Kryetari i Hanit të Elezit flet për punët dhe sfidat e komunës, si dhe komenton zhvillimet e fundit politike

Intervista

Kryetari i Hanit të Elezit flet për punët dhe sfidat e komunës, si dhe komenton zhvillimet e fundit politike

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 30 nëntor 2023 Në ora: 16:11
Mehmet Ballazhi

Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi në një intervistë për “Bota sot” ka folur mbi punët dhe sfidat në komunën ku ai udhëheq.

Ai ka thënë se me ardhjen e tij në krye të komunës së Hanit të Elezit ka nisur punën duke realizuar disa nga objektivat e tij të premtuara gjatë fushatës.

Ballazhi si sfidë kryesore thotë se ka qenë buxheti i limituar nga qeveria.

Kurse, sa i përket bashkëpunimit me qeverinë, ai pret akoma më shumë.

Për qeverisjen e Kurti, thotë se po vërehet një pasivizim i madh në të gjitha proceset, si në politikën e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme.

Për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës, Ballazhi thotë Vuçiq e ka gjetur hapësirën që brenda pak kohësh të drejtojë kërcënime kaq të hapura ndaj vendit tonë.

Edhe për Asociacionin, ai thotë se nuk duhet formuar dhe është akoma më I dëmshëm se ai i

vitit 2015.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si është gjendja aktuale në qytetin e Hanit të Elezit, a mendoni se ju keni sjellë lehtësim sado pak qytetarëve?

Mehmet Ballazhi: Çdo ndryshim është i nevojshëm. E njëjta gjë ka ndodh edhe me marrjen e mandatit në dhjetor 2021, i cili është pritur me entuziazëm nga banorët. Veprimi i parë i imi si Kryetar Komune ka qenë ndarja 50/50 e drejtorive në baza gjinore.

Për herë të parë në Han të Elezit ka mbizotëruar atmosfera festive si në festat e fund vitit, gjithashtu edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit, ku kemi bërë dekorimin e qytetit në fund vit dhe ndriçimin e minareve të xhamive në muajin Ramazan.

Kemi realizuar kontratat kolektive me vlerë afër 172 mijë €, obligime këto të viteve 2018-2019-2020 për mësimdhënësit/et.

Janë realizuar shujtat e administratës komunale.

Kemi funksionalizuar Ambulanten Mjekësore Familjare në fshatin Gorancë, kemi funksionalizuar sektorin e stomatologjisë në QMKF, kemi bërë asgjësimin e 2250kg barna të skaduara të grumbulluara për një dekadë në QKMF nga viti 2012, si pasojë e keq menaxhimit.

Janë kryer obligimet e papaguara (borxhet) e grumbulluara për vite me radhë në shumë mbi 228 mijë € nga viti 2016 deri në vitin 2021.

Kemi rritë numrin e dëgjimeve buxhetore gjithsej në 11, ku kemi përfshirë kategori të ndryshme, fusha të ndryshme, e që numërojnë afër 300 pjesëmarrës në vit tek të cilët kemi rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në planifikimet buxhetore, me ç ‘rast mbi 90% e propozimeve të qytetarëve janë përfshirë në projekt buxhetin pasardhës.

Për këto dy vite, në qytetin tonë ku kanë munguar hapësirat rekreative, ne kemi arritur që të hartojmë, projektojmë, dhe ndërtojmë deri më tani katër parqe, ku përfshijnë shtigje për ecje e vrapim, kënde të lojërave për fëmijë, hapësira për rini, hapësira për moshat e shtyra, pra në përgjithësi hapësira rekreative familjare.

Kemi investuar në ujin e pijes në fshatin Gorancë, kemi bërë hapin e rëndësishëm për ta dhënë në menaxhim fabrikën për përpunimin e ujit që gjendet në fshatin Dimcë e që furnizon pjesën më të madhe të qytetit, projekt ky që është në fazën e fundit të funksionalizimit në tërësi si proces, pra jemi në përfundim të vendosjes së orëve të matjes, dhe evidentimit të keqpërdorimeve, e më pas problemit prej 2 dekadash pa furnizim me ujë të pijes në pjesën më të madhe të qytetit, do t'i vjen fundi. Gjithashtu kemi rritur shtrirjen e ndriçimit publik në të gjitha rrugët dhe rrugicat. Kemi bërë eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave.

Janë shtruar rrugë e rrugica të reja.

Është rritur siguria në komunitet, me ndërtimin e një aneks ure mbi lumin Lepenc me vlerë 43 mijë €, po ashtu kemi hartuar dy projekte të mbikalimeve tek hekurudha për dy lokacione të ndryshme.

Janë shtuar aktivitetet rinore, kulturore e artistike, me ç ‘rast vlen të përmendet se kemi krijuar Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar, i cili do të jetë tradicional.

Është rritur shuma e mbështetjes financiare për OJQ-të kulturore, rinore e sportive, ku me këtë rast edhe janë funksionalizuar shumë ekipe, si ekipi i volejbollit, ekipet e karatesë, etj.

Janë mbështetur financiarisht kategoritë e ndryshme të shoqërisë, si Shoqata Handikos, Shoqata e Pensionerëve, familjet e Dëshmorëve, KVRL, si dhe kemi rritur për 10 numrin e studentëve që përfitojnë bursën komunale duke përfshirë edhe studentët që studiojnë në universitete publike në shtetet fqinje, kemi digjitalizuar shkollat, kemi rregulluar infrastrukturën shkollore në të gjitha shkollat, po punohet në vendosjen e ashensorit në SHFMU “Ilaz Thaçi”, janë ndërtuar shkallët emergjente në të gjitha shkollat, gjithashtu kemi mbështetur financiarisht projektin “Komunat për të Rinjtë – M4Y” etj.

“Bota sot”: A keni arritur deri tani të realizoni planin tuaj për qytetin e Hanit të Elezit?

Mehmet Ballazhi: Jemi vetëm në fund të vitit të dytë të qeverisjes lokale dhe qysh në qershor, sipas institutit GAP, e cila merret me monitorimin e komunave, përkatësisht mbi atë se sa kryetarët e komunave kanë arritur t'i realizojnë premtimet e tyre gjatë fushatave zgjedhore, e të cilat unë preferoj t'i quaj objektiva të mia, jo premtime. Sipas raportit të Institutit GAP, rezulton se komuna e Hanit të Elezit, nga dhjetor 2021 deri qershor 2023, nga gjithsej 78 objektiva që i kam caktuar për mandatin katërvjeçar, kemi arritur që rreth 75% e objektivave janë në fazë të implementimit, gjysmë të përmbushura dhe të përmbushura në të gjitha fushat.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat që keni hasur gjatë kësaj periudhe qeverisëse?

Mehmet Ballazhi: Sfidë për realizimin e objektivave të mia ka qenë buxheti i limituar, ku në vitin 2022 për investime kapitale sipa Lisgjit të Buxhetit kemi pasur vetëm 270 mijë € nga Granti Qeveritar dhe 200 mijë € nga Të Hyrat Vetanake, kurse për vitin aktual kemi pasur në dispozicion 985 mijë €, e që janë shumë pak në krahasim me ato se çfarë ne kemi synim t’i realizojmë.

“Bota sot”: Çka ju pret në të ardhmen?

Mehmet Ballazhi: E ardhmja është pikësynim për ta përmirësuar gjendjen e tanishme, e për ta bërë qytetin një vend ku të rinjtë i qëndrojnë besnik. Jam ithtar i asaj që ka thënë ish presidenti amerikan Ëinston Churchill, "Politikani bëhet burrë shteti kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm, e jo për zgjedhjet e ardhshme." Kur kam emëruar ekipin tim qeverisës, përveçse ndarjes së barabartë gjinore në pozitat udhëheqëse, një cilësi tjetër ka qenë se mosha mesatare ishte 37 vjeç. Me përvojën e të vjetërve dhe entuziazmin e rinisë, çdo qytet mund të lulëzojë. Andaj fokusi im i veçantë është rinia.

“Bota sot”: A jeni të kënaqur me bashkëpunimin me pushtetin qendror?

Mehmet Ballazhi: Hani i Elezit si qytet i vogël i Republikës së Kosovës, por me një rëndësi të madhe si qytet kufitar, jemi edhe pasqyra e parë e shtetit të Kosovës për këdo që hyn nga pika kufitare me Maqedoninë e Veriut. Si i tillë, qyteti ynë ka nevojë të jashtëzakonshme që të investohet sa më shumë, dhe siç themi vazhdimisht duke e bërë edhe një objektiv të qeverisjes sime lokale, është që Hani i Elezit të kthehet në një vendqëndrim e jo vetëm në një vendkalim. Që në ditët e para të marrjes së mandatit, ne kemi dërguar mesazh elektronik në të gjitha ministritë e Republikës së Kosovës, e po ashtu edhe tek të gjitha organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, gjithashtu edhe tek ambasadat e ndryshme në Kosovë, ku njëkohësisht kemi ofruar bashkëpunimin tonë dhe kemi kërkuar bashkëpunim edhe nga ana e tyre. Deri më tani, një numër i vogël na janë përgjigjur, vlen të theksoj MAPL dhe MMPHI, të cilët na kanë mbështetur në disa projekte, por ne kemi nevojë për shumë më shumë mbështetje, duke pasur parasysh që për vitin 2022 buxheti total ka qenë 2.7 milion €, në vitin 2023 është 3.3 milion €, e ndoshta shumë komuna tjera kaq sa ne e kemi buxhetit total, ata e kanë vetëm për një drejtori apo vetëm për një projekt.

“Bota sot”: Nëse mund të flasim pak për qeverisjen e Kurtit deri tani, si e keni parë ju?

Mehmet Ballazhi: Unë i takoj Partisë Demokratike të Kosovës dhe ne si parti kemi qenë shtet formuese dhe shtet ndërtuese. Është bërë ndryshim drastik për të mirë me udhëheqjen e PDK-së në institucionet qendrore. Dhe mendoj se me qeverisjen e Kurtit po vërehet një pasivizim i madh në të gjitha proceset, si në politikën e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme. Dhe këtë pasivizim e vërej edhe duke qëndruar në krye të Komunës së Hanit të Elezit, ku edhe jemi diskriminuar në mbështetjen financiare nga Qeveria e Ministritë, me përjashtim që MAPL-së dhe MMPHI-së që nuk i kanë kthyer duarbosh kërkesat tona për bashkëpunim, megjithatë për një pikë me rëndësi të Kosovës, si pikë kufitare, është shumë pak në krahasim me atë se çfarë kemi nevojë, shto kësaj edhe ndarjes së kufizuar buxhetore që kemi në çdo vit fiskal.

“Bota sot”: Si po qëndron Kurti në raport me Vuçiqin dhe si i keni parë kërcënimet e vazhdueshme serbe në drejtim të Kosovës?

Mehmet Ballazhi: Di të them, që hapësirën që Vuçiç e ka gjetur që brenda pak kohësh të drejtojë kërcënime kaq të hapura ndaj shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, nuk e ka pasur këtë guxim që ta bëjë deri në pushtetin e kryeministrit Kurti, e që fatkeqësisht ndodhi edhe rasti në Banjskë, ku ra dëshmor polici Afrim Bunjaku. Duhet një guxim i madh dhe një vendosmëri më këmbëngulëse e përfaqësuesve të Kosovës në takimet me Serbinë, e që mendoj se z.Kurti nuk po e ka mjaftueshëm këtë guxim dhe vendosmëri.

“Bota sot”: Si po e shihni në opozitë karshi pozitës?

Mehmet Ballazhi: Qeverisjen lokale në Han të Elezit e kemi nën petkun e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe unë si pjesë e PDK-së që nga fillimet e saja, tanimë jemi opozitë e qeverisjes aktuale qendrore në të gjitha proceset që mendojmë që nuk janë në të mirën e Kosovës. Siç e thash edhe më herët, PDK është parti shtet formuese dhe shtet ndërtuese, e cila ka qenë nismëtare e shumë proceseve me rëndësi, duke i vendosur theks të veçantë Pavarësisë së Kosovës e arritur nën qeverisjen e PDK-së me në krye të Qeverisë, kryeministrin Hashim Thaçi gjatë asaj kohe asaj kohe. Duke bërë krahasimin mes arritjeve të PDK-së gjatë kohës sa ishte pjesë e pozitës në institucionet qendrore me të arriturat e tanishme, padyshim se shoh një hendek të madh ku Kosova ka ngecur në shtyrjen e proceseve para, pothuajse në të gjitha fushat.

“Bota sot”: A duhet formuar Asociacioni dhe nëse po me çfarë kusht?

Mehmet Ballazhi: Asociacioni i rikrijuar në udhëheqjen e Kurtit është shumë më e dëmshme se sa ajo e vitit 2015 dhe me ato kushte të arritura nga nënshkrimi i aneks marrëveshja në Ohër, do të jetë dëmtim dhe zhbërje e integritetit të Republikës së Kosovës, dhe me këtë rast po të impelmentohet dëshira e kryekriminelit ballkanas Sllobodan Millosheviq se aty ku është një serb, aty quhet Serbi. Sipas Asociacionit të 2015-tës, një Asociacion të tillë ne veçse e kemi me 33 komunat e Kosovës, do të thotë një organizatë ku të gjithë kryetarët e komunave ndërtojnë politika në favor të komunave, dhe sipas asociacionit të 2015-të, ishte që këtij Asociacioni t’iu bashkohen edhe komunat me shumicë serbe, si një e keqe por që ishte më pak e dëmshme në krahasim me atë se çfarë është arritur sipas aneks marrëveshjes së Ohrit, ku krijohet hapësira për një asociacion serb brenda Kosovës dhe ky është dëm i cili nuk ia vlen për asnjë përfitim “të premtuar” nga ndërkombëtarët se do të fitojë Kosova me zbatimin e saj.

“Bota sot”: A do të kandidoni sërish për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme?

Mehmet Ballazhi: Kandidimi për kryetar komune, por edhe për çdo pozitë politike udhëheqëse, qoftë asamble, apo edhe për në Parlament, nuk duhet të jetë çështje dëshire, e aq më tepër asnjëherë çështje lakmie. Edhe gjatë diskutimeve të përditshme me stafin tim qeverisës ju them se ju jeni shërbëtorë të banorëve, kurse kryetari i komunës është kryeshërbëtor i tyre. Ky është mandati im i parë në qeverisjen lokale dhe me zbatimin e politikave të mia, kemi arritur të kryejmë punë që janë lënë pezull me dekada e vite të tëra, kemi bërë gjithëpërfshirës në zbatimin e projekteve të ndryshme, e për të cilat disa nga to i kam përmendur edhe në fillim. Dhe me këtë rrugë, mandati i parë është hapje e rrugës për të arritur synimet për krijimin e kushteve më të mira për banorët. Një Kryetari të mirë me buxhet të mjaftueshëm komunal i mjaftojnë ndoshta edhe një mandat për të bërë ndryshim drastik, por në rastin e komunës Hani i Elezit, ku e kemi gjetur me shumë probleme, borxhe dhe mangësi të shumta, ky mandat i parë ka filluar duke i eliminuar problemet, duke paguar borxhe e duke i shuar mangësitë dhe me buxhetin e kufizuar, është problem që të arrihen të gjitha synimet që kam për Hanin e Elezit. Prandaj, mandatin e dytë e konsideroj të domosdoshëm , sepse vetëm në dy vite qeverisje ne kemi realizuar punë që nuk janë arritur me vite të tëra të ish qeverisjes., dhe kam vetëbesim të mjaftueshëm se mandati i dytë do të ishte mandat ku vërtet të gjithë kapacitetin do ta shfrytëzojmë vetëm për pikësynimet e objektivave qeverisëse, pa problemet e lëna nga ish qeverisja 12 vjeçare. Në këtë aspekt, mendoj se sistemi amerikan është i duhuri, më shumë se dy mandate për një person janë të tepërta dhe duhet të jetë lakmi e madhe personale e gjithsecilit që të “dëshirojë” mandat të tretë e të katërt, sepse edhe njeriu më i përsosur që gjendet në pozitë udhëheqëse në institucionet shtetërore, fillon e mendon se është pronë private dhe krijohet sistem diktatorial.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat