Çfarë mund t’i thuash (dhe çfarë JO) dikujt që ka kancer në gji

Këshilla mjekësore

Çfarë mund t’i thuash (dhe çfarë JO) dikujt që ka kancer në gji

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 23:59
Foto ilustrim

Komunikimi me dikë që ka kancer gjiri mund të jetë i vështrë. Ndonjëherë, edhe njerëzit më empatikë dhe të aftë me fjalët mund ta kenë të vështirë të thonë gjënë e duhur në momentin e duhur.

Disa gra treguan për Healthline përvojën e tyre me kancerin e gjirit dhe cilat fjali do të donin që të mos i dëgjonin.

1. “Mund ta luftosh”

“A frustohet dikush tjetër kur njerëzit thonë ‘ti mund ta luftosh’ ose ‘ti do t’ia dalësh’? Nuk e di saktësisht pse, por më zemëron kjo gjë. Më bën të mendoj që nëse nuk mbijetoj, do të thotë që nuk kam luftuar mjaftueshëm. Luftimi nënkupton zgjedhje. Nuk mendoj se kam ndonjë kontroll ose zgjedhje.” – Anonim

2. “Ti je e fortë”

“Kam pasur njerëz që më thonë se sa e fortë jam. Unë mendoj: 'Jo nuk jam, ndonjëherë jam një bebe qaramane.’ Unë mendoj se ndonjëherë të qenit i fortë nuk është zgjedhje. Marr frymë, qëndroj shtrirë në shtrat, marr trajtimet dhe lutem që nesër të bëhet më mirë.” – Lrvmcvelv64

3. “Kanceri është një betejë”

"Nuk më pëlqen krahasimi me luftën ose betejën për çështjet shëndetësore, veçanërisht për kancerin, dhe veçanërisht tani që e kam pasur vetë. Krahasimi supozon që ju mund të fitoni ose humbni dhe se ka fitues dhe humbës. Asnjëra prej tyre nuk është e saktë apo e vërtetë. Gjithashtu nuk më pëlqejnë si terma sepse duket sikur po luftoj me trupin tim. Trupi im nuk është një armik për t’u luftuar.” – Louise E.

4. “Je frymëzim”

“Jo, nuk jam. Unë vetëm po dëgjoj mjekët dhe po bëj çfarë ata më thonë se duhet të bëj nëse dua të jetoj. Pozitiviteti toksik është i vështirë për t’u menaxhuar, veçanërisht për faktin që nuk bëhet me qëllim të keq.” – Lizzie

5. “E ke nën kontroll”

“Jam siguruar që askush të mos më flasë për kancerin tim. U dërgoj mesazhe disa njerëzve që janë përgjegjës për transmetimin e informacionit tek ata që mendoj se duhet të dinë diçka. Nuk duroj dot kur më thonë “e ke nën kontroll’. Çfarë kam? Kur më thonë kështu, nuk di çfarë t’u them. Tani mendohem para se të flas me të tjerët. Ndonjëherë mjafton vetëm ‘po mendoj për ty’.” – Jules10

Sipas ekspertëve, ka rëndësi që ta përqendroni bisedën rreth asaj që besoni se i duhet personit tjetër. Ja çfarë mund të thoni:

1. A do të flasim për këtë?

Ju mund të mendoni që kur dikush ju thotë se ka kancer, dëshiron të flasë për diagnozën. Por ndoshta edhe nuk do. Nëse nuk duan, mos e merrni personale dhe lëreni derën e hapur për të diskutuar më vonë.

2. Jam këtu për ty. Po të dëgjoj.

Ndonjëherë, gjëja më e mirë që mund të bëni është ta lini atë të flasë. Të gjithë kanë nevojë të dinë se mund të dëgjohen. Të folurit ndihmon në qetësimin e ndjenjave dhe mendimeve.

3. Si mund të të ndihmoj?

Një diagnozë e kancerit të gjirit mund të ndryshojë rutinën normale të një personi. Kjo pyetje ka shumë rëndësi.

Kini parasysh se këshillat e pakërkuara, edhe nëse keni pasur kancer vetë, shpesh janë me qëllim të mirë, por nuk merren mirë nga pala tjetër. Përvojat janë të ndryshme. Nëse doni të ndani rekomandime dhe përvoja, lëreni personin tjetër të vendosë nëse do t’i dëgjojë.

Tregoni kujdes edhe me fjali të tipit “E marr me mend si ndihesh”. Jo, ju nuk e dini kurrë se si ndihet tjetri dhe fjali të tilla mund të minimizojnë përvojën e tyre dhe të ndikojnë negativisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat