Ju djeg urthi, 9 këshilla si mund të shërohet

Këshilla mjekësore

Ju djeg urthi, 9 këshilla si mund të shërohet

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 22:49
Foto ilustrim

Një ndër shqetësimet e shpeshta që evidentohen gjatë përditshmërisë pothuajse tek të gjitha grupmoshat, është edhe refluksi acid gastro-ezofageal, ose siç njihet në gjuhën e popullore ‘’Urthi”, që perceptohet si ndjesi e djegies së gjoksit në thellësi të kraharorit.

Kjo ndjesi krijohet si rezultat i kthimit mbrapsht të ushqimit apo lëngjeve të stomakut drejt ezofagut dhe gojës. Shqetësimet mund të shkaktohen, ose të përkeqësohet në pozicionin shtrirë, apo edhe në anën e djathtë të trupit.

Mjekët thonë se shumë njerëz përjetojnë urth gjatë jetës së tyre në varësi të ushqimeve që përdorin, apo edhe kushteve të caktuara shëndetësore, apo si rezultat i medikamenteve të ndryshme që duhet të marrin.

Në jo pak raste, nënvleftësohet trajtimi i këtij problemi, pasi shumë persona mjaftohen me trajtimin nëpërmjet medikamenteve që neutralizojnë përkohësisht aciditetin  dhe që mund të merren në farmaci edhe pa recetën e mjekut, barna të cilat njihen ndryshme si grupi OTC.

Prania e urthit është një fenomen i zakonshëm veçanërisht tek gratë në muajt e fundit të shtatzënisë, që shkaktohet si rezultat i shtypjes së stomakut nga zgjerimi i uterusit), por edhe si rezultat i relaksimit të muskulaturës së ezofagut nën ndikimin e ndryshimeve hormonale.

Në rast se simptomat përsëritën shpesh, atëherë duhet patjetër të këshilloheni me mjekun tuaj për të trajtuar në kohën e duhur shkaktarët e vërtetë të kësaj situate. Sa i takon kujdesit për ushqimin, mjekët thonë se çdo njeri mund të reagojë ndryshe ndaj grupeve të ndryshme të ushqimeve.

Prandaj është e rëndësishme që çdokush që ka problem të tilla, të mbajë një ditar të rregullt për ushqimet që përdor dhe shqetësimet që ka. Kjo në mënyrë që të eleminojë ato ushqime që e favorizojnë apo përkeqësojnë praninë e urthit.

Megjithatë, është e rëndësishme të evitoni në këto raste alkoolin, i cili ndihmon në relaksimin e muskulaturës së ezofagut dhe kthimin e ushqimit. Po ashtu ndikojnë në shtimin e aciditetit kafeja, portokalli (frutat e tharta në përgjithësi), domatet, ushqimet pikante në përgjithësi dhe ato të skuqura.

Këshillat se si mund të trajtohet urthi

Për urthin mjaft i rëndësishëm paraqitet ndryshimi i stilit të jetesës, si edhe i ushqyerjes. Rënia në peshë në këto raste është e domosdoshme sepse mbipesha shkakton shtypje mekanike të stomakut dhe favorizon refluksin.

Shmangni alkoolin dhe duhanin, të cilët relaksojnë muskujt shtrëngues të ezofagut.

Shmangni ushqimet pikante dhe të tharta, si edhe mbani një ditar të rregullt ushqimor për të vlerësuar në një hark të caktuar kohor se cili prej këtyre ushqimeve ndikon në shfaqjen e urthit.

Hani në porcione të vogla dhe të shpeshta për të lehtësuar punën mekanike të stomakut. Këshillohet të përdorni kryesisht ushqime të ziera dhe të pjekura, dhe jo të skuqura apo ushqime pikante.

Po ashtu ndikojnë në shtimin e aciditetit kafeja, portokalli (frutat e tharta në përgjithësi), domatet, ushqimet pikante në përgjithësi dhe ato të skuqura.

Mbajeni kokën e krevatit gjithmonë pak më të ngritur se pjesa tjetër e tij, për të evituar kthimin mekanik të ushqimit.

Shumë medikamente i vijnë në ndihmë kësaj patologjie, siç janë neutralizuasit e aciditetit që mund të merren edhe në farmaci. Por, edhe këto medikamente nuk duhen përdorur pa fund, sepse kanë efektet e tyre anësore kur merren me tepri. Natyrisht që mjeku specialist në varësi të gradës së sëmundjes do të përcaktojë edhe protokollin e duhur të trajtimit sipas rastit.

Ndër medikamentet që neutralizojnë acidet dhe që ka përdorim të gjerë është “Maloxin”, i cili merret në farmaci dhe ka një efekt të konsiderueshëm. Po ashtu të gjithë e njohim edhe “Ranitalin” që redukton prodhimin e substancave acide në stomak, por ky duhet të përdoret vetëm nën kontrollin e mjekut, pasi ka edhe efekte anësore. Sipas rasteve ka edhe protokolle të caktuara mjekësore që mund të ndiqen. Vështirësi paraqet trajtimi gjatë shtatzënisë, pasi medikamentet që duhen përdorur në përgjithësi e kanë kundërindikacion shtatzaninë.

Në raste të veçanta lind nevoja edhe për ndërhyrje kirurgjikale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat