Rritja e pagave në tetor, Ligji i Pagave dekretohet tek në mars

Kosova

Rritja e pagave në tetor, Ligji i Pagave dekretohet tek në mars

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 18:54
Foto ilustrim

Presidenti Thaçi e ka paralajmëruar kthimin mbrapsht të Ligjit për Paga, që u miratua të shtunën, para se të votohej buxheti për vitin 2019. Nëse dëshiron, Presidenti mund ta kthejë vetëm njëherë për rishqyrtim dhe krejt kjo, sipas kornizave ligjore, mund të zgjas deri më 8 mars.

Edhe një muaj mund të zgjasë afati derisa Ligji i Pagave të kalojë procedurat për t’u botuar në Gazetën Zyrtare. Pastaj hyrja në fuqi e këtij ligji do të ndodhë në tetor të këtij viti. Deri atëherë s’do të ketë rritje të pagave dhe as ndryshim të koeficienteve aktualë të mjekëve, mësuesve, profesorëve, ushtarëve e shërbyesve civilë.

Ligji i Pagave, i propozuar nga Qeveria Haradinaj, u hodh në votim me kushtëzim të votës së Partisë Socialdemokrate për buxhetin. Ligji që u ndryshua qindra herë e iu shtuan pjesë e iu hoqën, kaloi në Kuvend, mirëpo presidenti Thaçi po sheh pengesa në fuqizimin e tij.

Derisa kryeministri Ramush Haradinaj po krenohej që përmes këtij ligji do të rriteshin rrogat shumicës së punonjësve publikë, presidenti Thaci ka shprehur shqetësimin për ankesat që i kanë një pjesë e organizatave joqeveritare dhe disa grupe të caktuar të cilat nuk kanë përfituar nga ky ligj.

“Sapo jam i informuar se kanë ardhur shumë ankesa, shumë shkresa në zyrën time, sa i përket Ligjit për Paga. Nuk jam i informuar në detaje, por pashë se janë dhjetra ankesa dhe shkresa, të cilat në javën e ardhshme dhe brenda kornizave, zyra ligjore dhe autoritetet përkatëse këtu do t’i shqyrtojnë”, ka thënë Thaci të premten në konferencën për media.

E, këshilltari i tij, Ardian Arifaj, i ka jep shumë mundësi kthimit të këtij ligji në Kuvend, duke thënë se Presidenti Thaçi po e shqyrton seriozisht atë.

““Për shkak të ankesave të pranuara, kërkesave të sindikatave dhe të shoqatave profesionale, të OJQ-ve, por edhe të shoqatave të veteranëve, presidenti po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos e ratifikojë Ligjin për Pagat dhe t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim”, ka thënë Arifaj.

Thaçi planin për kthim mbrapsht të ligjit, që nga Qeveria po konsiderohet si reformë e thellë, i ka bërë akoma pa i ardhur ligji në zyrë.

Nëse ligji do të kalonte edhe në instancat e tjera, si Presidence, implementimi i tij do të niste prej muajit tetor.

Megjithatë, për të hyrë në fuqi, ky ligj deri të martën do të mbetët në Kuvend, ashtu siç e parasheh pika e pestë e nenit 133 të Kushtetutës.

“Dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë (8) ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur”.

Nga e marta, edhe presidenti i ka tetë ditë për ta dekretuar ose jo ligjin e kaluar në Kuvend. Presidenti mund të mos ta nënshkruaj dekretin dhe ligji hyn në fuqi.

Nëse Presidenti dëshiron ta kthejë Ligjin për Paga, siç edhe po planifikon, atëherë ai shkon në komisionin funksional, i cili ka kohë 15 ditë, pastaj del edhe njëherë për votim në seancë.

Mirëpo Thaçi e ka mundësinë që ta kthejë vetëm njëherë në Kuvend ligjin për pagat, sepse nëse e votojnë sërish 61 deputetë, atëherë ai hyn në fuqi, pa dekret të presidentit.

Në nenin 84 të Kushtetutës, ku përshkruhen kompencat e Presidentit, thuhet se presidenti mund te kthejë ligjin, kur e konsideron se është i dëmshëm për ndonjë komunitet.

“Presidenti ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë”, thuhet në pikën 6 të këtij neni.

Ndryshe, Zyra e Kryeministrit në një përgjigje, e ka vlerësuar kthimin e Ligjit për Paga si goditje për reformën shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat