“Letra e Gërvallës erdhi me vonesë”, Knaus zbulon a do të jetë Kosova në agjendën e KiE-së nesër

Intervista

“Letra e Gërvallës erdhi me vonesë”, Knaus zbulon a do të jetë Kosova në agjendën e KiE-së nesër

Më: 16 maj 2024 Në ora: 12:04
Gerald Knaus

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se nuk pret që Kosova të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Mendoj se letra ka ardhur pak me vonesë”, thotë Knaus, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së.

“Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti - me shpresë brenda disa javësh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave.

Ndërkohë, disa vende si Gjermania dhe Franca kanë kërkuar nga Kosova që të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në KiE.

Qeveria e Kosovës, fillimisht, e ka refuzuar këtë kusht.

Radio Evropa e Lirë: Kosova është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim. A është një ndryshues loje ky hap?

Gerald Knaus: Do të duhej të ishte ndryshues loje. Le të jemi të qartë se cili ka qenë qëndrimi i Kosovës dhe i demokracive evropiane. Kosova është zotuar në letrën e tri institucioneve të saj - presidenti, kryeministri dhe kryetari i Parlamentit - drejtuar Këshillit të Evropës, se do të ndërmarrë një hap për ta bërë këtë të mundur sa më shpejt. Por, në letër nuk thuhet se ky asociacion duhet të jetë i tillë që të pranohet nga [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, sepse nuk do të ketë kurrë një të tillë.

Andaj, me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një drafti që kanë hartuar dy institutet më të shquara në Evropë - Instituti Evropian për Paqe dhe organizata Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) - Kosova e përmbush obligimin e saj. Pastaj, u takon komunave me shumicë serbe të thonë se duan ta krijojnë këtë asociacion. Nëse nuk duan ta krijojnë, ai nuk mund t’iu imponohet. Por, Kosova e ka përmbushur obligimin.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës duhet ta mbështesë pastaj votën në Asamblenë Parlamentare për pranimin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë shanset që Gjermania dhe Franca të binden me këtë draft?

Gerald Knaus: Demokracia dhe diplomacia kanë të bëjnë me argumente. Kosovës i duhen argumente të fuqishme dhe ajo i ka ato. Ka prej atyre që thonë se Serbia duhet të ketë veto. Ka prej atyre që fshihen pas kërkesës për Asociacionin. Ka prej atyre që e kanë përcjellë vizitën e Vuçiqit në Paris, ku ka thënë se do t’i kërkojë presidentit [të Francës, Emmanuel] Macron që të mos e lejojë hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke premtuar se do të blejë 12 avionë luftarakë, se do të nënshkruajë kontrata me biznesin francez.

Nëse ky lloj demokracie është i suksesshëm... unë nuk mendoj se është në interesin e Evropës.

Nuk mendoj se Franca - një demokraci krenare që e ka krijuar Këshillin e Evropës për t’i mbrojtur të drejtat dhe vlerat e njeriut - mund të manipulohet kaq lehtë nga presidenti serb.

Unë pres që të ketë debat. I takon Qeverisë së Kosovës që ta bindë secilin se është serioze. Ajo ka qenë serioze në muajt e fundit. Nëse kjo vazhdon, atëherë duhet dëgjuar raportuesen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, Dora Bakoyannis. Ajo vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën dhe në raportin e saj ka thënë se nuk ka pasur kandidate më të përgatitur se Kosova.

Radio Evropa e Lirë: Po BE-ja, a do ta pranojë këtë draft?

Gerald Knaus: BE-ja është një institucion më vete. Çështja kryesore ka të bëjë me Gjermaninë e Francën, si shtete anëtare të Këshillit të Evropës. BE-ja nuk mund të vendosë veto. Natyrisht, vendet mund të thonë se do ta injorojnë Asamblenë Parlamentare, por atëherë kjo bëhet krizë për Këshillin e Evropës, jo vetëm për Kosovën.

Nëse një proces që është meritokratik - sepse 82 për qind e Asamblesë Parlamentare ka votuar për Kosovën - anashkalohet, atëherë Këshilli i Evropës ka problem serioz me kredibilitetin.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta vendosë hapi i fundit Kosovën në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës të premten?

Gerald Knaus: Jo, mendoj se letra [e Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës] ka ardhur pak me vonesë. Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti - me shpresë brenda disa javësh.

Pra, nëse Kosova e dorëzon këtë draft në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç ka thënë tani, atëherë duhet të ketë së shpejti një samit dhe Kosova duhet të pranohet këtë verë.

Kjo duket reale tani. Merr kohë, sepse nuk është e lehtë për qeveritë në Evropë dhe në Prishtinë të gjejnë konsensus. Është vonë, por nuk është shumë vonë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni se do të ketë një takim të jashtëzakonshëm. Kur ka qenë hera e fundit që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës është mbledhur në takim të jashtëzakonshëm?

Gerald Knaus: Mesa e kujtoj, hera e fundit ka qenë për çështjen e përjashtimit të Rusisë, pas sulmit në Ukrainë. Pra, kjo ndodh për raste të mëdha, historike. Dhe Kosova tani duhet të argumentojë për pozitën e saj. Por, i ka edhe aleatët e saj në Evropë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, nëse nuk ka takim të jashtëzakonshëm, do të duhet të pritet deri në majin e ardhshëm?

Gerald Knaus: Nëse nuk ka takim të jashtëzakonshëm, atëherë kemi problem të vërtetë. Është shumë e rëndësishme të argumentohet tani. Është, po ashtu, e rëndësishme që vendet të thonë se me nismën për Asociacionin, me dërgimin e draftit në Gjykatën Kushtetuese, Kosova e ka përmbushur atë që i është kërkuar.

Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se [drafti] është kushtetues, atëherë topi kalon te komunat me shumicë serbe. Ato do të duhet ta krijojnë Asociacionin, sepse nuk mund t’iu imponohet. Dhe nëse nuk e krijojnë, ky nuk do të jetë faj i Qeverisë së Kosovës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat