimeve intenzive në rrafshin planetar. Lufta në Ukrainë, por edhe shpërthimi intenziv i flakëve të saj edhe në Lindjen e Mesme – në Gaza, janë përballje të llojit të vet për civilizimin Perëndimor. Perëndimin aktualisht po i imponohet ripërkufizimi i qartë i kufijve të tij si në lindje ashtu edhe në juglindje të Europës. Ka një lloj përsëritje të historisë që më rikthen në vëmendje epokën e Pjetër Bogdanit.

Atë botë Bogdani kishte vënë në pah tendencat turko-sllave për shkëputjen e shqiptarëve nga Perëndimi. Prandaj, ai këmbëngulte për ringjalljen kulturore e civilizuese dhe "me çdo kusht – insistonte- të sigurojmë ndonjë libër", pra përmes arsimit të të rinjve dhe popullit përgjithësisht, me qëllim që "misionarët dhe priftërinjtë në këto vende - të ngadhënjejnë mbi errësirën e injorancën". Prandaj, Pjetër Bogdani, si një ndër mendjet më të ndritura të kombit, jo vetëm në kohën e tij, e si atdhetar i mirëfilltë, me veprën e tij ishte "nisur nga parimet e ngritjes së vetëdijes kolektive të popullit", me qëllim të qartë që të hapte shtigje dinjitoze "kah vlerat europiane".

Ai insistonte të iluminonte bashkatdhetarët e tij duke nënvizuar në ligjërimin e tij publik se, shqiptarët si komb i bashkon me kombet e tjera të Perëndimit, jo vetëm të qenit gjeografikisht në të njëjtin kontinent, jo vetëm historia, por edhe vlerat e përbashkëta, që de fakto janë pasaporta e prototipit Homo Oçidentalis.

Qeveria e Kosovës, kryeminsitri i saj janë plotësisht në këtë frymë bogdaniane. Kosova dhe kombi ynë në tërësi, është pozicionuar drejt. Tok si pjesë e familjes europiane, të cilës i përket tërësisht.

Agresioni serb më 24 shtator ka trazur miqtë tanë që ushqenin iluzione të pabazuara për mundësitë që mund t’i kishin përllogaritur për shkëputjen e Serbisë nga orbita ruse. Duket se tashmë janë ndërgjegjësuar se nga i gjithë ai investim nuk nxjerrin dot gjë. Deklaratat e presidentit serb dhe gjithë korit qeveritar e kishtar serb rreth Kosovës dhe përgjithësisht rreth të ashtuquajturës “Bota Serbe”, tashmë kanë davaritur edhe iluzionistët e fundit në Perendim.

Marrëveshja e Brukselit [27 sjkurt] dhe aneksi i saj i akorduar në Ohër [18 mars] duket se ishin pjesë e strategjisë serbe për zvarritjen e procesit të dialogut. Prandaj, ato presidenti serb nuk ka denjuar e nuk po denjon t’i nënshkruaj. Beogradi i kontrolluar tashmë rreptësisht nga shërbimet ruse, pret fundin e luftës në Ukrainë, duke shpresuar në fitoren e Rusisë. Prandaj Vuçiqi organizoi zgjedhjet e parakohshme më 17 dhjetor, duke krijuar kështu edhe një alibi të re për zvarritjen e nënshkrimit të marrëveshjes. Agresioni serb më 24 shtator ishte pjesë e këti skenari. Natyrisht ata kishin logaritur në hapjen e frontit të dytë të lufëts në Europën Juglindore, që duket se e kanë detyrë nga GRU-ja ruse. Dështimi në Banjë të Albanikut [Leposaviqit] i ka dhënë shkas tërbimit serb, që po reflektohet edhe në deklaratat publike të presidentit Vuçiq. Ai vazhdimisht, në çdo rast, edhe kur takohet me diplomatët perëndimor, e përsërit se, Serbia nuk do ta njoh pavaërsinë e Kosovës kurrë! Ndërkohë, kësaj deklarate, pa turp e pa dro, ia ka shtuar edhe deklartën shtesë: “Nuk njohim integritetin territorial të Kosovës”. Ky është ultimatum!

Konform këtij ultimatumi po sillet qeveria jonë, duke e konsideruar çështjen e veriut para se gjithash si çështje të sigurisë. Prandaj janë marrë e po mirren masa adekuate me natyrën e ultimatumit serb.

Shqetësimin real të qeverisë sonë e kanë kuptuar tashmë partnerët tanë perëndimor. Deklarata e Qeverisë gjermane, pas asaj të Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, është sinjal i qartë që reflekton seriozitet në përballjen e mundshme me aventurën serbo-ruse.

Gazeta “Bota Sot”: Së fundi, në Bruksel janë mbajtur takime ndërmjet udhëheqësve të shteteve evropiane (Gjermanisë, italisë, Francës) me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Si i keni parë ato? A po merr kthesë tjetër dialogu pas këtyre përpjekjeve të shtuara të BE-së?

Dr. Sadri Rambaja: Organizimi i takimeve është pjesë e strategjisë së Perëndimit për të shmangur frontin e dytë të luftës në Europë. Edhe vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NAT0-s të paralajmruar për nesër, e shoh në këtë funksion. Në këtë funksion është edhe shtimi i trupave të KFOR-it dhe mbështetja intenzive që po i bëhet sektorëve të Sigurisë [FSK-së dhe Policisë sonë].

Qendrat e vendimmarrjes në Perëndim tashmë e kanë të qartë se Serbia po punon në tre skenarët e saj. i pari, që ka të bëjë me fillimin e një mësymje masive luftarake për të aneksuar veriun, që d.t.th shpërthim i frontit të dytë të luftës në Europë; i dyti, ka të bëjë me promovimin e konfliktit të ngritrë në veri, duke e trajtuar në atë mënyrë që i konvenon Serbisë dhe Rusisë, me shpresë se mund ta rihap në fund të luftës në Ukrainë; dhe skenari i tretë, që ka të bëjë me realizimin e Marrëveshjes së Brukselit, rrjedhimisht edh eme pranimin e draftstatutit që garanton krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, edhe kështu si është – pa kompetenca ekzekutive.

Përpjekjet e shtuara të BE-së për ta mbyllur dialogun me marrëveshjen e Brukselit, natyrisht të mbështetura fort nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, japin shpresë se do t’i shmangemi luftës dhe do të fillojmë të marshojmë drejt integrimit të përshpejtuar në strukturat euroatlantike.

Ky skenar pres të realizohet në muajt e parë të vitit që po vjen.

Gazeta “Bota Sot”: Po përflitet edhe për pranimin e një draft-statuti të Asociacionit, mirëpo që përfaqësuesit e BE-së, kanë kërkuar që të mbetet sekret. Pse po mbahet e fshehtë përmbajtja e tij, a mund të ketë hapësirë për dyshime?

Dr. Sadri Ramabaja: Draftstatuti i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, që po emërtohet me emrin Asociacion, tashmë nuk është sekret. Një pjesë e opozitës sonë, ajo më e guximshmja natyrisht, ka gjetur rrugën që ta publikoj. Tashmë ai është pjesë e diskutimit publik. Asociacioni, qoftë edhe i tillë si po i imponohet Kosovës, e dëmton statusin unitar të Republikës. Por, atë duhet ta trajtojmë ashtu si është: produkt i iluzioneve të partnerëve tanë në raport me të ardhmen e serbëve në Kosovës dhe rezultat i marrëveshjeve paraprake [2013/2015]. Unë mbështesë konstatimin e matur të ish-gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Dr Gjyljeta Mushkolaj tek pohon se me këtë draftstatut “minat që mund ta hedhin në erë shtetin tonë janë larguar.” Natyrisht se ruajtja e funksionalitetit të Republikës varet shumë edhe nga qeveritë që do ta drejtojnë Republikën në vitet pasuese për aq kohë sa Kosova të arrijë të integrohet në NATO dhe BE.

Gazeta “Bota Sot”: Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, tash e një kohë janë ndërmjetësuesë të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi. Si e keni parë qasjen dhe punën e tyre në këtë aspekt?

Dr. Sadri Ramabaja: Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që lehtësohet dhe organizohet nga BE, e që ka filluar që më 8 mars të vitit 2011, i ka paraprirë Rezoluta e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara e miratuar me 10 shtator të vitit 2010. Kjo rezolutë, shprehet taksativisht se mirëpret gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar një proces dialogu ndërmjet palëve, i cili do të ishte faktor i dobishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, do të nxiste bashkëpunimin dhe përparimin e dy vendeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe do të përmirësonte jetën e njerëzve.

Pararendësit e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri -Josep Borell-it, sidomos zonja Federica Mogherini, natyrisht me pajtimin e ish kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin dhe përfaqësuesve të palës serbe, e kishin degraduar dialogun nga rrafshi teknik siç sugjeronte rezoluta në fjalë, në rrafshin politik, duke shkuar edhe drejt pajtimit të fshehur për ndarjen e Kosovës, respektivisht aneksimit të veriut të Kosovës Serbisë! Ky akt u pengua nga rezistenca e fuqishme e popullit tonë gjatë periudhës 2015-2020, por edhe nga miqtë tanë europian, para së gjithash: Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

Pasuesi i Federica Mogherinit, zoti Borrel dhe i ngarkuari i tij për Ballkanin, Miroslav Lajçak, si duket të vënë në dijeni për përparsitë që i jep Serbia skenarëve të parë të strategjisë së saj, për çka folëm më lartë, ishin vënë në shërbim të plotë të Beogradit. Vetëm rezistenca e fuqishme e kryministrit tonë Albin Kurti dhe natyrisht ekipit të tij, do të bënte të dështojë krijimi i fakteve të kryera në terren – pushtimi i veriut. Dyshja e BE-së kishte shkuar aq larg sa që ia kishte imponuar Kosovës edhe masat shtrënguese në emër të mungesës faktike të deeskalimit të gjendjes në veri. Ndërkaq, deeskalim sipas tyre, do të thoshte largimi i Njësive Speciale të Policisë sonë nga veriu. Merret me mend tashmë se si do të rridhnin ngjarjet po të përfillej ajo kërkesë ultimative e dyshes Borrel-Lajçak.

Udhëheqja e shkëlqyeshme politike e gjendjes para dhe sidomos gjaët aksionit të Njësive Speciale të Policisë sonë në veri, me theks më 24 shtator, por edhe vet operacioni i përmasave kirurgjikale të Njësisë, pa dëmtuar asnjë civil serb që ishin sjell si peng në Manastirin e Banjës, bëri që gjendja të marrë kthesën e duhur. Tani, veriu i Kosovës shtë plotësisht nën kontrollin e forcave tona të sigurisë dhe tek tani mund të pohojmë se sovraniteti dhe kontrolli i Republikës është i garantuar.

Gazeta “Bota Sot”: Sa janë afër Kosova dhe Serbia që të arrijnë një marrëveshje finale? A do duhej një e tillë të përmbante njohjen reciproke mes dy vendeve?

Dr. Sadri Ramabaja: Kjo varet nga shkalla e presionit që do të ushtrojnë Perëndimi në javët e muajt në vijim. Por, një gjë tashmë është e qartë, me ndërhyrjen e Francës, projekti franko-gjerman, tashmë si akti i vetëm i akceptuar nga të gjithë anëtarët e BE-së dhe i mbështetur edhe nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, nuk është as për së afërmi marrëveshje finale. Sidoqoftë, si e tillë, ajo i hap rrugë Kosovës për njohje nga peshja e vendeve të BE-së dhe katërshja e NATO-s [për ne më e rëndësishme është kjo e fundit], që Republika jonë të ecë me procedura të përshpejtuara drejt aderimit në NATO. Por, marrëveshja e Brukselit, siç është pohuar me të drejtë edhe nga diplomatët dhe studiuesit perëndimor e ata vendor [serioz], garanton sovranitetin e Republikës dhe i jep fund iluzioneve të Serbisë për kthim në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat