Malaj për draftin e BE-së: Nuk mund të them që ka apo s’ka elemente të propozuara nga Rama

Intervista

Malaj për draftin e BE-së: Nuk mund të them që ka apo s’ka elemente të propozuara nga Rama

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 10:11
Petrit Malaj

Petrit Malaj ka pak më tepër se një muaj prej që ka marrë detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë.

Për këtë periudhë ai ka zhvilluar një mori takimesh me drejtues institucionalë e politikë.

Në intervistën për klank, diplomati shqiptar ka treguar se kudo që ka shkuar, pritja ka qenë sa vëllazërore aq edhe diplomatike. Duke qenë se në Prishtinë ka ardhur në një periudhë kur raportet Kosovë – Shqipëri janë të diskutueshme, ai e thotë krejt diçka tjetër për këtë marrëdhënie.

“Marrëdhëniet janë shumë të mira mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Kanë qenë të tilla dhe do të vazhdojnë të jenë. Marrëdhëniet nuk përcaktohen nga një moment, fjali, apo term i caktuar në një moment të caktuar. Marrëdhëniet janë gjithëpërfshirëse, marrëdhëniet ka qenë historike dhe marrëdhënie të tilla do të jenë”, është shprehur ai.

Malaj thekson se Shqipëria mbështet Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe këtë, ai shton se kujdeset ta bëjë kryeministri Edi Rama.

E kishte Shqipëria të pashmangshme që të dorëzonte dhe draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?

Përmban diçka dokumenti evropian nga propozimi i Shqipërisë?

Çfarë thotë Malaj për nismat rajonale?

Intervista e plotë:

Dua ta nis këtë intervistë duke shprehur ngushëllime për një humbje të madhe që pati shqiptaria – vdekjen e artistit të madh, Mirush Kabashit. Ju padyshim e keni njohur më ndryshe, por mund të themi se ishte i rrallë e është i pazëvendësueshëm.

Petrit Malaj: Shumë faleminderit! E kam përjetuar keq këtë moment sepse kam qenë larg tij, si të thuash për të marrë pjesë edhe në homazhet që u zhvilluan. E kisha koleg, koleg qoftë në fushën e aktrimit, në kinema, por nga ana tjetër e kam pasur koleg në fakultet ku ai ka dhënë mësim pikërisht lëndën e mjeshtërisë së aktorit me studentët. Unë mund të them kaq, që arti shqiptar padyshim që këto dy ditë ka qenë në zi dhe ka pasur një humbje shumë të madhe me artistin e madh, me aktorin e madh, brilant do ta quaja Mirush Kabashi.

Unë i shpreh ngushëllime familjes. Por kjo nuk është humbje vetëm për familjen, por është humbje e madhe edhe për komunitetin artistik, jo vetëm në Tiranë, por mbarë hapësirës shqiptare. Biles mund ta themi se ai ishte një përfaqësues i denjë i aktrimit shqiptar. Kudo që ka shkuar ka lënë gjurmë të fuqishme me veprat e tij, me krijimtarinë e tij – interpretimet e tij, qoftë në film, qoftë në teatër, apo edhe në interpretimet tjera, si poezi dhe poema të ndryshme që i kishte për zemër, dhe në fakt ka ngacmuar dhe ka provokuar pozitivisht, do të thoja në fenomene dhe ngjarje të veçanta.

Ka një muaj e ca ditë prej kur keni dorëzuar letrat kredenciale te presidentja Vjosa Osmani. Çfarë keni parë përgjatë kësaj periudhe? Çfarë ju ka rënë në sy këtu në Kosovë?

Petrit Malaj: Një muaj është pak. Kam një muaj… kam një muaj që kam dorëzuar letrat kredenciale dhe menjëherë kam filluar procesin e njohjes të disa situatave, momenteve, personave – qoftë zyrtarë, shoqëri civile apo parti opozitare. Kam pasur një dinamikë të ngarkuar. Ngarkesa ka qenë shumë e madhe. Përveç takimeve me spektrin politik në Kosovë, kam takime të vazhdueshme edhe me përfaqësi diplomatike, kolegët e mi ambasadorë, që nga QUINT-I, me radhë rajoni, duke shkuar edhe më tej edhe me vendet… do të kem takime në të ardhmen edhe me vende që nuk e kanë njohur Kosovën.

Keni ardhur Ambasador i Shqipërisë në Kosovë në një periudhë kur raportet në mes të dy shteteve nuk është se shndritin. Cili është vizioni juaj? Si shihni që ta çoni në një nivel tjetër këtë marrëdhënie? Edhe nga opozita thoni se kanë këtë vlerësim, ngase ata janë kritikuesit më të mëdhenj për një katandisje?

Petrit Malaj: Nuk kam marrë nga ndonjë parti opozitare që të më thonë që marrëdhëniet nuk janë në cilësinë e duhur. Flas atë që kam komunikuar me kryetarët e partive, ata biles e vlerësojnë dhe do ta vlerësojnë këtë gjë në të ardhmen. Një gjë mund të jetë e vërtetë; secili prej tyre apo prej nesh mund të kërkojnë që marrëdhëniet të njohin hapa të tjerë që janë të domosdoshëm. Shqipëria është bërë një faktor i rëndësishëm, jo vetëm në Ballkan, por edhe më tej.

Në rajon Shqipëria është anëtare e NATO-s, anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, është një vend i cili ka përkrahur dhe ka dhënë shenja të duhura të normalizimit të situatave të cilat kanë shprehur pasiguri në Ballkan dhe këtë gjë e ka bërë edhe me Republikën e Kosovës apo me presionin që ka bërë edhe karshi Republikës së Serbisë, në atë kuptim që dialogu duhet të ecë, marrëveshjet duhet respektuar, komuniteti ndërkombëtar duhet të dëgjohet dhe gjithçka duhet të shkojë përpara.

Me profesion jeni artist, aktor. Edhe diplomacia është art, apo jo?! Do t’i jepni një nuancë marrëdhënies Kosovë-Shqipëri? Ju e përmendët por edhe ne kemi parë që ditët e fundit i keni intensifikuar takimet me drejtues institucionalë e partiakë. Në këto takime, pritja ka qenë më tepër diplomatike apo vëllazërore?

Petrit Malaj: Absolutisht kanë qenë të dyja. Di të them që pritjet kanë qenë vëllazërore, mbresëlënëse. Unë e kam ndier veten në mënyrë të shkëlqyer në Kosovë.

Kam pasur, vazhdojë të kem takime dhe do të kem takime të shumta, me të gjithë spektrin politik, me përfaqësi diplomatike e shoqërinë civile… Do komunikoj me të gjithë ata që mendoj që mendojnë se japin vlerë, apo i japin një pikë të çmuar kësaj marrëdhënieje vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Këmbëngulni se raportet Tiranë-Prishtinë janë siç duhet. Ka qenë traditë prej vitesh mbajtja e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive që këtë vit ishte gjithçka e përgatitur që të mbahej në Gjakovë. Mendoni se anulimi në momentet e fundit tregon normalitet?

Petrit Malaj: Normale është, që do bëhet mbledhja e dy qeverive.

Por koha s’mund të kthehet pas. Çfarë ka shkuar, ka shkuar.

Aktorë të shoqërisë civile, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, komentojnë shpesh njëfarë rivaliteti në mes të Kurtit dhe Ramës për “babën e kombit”. Shihni ju diçka diçka prej kësaj?

Petrit Malaj: Unë nuk e ndjej këtë gjë, absolutisht kam qetësinë e duhur për këtë gjë. Raporti në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është një raport jetësor, një raport i patjetërsueshëm i cili ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë përsëri. Nuk më pëlqen të flas për momente, të cilat nuk e ndihmojnë këtë realitet. Pra, ne në qoftë se shprehemi nuk e ndihmojmë, por nga ana tjetër di të them që dinamika e komunikimit mes shteteve tona është në nivele për ta përgëzuar. Vizitat e ndërsjella qoftë në Prishtinë qoftë në Tiranë… ka pasë edhe ditët e fundit dhe do të ketë edhe në fillim të vitit të ardhshëm.

Këto të fundit ishin gjatë festës së 28 Nëntorit. Të pashmangshme për secilën palë në një ditë kaq të rëndësishme.

Petrit Malaj: Qoftë edhe për festën. Di të them që kam takuar presidenten, kryeministrin, ministra, ku flasin për gjëra reale, ekzistenciale, në këto marrëdhënie që e ndihmojnë bashkëpunimin tonë.

Një pikë tjetër është bashkëpunimi ekonomik. Muajt e fundit kemi parë rritje të shkëmbimeve tregtare. Por sikur kjo rritje po vjen pas një mase që Kosova ia ka vendosur Serbisë?

Nga informacionet që kemi padyshim, ka rritje të shkëmbimeve tregtare nga viti në vit. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por ne duhet të vlerësojmë këtë që qëllimi jonë i përbashkët është që këto shkëmbime tregtare në mes dy vendeve tona të njohin vetëm rritje. Arsyet pastaj vlejnë të diskutohen nga ekspertë të posaçëm. Ne duhet të përdorim çdo mekanizëm që këto shkëmbime të njohin veç një diagram rritjeje dhe asgjë tjetër.

Kosova ndodhet në një proces dialogu me Serbinë prej mbi një dekade. Çfarë është duke bërë Shqipëria për ta ndihmuar Kosovën që të dalë sa më mirë nga ky dialog? Një çështje kyçe në këtë dialog duket të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Shqipëria ka dorëzuar një propozim për këtë, që në Prishtinë është komentuar si një veprim i njëanshëm. Ishte e pashmangshme për Tiranën që ta përpilonte një propozim të tillë?

Petrit Malaj: Kjo ka qenë një ide e kryeministrit Rama e cila ka gjetur përshëndetjen e vendeve të ndryshme të BE-së. Le të flasim realisht për një draft që ka ardhur nga BE i cili në fund të fundit ka ardhur në një moment të rëndësishëm të kësaj marrëdhënieje dhe cili përbën një detyrim për t’u formuar në Kosovë. Por gjithmonë dhe Shqipëria i ka mëshuar fort kësaj gjëje gjithmonë në unison me Kushtetutën e Kosovës, pa e cenuar Kushtetutën dhe jashtë kompetencave ekzekutive të këtij asociacioni.

Ka një draft evropian që tashmë qarkullon edhe këtu. E keni lexuar ju, keni parë aty ndonjë element të përfshirë nga propozimi i Ramës?

Petrit Malaj: Jo, nuk mund të them. Drafti është i BE-së. Nuk mund të them që ka apo s’ka elemente të propozimit të mëparshëm, por di të them që drafti ka gjetur mbështetje edhe në realitetin në Kosovë. Edhe forcat opozitare e kanë mbështetur. Ajo që kanë të drejtë të gjithë të thonë që ajo duhet të jetë konform Kushtetutës së Kosovës dhe këtë e ka thënë fort qartë edhe aleati ynë kryesor ShBA, që drafti nuk duhet të ketë dhe nuk ka kompetenca kushtetuese. Nga ana tjetër ai do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të marrë edhe viston përfundimtare.

Nëse flasim për nismat rajonale, ku është fokusi dhe a ka ‘vdekur’ Ballkani i Hapur? Vazhdon Shqipëria të angazhohet në kuadër të saj? Vlen kjo edhe për Ballkanin e Hapur?

Petrit Malaj: Nuk e shikoj të rrugës të diskutojmë sot për Ballkanin e Hapur pasi jemi në një qasje tjetër pikërisht me Procesin e Berlinit, ku Shqipëria përpiqet çdo ditë e më tepër ta mbështesë Kosovën në të gjitha nismat, e ka bërë, e bën dhe do ta bëjë gjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat