Këshilla për kujdesin ndaj gjirit pas lindjes së bebit

Këshilla mjekësore

Këshilla për kujdesin ndaj gjirit pas lindjes së bebit

Më: 11 maj 2021 Në ora: 20:12
Foto ilustrim

Nëse e ushqeni foshnjën me gji, ata do të vazhdojnë të jenë të fryrë, për aq kohë sa do ta vazhdoni këtë proces. Mbani reçipeta të rehatshme dhe cilësore, pastrojini gjinjtë dhe thithat çdo ditë me ujë të ngrohtë apo locion të posaçëm, por shmangni përdorimin e sapunit. Ai mund ta përkeqësojë dhimbjen apo lëkurën e plasaritur të thithave. Nëse nuk e ushqeni foshnjën me gji, gjoksi i zmadhuar gjatë muajve të shtatzënisë, do të fillojë të bjerë gradualisht gjatë muajit të parë pas lindjes.

Mbledhja e gjirit: gjatë ditëve të para pas lindjes, gjinjtë janë të mbushur me kulloshtër. Brenda pak ditësh, ata do të mbushen me qumësht. Pavarësisht nëse e ushqeni foshnjën me gji apo jo, ata do të fryhen, rëndohen, skuqen, ënjten dhe do të bëhen më të ndjeshëm. Nëse vendosni të mos e ushqeni foshnjën me gji, këta të fundit mund të mbledhin dhe të forcohen derisa të mos prodhojnë më qumësht. Zakonisht, mbledhja e gjirit zgjat më pak se tri ditë, por kjo mund të jetë një periudhë shumë e sikletshme. Edhe nëse e ushqeni me gji, në disa raste ata mund të kenë tepricë të qumështit dhe për pasojë, mund të mbledhin. Për të lehtësuar dhimbjen dhe për të shmangur mbledhjen e gjirit, veproni si më poshtë:

- shtrydheni me dorë ose ushqeni foshnjën me gji;

- vendosni copa të ngrohta ose të ftohta, qese me akull, apo bëni një dush me ujë të ngrohtë;

- përdorni reçipeta të ngushta.

Rrjedhja e qumështit: nëse po e ushqeni foshnjën me gji, mos u habisni kur të shihni se rrjedh gjatë kohës që e ushqeni atë apo midis vakteve të të ushqyerit. Qumështi mund të rrjedhë në çdo çast, kudo që të jeni dhe pa paralajmërim. Siç mund ta vërtetojnë edhe shumë nëna të reja, mund të keni rrjedhje të qumështit kur mendoni apo flisni për foshnjën, kur dëgjoni një foshnjë që qan ose kur kalon një kohë e gjatë nga njëri vakt i ushqyerjes së fëmijës te tjetri. Ka raste kur qumështi mund të rrjedhë nga njëri gji gjatë kohës që ju ushqeni foshnjën me gjirin tjetër. Kjo është diçka e zakonshme, veçanërisht në javët e para pas lindjes. Kur të rrjedhë gjiri, veproni si më poshtë:

-vendosni garza te gjinjtë, por shmangni ato që kanë përbërje plastike, sepse mund t’ju irritojnë thithat. Ndërrojini garzat gjithmonë, pasi të keni ushqyer foshnjën me gji, apo sa herë që ato lagen;  -gjatë natës, shtroni një peshqir të madh në krevat. Thitha të pezmatuara apo të plasaritura: kur një nënë fillon ta ushqejë me gji foshnjën, thithat e gjirit bëhen shumë të ndjeshme, madje, nëna mund të ketë edhe dhimbje. Ky është një problem i zakonshëm në javët e para pas lindjes dhe mund të shfaqet edhe kur foshnja është e pozicionuar në mënyrë të përsosur ose edhe kur keni bërë çdo gjë ashtu si duhet. Disa gra befasohen nga fakti se sa fort mund të thithin disa fëmijë dhe se sa dhimbje u shkakton kjo gjë. Duhet pak kohë për t’u mësuar me ndjesinë që ju jep ushqyerja me gji. Dhimbja e thithave për shkak të plasaritjes, mund të çojë edhe në infeksion të gjirit (mastitis).

Ndiqni këshillat e mëposhtme për të parandaluar apo mjekuar dhimbjen dhe pezmatimin e thithave.

- Sigurohuni që foshnja është pozicionuar si duhet pranë gjoksit, si dhe bëni kujdes kur ta largoni nga gjiri. Për ta ndihmuar foshnjën që ta fusë të gjithë thithën në gojë, shtrëngojeni areolën, duke e ngritur gjirin me gishta dhe duke e shtrënguar areolën me gishtin e madh. Kjo do ta ndihmojë foshnjën ta kapë ashtu si duhet.

-Ajrosini thithat dhe lërini të thahen mes çdo vakti që ushqeni foshnjën. Herë pas here mund të qëndroni e zhveshur nga mesi e lart.

-Mos përdorni garza me përbërje plastike dhe veshje sintetike, sepse mund t’ju acarojnë lëkurën e thithave. Ju mund të aplikoni locion për foshnjat te secila nga garzat që vendosni te gjinjtë.  

-Mundohuni të përdorni një mbrojtëse për gjinjtë. Ato vendosen mbi thithat dhe foshnja e thith qumështin përmes saj.

 - Nëse thitha plasaritet, është mirë që për disa ditë të mos e ushqeni foshnjën me atë gji, si dhe ta thithni qumështin me pompë, që të shmangni mbledhjen e gjirit.

Bllokimi i kanaleve të gjirit: gjatë javëve të para që ushqeni foshnjën me gji, një nga kanalet e gjirit mund të bllokohet për shkak të mbledhjes së qumështit, përdorimit të reçipetave shumë të ngushta apo bllokimit të thithave. Nëse keni një bllokim të tillë, në gjoks do të shfaqet një masë e dendur, e cila është shumë e ndjeshme ndaj  prekjes. Nëse kanali është i bllokuar, kur ta ushqeni foshnjën masazhojeni lehtësisht gjirin. Gjithashtu, mund ta masazhoni edhe gjatë kohës që bëni dush. Nëse keni dhimbje të vazhdueshme, ju vjen për të vjellë apo keni temperaturë, telefonojini mjekut. Kjo mund të jetë shenjë e një infeksioni në gji, i cili njihet si mastitis.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat