Këshilltarja e LDK-së flet për sukseset dhe sfidat në komunën e Prishtinës: Koalicioni qeverisës, në koordinim të plotë

Intervista

Këshilltarja e LDK-së flet për sukseset dhe sfidat në komunën e Prishtinës: Koalicioni qeverisës, në koordinim të plotë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 3 dhjetor 2023 Në ora: 08:04
Fiknete Bejta

Fiknete Bejta, këshilltare e LDK-së në Komunën e Prishtinës në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, ka treguar projektet dhe sukseset që kanë shënuar këtë komunë gjatë vitit 2023.

Sipas saj, ky vit ka qenë një ndër vitet më të suksesshme në komunën e Prishtinës sa i përket realizimit të projekteve.

Ajo ka folur edhe për raportet e koalicionit qeverisës, duke mohuar ҫdo krisje të mundshme.

Ndërkaq thotë se Komuna e Prishtinës nuk është e kënaqur me buxhetin e ndarë nga qeveria, dhe se i njëjti transferohet me vonesë, duke ua pamundësuar shumë projekte.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si po ecën me udhëheqjen e Komunës së Prishtinës?

Bejta: Ky vit ka qenë një prej viteve më të suksesshme në komunën e Prishtinës sa i përket realizimeve të projekteve por ka pasur edhe sfida jo te pakta. Është realizuar një mori e projekteve në të gjitha fushat që përfshinë qeverisja komunale si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, bujqësi e kulturë etj.

“Bota sot”: Cilat mund të shënohen si sukseset më të mëdha të Komunës së Prishtinës për vitin 2023?

Bejta: Si rezultat i dy viteve të angazhimit në shërbim të qytetit dhe të fshatrave të Komunës së Prishtinës konstatojmë një mori të punëve dhe projekteve të përmbyllura, të atyre që janë në stade të ndryshme të zhvillimit, si dhe të planifikimit.

Një prej projekteve infrastrukturore kemi ndërtimin e Rrugës ‘A’. Mes shumë rrugëve të ndërtuara e në ndërtim, është edhe rruga “Muharrem Fejza’. Nënshkrimi i kredisë së butë me BERZh-in për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike, kurse Termokosi ka arritur të kyq nē sistem të ngrohjes edhe 40 mijë njësi banimi.

Shumë nga hapësirat, rrugët, trotuaret e sheshet publike janë liruar nga uzurpimi i paligjshëm. Ndër ta është atriumi i Pallatit të Rinisë. Janë hequr e po hiqen shitësit ambulantë, ndërtesat e braktisura po revitalizohen dhe po profilizohen. Ndër këto vlen të përmenden Tullëtorja, ish-bibilioteka ‘Hivzi Sulejmani’, si dhe ish-kinema Rinia, që kthehet në pronësi të Kryeqytetit.

Pocesi për një revilatizim dinjitoz të Tregut të Gjelbër është inicuar, kemi ndarë lokacionin për Liceun Artistik dhe kemi bërë ndërhyrje infrastrukturore në shumicën e shkollave në gjithë terrirorin e Komunës, kemi subvencionuar shtimin e serrave në zonat rurale, kemi të dhëna empirike për jetësimin e Unazës së Brendshme të qytetit, si dhe po i shtojmë bashkësitë lokale në fshatra e në lagje të qytetit.

Është ndërtuar shkolla e re në Vranidoll, kanë filluar të ndërtohen edhe 5 ҫerdhe si dhe është ndërtuar QMF-ja në Veternik.

Në fushën e kulturës në këto dy vite Prishtina pati një verë si kurrë më parë – festivale që Prishtinën e vunë në qendër të mediave botërore, arritje e madhe kjo për ndryshimin dhe ndërtimin e një imazhi të ri ndërkombëtar të Kosovës. Ndër këto festivale është Manifesta, bienalja që ende vazhdon duke sjellë artistë me renome botërore. Bashkëpunime ndërkombëtare na sollën edhe festivali Ramë Lahaj and Friends si dhe Chopin Piano Fest. Jo më pak të rëndësishme për kulturën kombëtare ishin festivali i Gastronomisë ose i EtnoFestit, të sponsorizuara nga institucioni ynë.

Megjithëse të ndara në sektorë të veçantë, projektet asnjëherë nuk janë veç infrastrukturore, shëndetësore, kulturore, ose bujqësore fjala vjen. E përbashkëta kryesore e të gjithave është se përmirësojnë dhe e shtojnë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.

Jemi të vetëdijshëm se edhe shumë punë, të vogla e të mëdha, i kemi përpara.

“Bota sot”: U përmend një krisje në koalicionin udhëheqës në komunë, ҫfarë ka të vërtetë në këtë?

Bejta: Jo, kjo s’ka të bëjë asgjë me realitetin, kryetari Rama udhëheq një ekip dhe me vullnet për të punuar për të mirën e qytetit. Koalicioni është në koordinim të plotë.

“Bota sot”: Pati shumë ankesa për gjendjen e stadiumit Fadil Vokrri. Si iu përgjigjet komuna këtyre kritikave?

Bejta: Fusha e futbollit mbikëqyret nga Federata e Futbollit të Kosovës, pra është në menaxhim të tyre, mirëpo e dimë të gjithë që gjendja e stadiumit është në gjendje shumë e keqe për arsye se çdo ndeshje ndërkombëtare jo vetëm e Kosovës por edhe të skuadrave që kanë lojëra ndërkombëtare i luajnë aty, pra është e stërngarkuar. Dhe për këtë kryetari Rama po angazhohet për ndërtimin e një stadiumi të ri të futbollit në Bërnicë, e cili ka me qenë pjesë e fshatit olimpik.

“Bota sot”: Sa është e kënaqur Komuna e Prishtinës me ndarjen buxhetore për vitin 2024?

Bejta: Nuk ka projekte të mjaftueshme nga Qeveria për kryeqytetin, nuk është prioritet ndihma për ndërtimin e unazës së jashtme ose Unaza e Re si dhe ka vonesa të mëdha në bartjen e buxhetit. Qasja në buxhetin që bartet nga niveli qendror në atë lokal, kemi pasë dy vjet me radhë, vitin e kaluar është bartur vonë në korrik, një pjesë është bartur edhe në nëntor. Është bartje e buxhetit në një kohë kur nuk të lë të veprosh, e dimë se aspektet prokurimit kërkojnë kohë, mjetet munden të barten nga 15 prilli, por kjo po ndodhë në korrik ose në gusht.

“Bota sot”: Duke qenë se jeni pjesë e LDK-së, a do të përfshiheni për pozita udhëheqëse në zgjedhjet që janë mbajtur brenda partisë?

Bejta: Në këtë proces zgjedhor, i cili ishte në nivelin më të lartë demokratik, kishte garë e festë, unë kam garuar në degë e pestë të LDK-së. Nē Kuvendin e X që u mbajtë me propozim të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe me votimin e delegatëve unë jam zgjedhur Anëtare e Këshillit të Përgjithshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat