Drejtësia, ndëshkimi i kriminelëve dhe sulmi terrorist në Banjskë në sytë e avokatit Jashari – këto janë porositë e tij!

Intervista

Drejtësia, ndëshkimi i kriminelëve dhe sulmi terrorist në Banjskë në sytë e avokatit Jashari – këto janë porositë e tij!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 nëntor 2023 Në ora: 20:04
Arbër Jashari

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, avokati Arbër Jashari ka prekur temat që lidhen me  sistemin e drejtësisë, duke theksuar që në vitet e fundit ka një progres të konsiderueshëm në këtë fushë.   

Megjithatë, Jashari ka theksuar se gjyqësori nuk është në nivelin që duam dhe se shpesh gjykatat bëhen lajm edhe me dënime të cilat janë cilësuar si qesharake.  

I pyetur se a ka ndikim politika në sistemin e drejtësisë, Jashari thotë që ka tendencë për ndikim mirëpo që nuk qëndron, përveç rasteve individuale e të izoluara.  

Ndërsa lirimi i dy serbëve të dyshuar për krime lufte nga ish ministri i Drejtësisë të Malit të Zi, Marko Kovaç, sipas avokatit është vendim politik.  

Për fund, në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, Jashari potencon që tashmë dihet se Serbia po qëndron prapa këtij rasti.  

Intervista e plotë  

“Bota sot”: Z.Jashari si avokat që veproni në Kosovë, në cilën fazë gjendet sistemi i drejtësisë?  

Arbër Jashari: Sipas raporteve ndërkombëtare Kosova ende gjendet në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor funksional. Gjithsesi, mendoj se viteve të fundit, sistemi i drejtësisë ka pasur një progres të konsiderueshëm. Është përmirësuar ndjeshëm infrastruktura ligjore, janë rritur kapacitet njerëzore, me gjyqtarë të rinj dhe staf mbështetës, janë krijuar mekanizma të rinj për t’iu përgjigjur nevojave të kohës si gjykata komerciale si dhe janë forcuar mekanizmat e llogaridhënies brenda KGJK-së. Gjithashtu edhe transparenca është në një nivel të pranueshëm dhe të admirueshëm do të thoja, e cila mundësohet përmes seancave gjyqësore publike, publikimit të vendimeve gjyqësore, publikimit të orareve të gjykimeve etj. Por me gjithë këto, prapë se prapë gjyqësori nuk është në nivelin që duam. Kemi zgjatje e stërzgjatje të procedurave gjyqësore, sidomos në lëminë civile. Po ashtu shpesh gjykatat bëhen lajm edhe me dënime të cilat janë cilësuar si qesharake, ose veprime që nuk kanë qenë të pranueshme nga një pjesë e shoqërisë.  

“Bota sot”: Duke qenë te sistemi i drejtësisë, a po punohet mjaftueshëm për ta luftuar krimin dhe korrupsionin?  

Arbër Jashari: Ka pasur përpjekje, por nuk është e mjaftueshme. Lufta kundër korrupsionit është shumë komplekse dhe do angazhim gjithë institucional, jo vetëm të mekanizmave ligj-zbatues. Rol të madh kanë edhe qytetarët, të cilët duhet të vetëdijesohen, t’i lajmërojnë rastet, të bashkëpunojnë me drejtësinë. Deri më tani kemi pasur shumë fjalë e pak rezultate.  

“Bota sot”: Ndikimi i politikës në sistemin e drejtësisë ka qenë ndër çështjet më problematike ndër vite, a mund të na thoni se si qëndron Kosova aktualisht sa i përket kësaj çështjeje?  

Arbër Jashari: Parimisht pushtetet janë të ndara. Politika gjithmonë ka tendenca të ndërhyjë në drejtësi, por Kushtetuta dhe ligjet kanë paraparë mjaftë mekanizma mbrojtës, të cilët i mundësojnë gjyqësorit, funksionim të papenguar. Mendoj që politika nuk ka ndikim në sistemin gjyqësorë, përpos ndonjë rast individual e të izoluar, siç mund të ketë edhe në vendet me demokraci të zhvilluar. Problemi më i madh në sistemin gjyqësorë është ngarkesa me lëndë, mungesa e kapaciteteve dhe jo profesionalizmi në disa sektorë.  

“Bota sot”: Ju keni reaguar për dy serbët e dyshuar për krime lufte në Kosovë, të cilët u liruan ditë më parë në saje të një vendimi politik të ish ministrit të Drejtësisë të Malit të Zi, Marko Kovaç. A mendoni që Kosova do të duhej të reagonte ndaj Malit të Zi?  

Arbër Jashari: Konsideroj se vendimi i ish ministrit të Drejtësisë se Malit të Zi, është vendim politik dhe abuzim me kompetencat që ja jep ligji, si dhe amnisti për “kriminelet” e luftës së vitit 1998-1999.  

Ky vendim dëmton rëndë edhe klimën e  bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, në çështjet penale me element ndërkombëtarë dhe është arsye e mjaftueshme që edhe Ministria e Drejtësisë së Kosovës mbi bazën e parimit të reciprocitetit, të përgjigjet me kartën e njëjtë në të ardhmen, për personat e kërkuar nga Mali i Zi.  

“Bota sot”: Si e vlerësoni themelimin e Institutin për Krime lufte që tashmë e ka edhe një drejtor, a prisni që të bëhet edhe më tepër për sjelljen para drejtësisë të kriminelëve serbë që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë?  

Arbër Jashari: Nuk jam shumë entuziast. Institutet janë për të bërë shkencë e prokuroria për ta luftuar krimin. Ndoshta forcimi i kapaciteteve në Prokurorinë Speciale, do të jepte më shume efekt. Gjithsesi mbetët për tu parë.  

“Bota sot”: Në fund, nga sulmi i 24 shtatorit nuk është vendosur asgjë ndaj Serbisë, ani pse e njëjta është fajtore, si e vlerësoni heshtjen aktuale të ndërkombëtarëve karshi kësaj situate, pse s’ka ende asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë?  

Arbër Jashari:  Krejt bota tashmë e ka kuptuar se Serbia është përgjegjëse për ato sulme. E rëndësishme është që në t’i kryejmë detyrat tona si shtet. Uroj që interesat politike ndërkombëtare, të mos dominojnë mbi drejtësinë dhe përgjegjësit nga shteti fqinjë të japin llogari për invazionin e 24 shtatorit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat