Abdixhiku flet për planin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë dhe shkeljen e Kushtetutës nga Thaçi

Intervista

Abdixhiku flet për planin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë dhe shkeljen e Kushtetutës nga Thaçi

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 tetor 2017 Në ora: 10:52
Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka folur mbi suksesin e LDK-së në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Abdixhiku ka deklaruar se çelësi i suksesit në këto zgjedhje ka qenë bashkimi i forcave të LDK-së duke filluar nga kandidatët, Kryesia, Kryetari dhe Shtabi zgjedhor. Gjatë intervistës, deputeti Abdixhiku ka folur edhe për cështje të tjera sic janë debatet brenda kuvendit të Kosovës, bisedimet me Serbinë dhe mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj, që pritet ta iniciojë LDK-ja.

“Bota sot”: Z. Abdixhiku si e vlerësoni rezultatin e zgjedhjeve të 22 tetorit?

Lumir Abdixhiku: Padyshim se është rezultati më i mirë që LDK ka arritur në 10 vitet e fundit. LDK ka marrë mbi 225 mijë vota për kandidatët e saj për kryetar, ka marrë 4 komuna pa balotazh dhe garon në 10 të tjera në balotazh. Ndërsa, në secilën komunë tjetër të rëndësishme të Kosovës, ku LDK nuk ka arritë balotazhin, ka qenë pretendente e afërt për këtë. Pra, në përgjithësi, është rezultat i kënaqshëm, sidomos për kohë që vjen e edhe pas rezultatit të fundit në zgjedhjet nacionale.

“Bota sot”: Si erdhi deri te ky sukses i LDK-së që për shumë kë u konsiderua i papritur?

Lumir Abdixhiku: Për ne s’ka qenë i papritur; për kundërshtarët tanë gjithsesi se po. Prandaj dhe janë gjendur të habitur. Ne e kemi ditur saktësisht se çfarë po bëjmë dhe si po e bëjmë. Kemi zhvilluar një fushatë moderne, kemi pasur takime, mbi 9000 sosh, nëpër gjithë Kosovën. Çelësi i këtij suksesi është bashkimi i gjithë forcave të LDK-së; i kandidatëve mëse të qëlluar nëpër komunat tona; i një udhëheqje të shkëlqyeshme të procesit zgjedhor nga Kryetari, Kryesia dhe Shtabi Zgjedhor; si dhe i një fryme pozitive për LDK-në të krijuar në muajt e fundit pas mbetjes në opozitë.

“Bota sot”: Sa do të mund ta ruajë këtë trend LDK-ja në balotazhin e 19 nëntorit?

Lumir Abdixhiku: Jam plotësisht i bindur se ky trend do të ruhet. LDK, në fakt, është fituese në të gjitha komunat ku prinë në balotazh – dhe ka gjasa shumë reale të përmbysë komunat në të cilat është në vend të dytë. Pra, nëse kemi mobilizim të njëjtë, që s’dyshoj se s’do të kemi, LDK do të përsërisë rezultatin e 22 tetorit lehtë.

“Bota sot”: Cilat janë gjasat që z. Arban Abrashi të qeverisë me kryeqytetin?

Lumir Abdixhiku: Arbani ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm. Ka arritur që në pak kohë të krijojë një frymë të drejtë, të sinqertë, të punës e të suksesit, për çfarë edhe është shpërblyer me mbi 30 mijë vota në kryeqytet. Arbani ka arritur të shkurtojë diferencën në numër një shifrorë të përqindjes, dhe si e tillë, kjo diferencë është lehtë e përmbytshme. Natyrisht se ne do të zhvillojmë një fushatë të re ditët në vijim, me qëllim të rritjes së bazës së votuesve. Për këtë synojmë ndërtimin e koalicionit me qytetarët, duke i bindur ata se alternativa e LDK-së, se Arbani, është zgjidhja më e mirë për kryeqytetin.

“Bota sot”: Cili është roli i LDK-së si parti opozitare brenda Kuvendit të Kosovës?

Lumir Abdixhiku: LDK do të përkujdeset që të ketë rol aktiv në opozitë bërjen e Kosovës. Dhe në këtë rol aktiv, LDK do të prinë me ide, me propozime, me punë në Komisione Parlamentare ku udhëheq – por gjithashtu edhe me kundërshtime sa herë që interesat e kapësve vihen para interesave të Republikës. Pra ne do të jemi aktiv, jashtëzakonisht aktiv – dhe do t’i themi gjithherë gjërat siç janë e siç duhet të jenë. Mos të harrojmë, LDK ka tani një grup parlamentar të shkëlqyeshëm, të përgatitur për parlamentarizëm e për rol politik mirë.

“Bota sot”: Në seancën e së martës, e keni quajtur SHIK-un organizatë kriminale, çka do të bëni si LDK që ta vërtetoni këtë që keni thënë për SHIK-un?

Lumir Abdixhiku: Unë besoj se SHIK është organizatë e përfshirë drejtpërdrejtë në kapjen e shtetin dhe në aktivtete krimanale gjatë gjithë kohës së pasluftës. Unë gjithashtu besoj se pa zbardhjen e aktiviteteve të SHIK-ut, nuk mund të ndodhë çkapja e shtetit. Dhe në këtë mision, secili patriot e ka për obligim të ngrisë zërin e të angazhohet pa kalkulime politike. Këtë do ta bëjmë.

“Bota sot”: Këtyre ditëve po përmendet edhe një mocion mosbesimi brenda qeverisë që do ta inicioni ju si LDK, sa do të mund t`ia arrini këtij qëllimi?

Lumir Abdixhiku: Është çështje kohe para se kjo Qeveri të mos ketë shumicën. Shihni për pak seancën e javës së kaluar, kur të njëjtit nuk kishin votat për kalimin e rishikimit buxhetor. Situata të tilla do të jenë krejtësisht të zakonshme. Mbi të gjitha, një koalicion i ndërtuar mbi kontrabandë, pazare të ulëta e varësi në Beograd s’mund dhe s’duhet të ketë jetëgjatësi. Prandaj ne do të iniciojmë mocionin e mosbesimit në momentin e parë që forca e shumicës kalon në anën tonë – e që do të ndodhë shpejtë shumë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e deritashme të qeverisë Haradinaj?

Lumir Abdixhiku: Një qeveri me 22 parti, pa plan e pa program, s’ka se si të funksionojë mirë. Në fakt, për pjesën më të madhe, kjo qeveri është ndërtuar mbi parimet e vendimmarrjeve ad-hock, pra të aty për atyshme, me konsekuenca të mëdha edhe ekonomike për vendin. Unë sinqerisht nuk pres që të ketë përmirësim të kësaj dinamike, meqë përbërja e qeverisë është e tillë që s’lejon zhvillim. Kjo qeveri ka qendra vendimmmarrëse gjithandej. Secila parti ka nga një kryeministër – rrjedhimisht s’mund të ketë punë të mirë.

“Bota sot”: A do ta pranoni ftesën e Presidentit për pjesëmarrje në dialogun me Serbinë?

Lumir Abdixhiku: Ne kemi bërë qëndrimin tonë publik. Kemi thënë që Presidenti nuk ka mandat kushtetues të udhëheqë fillimisht më dialog. Kjo kompetencë i takon Qeverisë, e më pas edhe Parlamentit si mbikëqyrës të punës së Qeverisë. Pra, ne, iniciativën e Presidentit e konsiderojmë si tendencë për protagonizëm individual, jashtakushtetues e të parëndësishme – rrjedhimisht e refuzojmë si të tillë.

“Bota sot”: Keni akuzuar Presidentin Thaçi për shkelje të Kushtetutës, kur pritet që ta dërgoni këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese?

Lumir Abdixhiku: Ne jemi duke mbledhur fakte rreth kësaj çështje. Presidenti ka shkelur Kushtetutën kur është takuar me kandidatët e PDK-së për zgjedhje lokale. Një gjë të tillë e ka bërë me kandidatët në Klinë e Vushtrri; si dhe është përfshirë drejtpërsëdrejti në fushatën e PDK-së në Prizren. Për këto arsye, ne do të konsiderojmë të gjitha aspektet ligjore të mundshme, për ta mbajtur të njëjtin përgjegjës.

Bota sot”: Kush po e pengon liberalizimin e vizave?

Lumir Abdixhiku: Qeveria e Kosovës është ekskluzivisht fajtore për vonesat e liberalizimit të vizave. E njëjta është futur në një rreth vicioz nga i cili s’mund të dalë. Kjo sepse kauzën e demarkacionit, mbi të cilën e ka ndërtuar ardhjen në pushtet, e ka pengesë thelbësore të procesit të demarkacionit. Kjo qeveri s’mund të zgjedhë as demarkacionin e as t’i japë lëvizje të lirë qytetarëve tanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat