Ekspertet britanike japin këshillat kryesore për sigurinë e mirëqenien e bebeve në shtëpi

Këshilla mjekësore

Ekspertet britanike japin këshillat kryesore për sigurinë e mirëqenien e bebeve në shtëpi

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 21:23
Foto

Dhe nëse jeni të rinj në prindërim, është akoma më e vështirë të dini cila është gjëja më e mirë për të bërë.

Infermierja Christina Axton, ka hartuar për të përditshmen britanike “The Sun” një listë me këshillat dhe idetë më të rëndësishme për të siguruar që bebja juaj të jetë e sigurtë në shtëpi.

Christina është një mami dhe infermiere e kualifikuar materniteti, punonjëse e kujdesit intensiv të të sapolindurve. Ajo thotë se mirëqenia e bebes në shtëpi është gjithmonë shqetësimi kryesor i nënave, dhe disa gjëra të thjeshta mund të na bëjnë të shmangim plagosjet apo rreziqet e fshehura.

Gjumi i mirë

Christina thotë se një nga çështjet kryesore për bebet e reja është e fjetura e mirë.

“Temperatura e dhomës është e rëndësishme, ajo duhet të jetë mes 16-20 gradë Celsius.”

“Kur vendosim beben për të fjetur duhet që ajo të jetë në një dhomë me ne, vendoseni me kurriz në djepin e tij, ku të mos ketë lodra apo mbulesa të lirshme. Nëse ka të tilla, vendosini në pjesën e këmbëve”.

Ajo shton se kujdes të vecantë duhet të tregohet për kafshët shtëpiake, dhe shton se bebja nuk duhet lënë asnjëherë vetëm me to.

“Macet i pëlqejnë shumë vendet e ngrohta për t’u shtrirë në to, kështu që mbajini në një dhomë të veçantë ose përdorni ndarëse nga bebja”.

Ekspertja tjetër Kirsty Ketley ka të njëjtin opinion: “Është e rëndësishme që bebet ose fëmijët e vegjël të mos flenë me kafshët shtëpiake.”

Ajo shton se shumë prindër harrojnë se ushqimi i maceve e qenve nuk duhet të arrihet nga fëmijët.

Rrëshkitjet, rrëzimet

Christina thotë se kur prindërit mbajnë beben e tyre ne krahe nëpër shtëpi, duhet të sigurohen që ta bëjnë këtë në mënyrën më të sigurtë.

Ajo thotë se ata gjithmonë duhet të kenë njërën dorë të lirë, në rast se rrëzohen apo rrëshkasin.

“Në rastin e ngjitjes së shkallëve në shtëpi, njëra dorë duhet të jetë gjithmonë e lirë për t’u mbajtur në parmakët”.

Christina gjithashtu rekomandon ndërrimin e pelenave përtokë në qilim, për të qenë sa më të sigurtë.

“Në këtë mënyrë, nëse bebja rrotullohet apo për një moment nuk e kemi mendjen, ajo nuk do të bjerë”.

Banja

Christina shkruan: “Banja është kohë e bukur për fëmijët. Mbusheni enën e banjës në fillim me ujë të ftohtë dhe më pas shtoni ujin e nxehtë deri në temperaturën e duhur”.

“Temperatura mund të kontrollohet më mirë me bërryl. Duhet të mbajmë mend se sadopak ujë mund të jetë i dëmshëm për bebet, prandaj nuk i lini asnjëherë vetëm bebet në to, as për kohë të shkurtra.”

Mes të tjera këshillave të Christina, theksohet vëmendja ndaj ambjentit rrethues të fëmijës.

Kjo pasi kur bebet zhvillohen, ata bëhen më kuriozë për të eksploruar rrethinat e tyre.

“Në thelb, çdo objekt mund të kthehet në rrezik për fëmijën tuaj, që prej telekomandës, baterive të saj apo pajisjeve të tjera elektrike”.

Fëmijët e vegjël pëlqejnë dhe mund të ngjiten kudo sapo t’u jepet mundësia, prandaj prindërit duhet të sigurohen që kjo të mos ndodhë.

Ajo komenton: “Fëmijët kanë si qëllim parësor të zhvillojnë aftësitë e tyre ‘motor’ të trurit dhe kjo ka të bëjë me kacavirjen te gjithçka. Për këtë duhen pasur kujdes mobiljet, raftet e librave, dritaret”.

Magnetët e vegjël dhe bateritë janë një rrezik i konsiderueshëm për bebet dhe duhet të mbahen larg tyre, këshillon Christina.

Ngrohja e ushqimit

Christina shton: “Kur ngrohim ushqimin apo qumështin e fëmijëve, duhet të shmangim mikrovalët pasi kjo mund të dëmtojë enët plastike të fëmijëve”.

“Gjithmonë duhet të bëjmë kujdes të mos mbajmë fëmijët në krahë kur gatuajmë”.

Ajo shton se fëmijët e vegjël i kanë qejf komandat e sobës se kuzhines dhe mund të fikin e ndezin disa herë aparatet. Ajo paralajmëron gjithashtu për qeset plastike të cilët mund të mblidhen në toptha për të shmangur lojën e fëmijëve me to.

Ajo shton se për çdo rast në shtëpi mund të mbahet një kuti i ndihmës së shpejtë me kontakte të nevojshme për situata të ndryshme.

“Unë inkurajoj prindërit e rinj të kryejnë kurse të ndihmës së shpejtë  pediatrike, për të marrë njohuritë bazë të kujdesit për fëmijën. Këto kurse nganjëherë mund të jenë shumë të çmuara”.

“Me disa hapa të thjeshtë ne mund të sigurohemi për një ambjent miqësor, ku fëmija jonë të rritet e zhvillohet, në kushtet e duhura për të qenë kurioz dhe për të eksploruar” thote ekspertja. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat