A u duhet treguar të tjerëve që fëmija ka autizëm?

Këshilla mjekësore

A u duhet treguar të tjerëve që fëmija ka autizëm?

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 16:38
Foto Ilustrim

Ky është një vendim tejet personal. Në mënyrë që të mundësohet një ndërhyrje e hershme apo shërbime shkollore për të cilat fëmija ka nevojë, do të ishte e dobishme të tregohej lidhur me diagnostikimin e fëmijës me këto probleme. Po ashtu, mjeku i familjes apo terapistë të tjerë duhet të jenë në dijeni të diagnozës, në mënyrë që të planifikojnë ndërhyrje sa më efektive kur është e nevojshme.

Gjithsesi, është prindi apo kujdestari që vendos nëse duhet ta ndajë këtë diagnozë me miqtë dhe të afërmit. Nëse ata kalojnë kohë me fëmijën autik, ndoshta vënë re diferencat zhvillimore. Ndoshta edhe kanë keqinterpretuar sjelljet e lidhura me autizimin duke e menduar fëmijën si të turpshëm apo shpërthyes.

Ndarja e diagnozës ka të ngjarë t’i ndihmojë ata të kuptojnë se përse ky fëmijë ka vështirësi në ndërveprimin dhe komunikimin me të tjerët. Gjithashtu, kjo mund të shtojë mbështetjen e tyre për këtë fëmijë në të ardhmen.

Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës tre vjeç.

Lidhur me pyetjen se çfarë e shkakton autizmin, shumë studime janë përpjekur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet. Autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Ende nuk ka të dhëna që autizmi shkaktohet nga diçka që prindërit kanë apo nuk kanë bërë para apo gjatë shtatzënisë, apo ndërsa kujdesen për fëmijën e tyre. Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës.

Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor (për shembull analizë gjaku, rreze x etj.) që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Mjekët mund të këshillojnë teste gjenetike për të gjetur një shkak gjenetik, si dhe mund të rekomandojnë teste apo studime të tjera që ndihmojnë në përcaktimin e kushteve të tjera shëndetësore të cilat mund të jenë të pranishme.

Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshme. Krahas trajtimit të specializuar mjekësor, çdo prind apo kujdestar me një fëmijë të diagnostikuar me problem të tillë, duhet të ndërtojë një skuadër me personat mbështetës.

“Prindërimi është shpesh shumë sfidues, dhe shpesh prindërit nuk e kanë përgatitjen e duhur edhe për zhvillimin normal. Kur një prind përballet me një problem zhvillimi, sikurse janë çrregullimet e spektrit të autizimit, prindërimi bëhet edhe më i ndërlikuar. Krijimi i një rrethi personash të cilët mund të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje është shumë i rëndësishëm. Nëse prindi do të kujdeset për veten, ai do t’i plotësojë edhe më mirë nevojat e fëmijës.

Efektive janë edhe grupet me prindër me të njëjtin problem”, vënë në dukje ekspertët e shëndetit publik. Po ashtu, edhe të kalimi i kohës me fëmijët e tjerë apo anëtarët e familjes do të ndihmonte shumë. Sipas tyre, nëse prindin e mbizotëron trishtimi dhe mungesa e shpresës, ai duhet të drejtohet edhe vetë te një specialist. Biseda me prindër që kanë të njëjtin problem ka një vlerë të madhe. Ata mund të ofrojnë një informacion shumë me vlerë për sa i përket terapive, specialistëve, informacioneve të reja etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat