Gjykata Speciale do të zbardhë të gjitha vrasjet, gjatë dhe pas luftës

Intervista

Gjykata Speciale do të zbardhë të gjitha vrasjet, gjatë dhe pas luftës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 13 korrik 2017 Në ora: 19:54
Melihate Termkolli

Në një intervistë ekskluzive për Bota sot, Melihate Termkolli anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka quajtur të neveritshme dhe të paskrupullta matematikat e dobëta, që po bëjnë partitë politike për formimin e qeverisë. Po ashtu, ajo ka folur edhe rreth mundësisë së hetimit të SHIK-ut nga një komision parlamentar duke thënë se hetimi i ish Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) nuk mund të behet në një Kuvend ku dominohet nga SHIK-u dhe se nuk mund të ketë hetime serioze. Ajo thotë se Gjykata Speciale do të zbardhë të gjitha vrasjet gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Bota sot: Ju nuk keni marr vota për deputete, çka mendoni si erdhi deri te kjo rënie?

Melihate Termkolli: Ashtu po duket, por me gjasë nuk isha as e “zgjedhura” e grupeve të caktuara, as merrem me biznese, as me ndonjë tregti, as jam aq e fortë në shtyrje me bërryla.  Në fakt puna ime në zgjedhje gjithmonë ka qenë dhe mbetet e orientuar në fitoren e LDK-së, në radhë të parë. Por nëse vërtetë ashtu kanë  vendosur qytetarët, në rregull, duhet pranuar e respektuar vullneti i qytetarëve.

Bota sot: Çka mendoni pse erdhi deri te arsyeja që LDK-ja te del e treta në zgjedhjet e 11 qershorit?

Melihate Termkolli: Për herë të parë në historinë 27 vjeçare të saj, LDK del e fundit me vota në një palë zgjedhje dhe për herë të parë në historinë e saj, shumë deputetë të zgjedhur ndihen, proklamohen e krekosen si fitues. Një absurd i padëgjuar deri tani në traditën politike të LDK-së! Janë shumë faktorë, të sotëm e të djeshëm pse LDK në zgjedhjet e 11 Qershorit doli e treta, pra e fundit, dhe atë duke qenë në koalicion me një parti tjetër dhe një grup alternativ. Shkaqet duhet kërkuar në radhë të parë në shkëputjen nga filozofia politike burimore e LDK, pra largimi nga rrënjët dhe identiteti politik e kombëtar, të ndërprerja e kontinuitetit, kohezionit politik e strukturor, koketimi me banda të veshura me petkun politik, largimi nga skena i njerëzve të fuqishëm të LDK dhe sigurisht edhe arsye tjera.

Bota sot: Mendoni se koalicioni më PDK-në pas zgjedhjeve te 2014 ka bërë që votuesit të ndihen të tradhtuar, dhe kështu LDK ka humb në vota?

Melihate Termkolli: Gjithsesi po, koalicioni edhe i 2007-tës por sidomos i 2014. Në fakt elektorati i LDK dhe qytetarët e panë pafuqinë dhe mungesën e lidershipit të LDK-së për ndryshimet e pritura në vend.  LDK, pas presidentit Rugova, nuk po arrin ende të shpërfaqë gjithë fuqinë e saj politike që e ka brenda vetes, gjithë potencialin e vlerave politike moderne, kombëtare e perëndimore. LDK është ngulfatur në politika ditore, teknika politike e qeverisëse, në mllefe e kapice individuale.

Bota sot: Si e vlerësoni aktualisht gjendjen e LDK-së. E shihni LDK në një koalicion qeverisës, apo në opozitë?

Melihate Termkolli: Kjo çështje besoj të vendoset nga mekanizmat përkatës statutar të LDK-së. Ndoshta në këto rrethana, nuk do të duhej përjashtuar edhe qëndrimi në opozitë, ani pse synimi i çdo partie është pushteti. Vendimi për këtë sigurisht do të merret në kohën e duhur.

Bota sot: A mendoni se LDK-ja ka nevojë për ristrukturim të partisë përfshirë edhe strukturat udhëheqëse të saj?

Melihate Termkolli: LDK ka nevojë për ribërje. Me gjithë të metat, LDK mbetet forca politike me brumin më të pastër dhe më modern në ndërtimin dhe forcimin e shtetit, në realizimin e interesave të qytetarëve të Kosovës dhe integrimet euro-atlantike.

Bota sot: Koalicioni fitues i zgjedhjeve është PAN. Mendoni se ky koalicion dhe i nominuari për kryeministër Ramush Haradinaj do të formojnë qeverinë?

MelihateTermkolli: Vështirë, por jo e pamundur, mirëpo edhe nëse bëhet mendoj se nuk mund të jetë shumë jetëgjatë.

Bota sot: Çfarë mendimi keni për politikat e Vetëvendosjes. Ata në shumë raste janë parë si gjuajtës gazi dhe prishës të rendit dhe qetësisë, por populli i votoj ata. Çka mendoni për ketë?

Melihate Termkolli: Vetëvendosje fitoi më së tepërmi në këto zgjedhje dhe atë si e vetme pa koalicion me askënd, por para së gjithash humbi shumë PDK, humbi LDK, AAK.

Bota sot: A mendoni se LDK prapë do të bëjë koalicion më PAN, dhe a do të ishit kundër një koalicioni të tillë?

 Melihate Ternkolli: LDK nuk do të bëjë koalicion me PAN, nuk e besoj. Janë të neveritshme dhe të paskrupullta këto matematika të dobëta që po bën pothuaj secili për formim të qeverisë, për numra. Jemi shndërruar veç në numra. Natyrisht që numrat kanë rëndësi por vetëm kur janë në funksion të parimeve e vlerave të caktuara politike e shtetërore. Asnjëherë nuk kam përkrahur ngatërrimin e këtyre vlerave, prandaj nuk do ta bëja as në rastin e tanishëm.

Bota sot: Funksionalizmi i Gjykatës Speciale, si e vlerësoni punën e kësaj gjykate dhe mendoni se kjo gjykatë duhet ti zbuloj edhe vrasjet e pas luftës në Kosovë?

 Melihate Termkolli: Gjykata Speciale është turpi ynë, por një turp të cilin e ndërtoi me shumë zell dhe për shumë vite kjo “elitë” politike, sidomos e ashtuquajtura “ e dalë nga lufta”. Natyrisht, tashmë duhet zgjidhur çështjet me themel. Besoj shumë që do të zbardhen edhe të gjitha rastet e vrasjeve të pasluftës por edhe gjatë luftës.

Bota sot: Mendoni se bisedimet me Serbinë duhet të vazhdojnë dhe Hashim Thaçi ti udhëheq ato, pasi marrëveshjet e arritura nuk respektohen nga Serbia?

 Melihate Termkolli: Bisedimet duhet të vazhdojnë, sepse rrugë tjetër nuk kemi, por qasja dhe mënyra si është biseduar deri më tani me Serbinë duhet të ndërpritet menjëherë. Duhet qasje tjetër dhe koncept tjetër i bisedimeve, nëse nuk është bërë tepër vonë. Nga bisedimet për Kosovën, duhet të kalohet në bisedime për normalizim të raporteve me Serbinë, nga bisedimet për rregullimin e brendshëm të Kosovës duhet të kalohet në bisedime për raporte ndërshtetërore si palë të barabarta dhe me rezultate reciproke. Por së pari na duhet “normalizimi” i raporteve mes subjekteve tona politike dhe ndërtimi i një platforme të përbashkët afatgjatë në raport dhe në raportet me Serbinë. Këtë çështje e kam ngritur disa herë në Kuvend si edhe disa deputetë tjerë, por e pamjaftueshme për të ndryshuar gjendjen.

Bota sot: A mendoni se Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë një komision që të hetoj punën e ish Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). 

Melihate Termkolli: Në mandatin e kaluar u bë një përpjekje,( me hile ), për gjëja një hetim të tillë, i cili sipas mendimit tim do të rezultonte me “rehabilitimin” e SHIK-ut. Në një Kuvend i cili dominohet nga SHIK-u nuk mund të bësh hetime serioze për të. Edhe sot është vështirë të mendohet për diçka serioze në këtë drejtim. Asnjë nga prokuroritë apo gjykatat tona nuk mori mundin të merren me këtë çështje. Ata e dinë pse. Në fakt “të gjithë” e dinë pse-në. Prandaj jo kot erdhi edhe Gjykata Speciale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat