Ngjela jep “lajmin e keq” për Vuçiqin: Serbët po lodhen kot, ky qëndrim i prerë i Kurtit lartëson dinjitetin e Kosovës

Intervista

Ngjela jep “lajmin e keq” për Vuçiqin: Serbët po lodhen kot, ky qëndrim i prerë i Kurtit lartëson dinjitetin e Kosovës

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 10:21
Spartak Ngjela

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, e cila kërkon rihetimin e vrasjes së Aleks Nikës gjatë protestës së opozitës së kohës në 21 janar të vitit 2011, duket se do t’i hapë shumë telashe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Të paktën kështu mendon avokat i njohur, Spartak Ngjela, i cili gjatë një interviste për gazetën “SOT”, foli për disa pamje filmike që kanë në duar ndërkombëtarët për ‘21 janarit’, që pritet të fundosin Berishën. Po ashtu, avokat Ngjela ka paralajmëruar arrestime “VIP” në Shqipëri, ndërsa ka treguar se përse Berisha refuzon të shkojë në SPAK sa i takon aferës së “Partizani”.

Nga ana tjetër, ai u ndal edhe tek qëndrimi i qartë që kryeministri Kurti ka bërë në lidhje me kërkesat e Serbisë, duke i vënë theks qëllimit që Serbia ka në raport me Kosovën. Ndërsa, sa i përket dialogut Kosovë- Serbi, ai thotë që është vetëm fitim kohe për Serbinë dhe asgjë tjetër. I pyetur për draft-statutin e Asociacionit që ndërkombëtarët po mbajnë sekret, avokati thotë që fakti që mbahet sekret diçka antishqiptare ka brenda tij, ose janë duke bindur Beogradin për të njohur realitetin historik.

-Avokat si e patë vendimin e Gjykatës së Strasburgut për “21 Janarin”. A rrezikohet ish-kryeministri Sali Berisha...

Ato regjistrimet që janë marr atje, ndërkombëtarët i kanë zbardhur sepse ata në kryeministri e fshinë, por serverin e zbardhën laboratorët e mëdhenj dhe si duket serverat i ka marr edhe Strasburgu. Por duhet parë, ja kanë çuar Strasburgut dhe Strasburgu e ka sjell këtu tani. Duhet parë se çfarë do të bëjë SPAK sepse ato prova janë duhet ti risjell në konsideratë prokuroria për të bërë një akuzë të re.

-Mendoni se do ta marr SPAK këtë çështje për ta rihetuar?

Besoj se do ta marr, sepse kur është gjykuar njëherë kjo çështje nuk ka qenë SPAK. Kurse tani dihet se krimet e shtetit dhe të pushtetarëve shkojnë  në SPAK. 

-Ish-kryeministri Sali Berisha vijon që të mos paraqitet në SPAK, ndërsa në deklaratat që ka dhënë në media sulmon edhe prokurorët, keni një koment?

Ai  ka humbur  ekuilibrin. Njeriu vete atje dhe tregon pafajësinë, sepse pafajësia nuk fshihet. Në një gjykatë që do paraqitet Saliu, atje është gjithë media, po e more pafajësinë para opinioni publik nuk ka se çfarë të bëjë gjykata.

-Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha Jamarbër Malltezi është liruar nga burgu, pasi Apeli e lë në arrest shtëpie, si e komentoni ?

Mund të ketë shumë arsye. Ka edhe arsye shëndetësore mund të jenë  edhe arsye të tjera. Nuk mendoj se janë kanë bërë favor, por mbase ka pasur të drejtë për ndonjë sëmundje.  

-Sa i përket aferës CEZ-DIA, pak kohë më parë Ilir Meta u morën pyetje nga SPAK, mendoni se është i rrezikuar ?

Çështje e goditjeve penale sot në vend është shumë evidente, është shumë e hapur, përpara opinionit publik kanë dal shumë gjëra të tilla dhe të gjitha janë kompetencë e SPAK. Duhet të shohim se çfarë do të bëjë SPAK-u në këtë rast.

-Mendoni se me këto arrestime që janë bërë deri më tani nga  SPAK, ka marr fund pandëshkueshmëria  dhe nuk ka më të paprekshëm ?

Shenjat janë që po. SPAK po tregon që do luftojë, nuk është ende në lartësinë e duhur, por duhet që të kuptojmë se gjëja  nuk është aq e thjesht. Shenjat janë që është në rrugë të duhur.

-Nga ana tjetër, si i komentoni zhvillimet e fundit politike në Kosovë?

Zhvillimet e fundit kanë sjellë mendimin që serbët e Kosovës duhet të lejohen të votojnë në zgjedhjet që po priten në Serbi. Albin Kurti u tregua i qartë kur tha duhet të njihet shteti i Kosovës nga Serbia, që të funksionojë edhe kjo marrëveshje. Kjo është arsye juridike dhe kushtetuese e shtetit të Kosovës. Kërkesa e Serbisë pa njohur pavarësinë e shtetit të formuar të Kosovës, është ligësia e vjetër serbe në vijim, që asnjëherë nuk ka ditur të shprehë një ide për të vërtetën. Gënjeshtër e madhe është vetë Serbia që nga formimi i saj si shtet i pavarur. Por, tani Serbia është një shtet i mundur në luftë dhe ka gjithmonë shpresë te krijimi i situatave antishqiptare. Ç’do të thotë votimi i serbëve të Kosovës në zgjidhjet e Serbisë, kur Serbia e konsideron juridikisht dhe konstitucionalisht shtetin e pavarur të Kosovës si territorin e saj? Po si nuk hoqën dorë këta agresorë banalë nga veprime subversive kundër shqiptarëve! Edhe ky rast, një i tillë është. Beogradi kërkon të "vërtetojë" në marrëveshje me Prishtinën autonominë e katër komunave serbe në Veriun e Kosovës. Manovër kjo sa e ligë, edhe e trashë si konceptim politik. Por kryeministri i Kosovës u tha në mënyrë të prerë: këto marrëveshje bëhen vetëm midis dy shteteve të pavarur që njohin pavarësinë kushtetuese të njëri-tjetrit. Dhe kjo mjafton për të lartësuar dinjitetin e shtetit shqiptar të Kosovës.

-Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon tash e disa vite. Sa larg sipas jush jemi për një marrëveshje finale?

Deri tani ky dialog ka qenë një veprim absurd. Dialogu strukturohet dhe vijon për të arritur një marrëveshje juridike të drejtash në bashkëjetesë ndërkombëtare midis dy shteteve që kanë qenë në luftë: Njëri si pushtues dhe tjetri si i pushtuar nga pushtuesi. Kurse dialogu Serbi-Kosovë realisht është një sorollatje serbe për të fituar kohë. Asgjë më shumë. Një absurditet i kotë që nuk jep asgjë, por fyen shqiptarizmin në Gadishullin Ilirik. Çfarë dialogu mund të bëjë një ish koloni që ka fituar lirinë dhe pavarësinë e vet në një luftë  çlirimtare, me kolonizatorin pushtues që ka bërë vetëm krime historike kundër shqiptarëve të Kosovës? Përse dialogojnë? Çështja është shumë e thjeshtë, prandaj përmbajtja e këtij dialogu duhej të ishte që: Kosova që ka fituar pavarësinë me luftë kundër Serbisë kërkon që i munduri në luftë të pranojë Kushtetutën aktuale të Kosovës. Gjithë të tjerat janë absurditet historik. Ke qenë pushtuesi im, të kam mundur në luftë dhe me këtë luftë kam fituar pavarësinë e 2 milionë shqiptarëve etnikë në trojet e tyre mijëravjeçare. Më njeh apo jo? Nëse nuk më njeh, aq më bën. Unë jam një shtet i pavarur.  Historia vijon. Kjo është arsyeja. Gjithë të tjerat janë lodhje e kotë në favor të Serbisë, e cila po kërkon të fitojë kohë. Por, në fakt, po pret petulla nga qielli, se botën shqiptare në Gadishullin Ilirik nuk ka më forcë që ta cenojë as në një qime floku. Kjo është koha e Dardanisë dhe e dardanëve. Serbët le të bredhin nëpër hapësirat e ligësisë së tyre shekullore.

-Sipas jush takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të shteteve evropiane (Gjermanisë, Italisë, Francës) me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç a kanë sjellë kthesë tjetër dialogu?

Jo, deri tani asgjë. Sepse secili mbajti qëndrimin e vet. Unë ju thashë: Ligësia serbe kërkon kohë. Por, serbët po lodhen kot. Asgjë nuk mund t'u bëjnë më shqiptarëve. Dhe qëndrimi i Albin Kurtit është qëndrimi dinjitoz i kryeministrit të një shteti që është fitues në luftë kundër Serbisë në fitimin e pavarësisë së vet.

-Ndërkohë një temë e diskutuar këto ditë ka qenë draft-statuti i Asociacionit, për të cilën është kërkuar të mos jepen detaje. A mund të ketë elemente në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës?

Fakti që mbahet sekret diçka antishqiptare ka brenda tij; ose janë duke bindur Beogradin për të njohur realitetin historik. Megjithatë duhet parë kur të botohet normalisht. Por na duhet të theksojmë se... Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë filozofinë e tyre të rrënjosur te Pavarësia e Kosovës, pavarësi kjo e fituar në një Luftë Botërore, ku forca ushtarake e NATO-s me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bombardoi Beogradin dhe çliroi shtetin e Kosovës. Ky është gjykimi absolut i kësaj kohe. Të tjerat janë fjalë pa asnjë vlerë historike.

-Po raportet e ngushta të kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç si shihni? Si e komentoni këtë raport? A do të duhej të ishte Shqipëria krah Kosovës?

Nuk di çfarë të them, sepse duhet të shohim qëndrimet e kryeministri të Shqipërisë. Dyshim mund të ketë. Por kryeministri i Shqipërisë nuk ka asnjë gjë në dorë në lidhje me shtetin e Kosovës. Kryesorët në këtë kohë janë: Kuvendi i Kosovës dhe qeveria e Kosovës. Por, gjithsesi, akti politik i kryeministrit të Shqipërisë në lidhje ne shtetin shqiptar të Kosovës, duhet parë në çdo çast të marrëdhënieve mes dy shteteve shqiptare, sepse ka rëndësi të veçantë. Unë deri tani po e shoh me vëmendje marrëdhëniet Rama- Vuçiç, por pavarësisht nga ndonjë rast jo shumë i qartë, nuk mund ta dimë saktë: jemi në politikë apo në një shkelje të interesit kombëtar nga kryeministri Rama. Të shohim më tej...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat