Në Podujevë përkujtohet masakra e familjes Bogujevci dhe Duriqi

Kosova

Në Podujevë përkujtohet masakra e familjes Bogujevci dhe Duriqi

Më: 28 mars 2019 Në ora: 14:47
Foto

Familjarë e qytetarë të shumtë sot ishin mbledhur në Parkun e Paqes në Podujevë për të përkujtuar masakrën ndaj familjes Bogujevci dhe Duriqi 20 vjet më parë nga forcat kriminale serbe.

E mbijetuara e kësaj masakre, Saranda Bogujevci tha se duhet të krijohet memoria kolektive dhe vetë institucionet të merren më shumë me organizimin e këtyre manifestimeve përkujtimore.

Bogujvci: Kemi punuar të mos ta harrojmë të kaluarën

"Kemi kaluar nëpër shumë gjëra të vështira, por që gjatë këtij rrugëtimi kemi pasur fatin të njohim shumë njerëz që të jemi pjesë e një komuniteti siç e kemi në Podujevë, në Manchester ku kemi jetuar, familjen që e kemi përreth që ka shpëtuar dhe është kaq me rëndësi që gjithë së bashku kemi punuar që mos ta harrojmë të kaluarën, të mos harrohen njerëzit që i kemi humbur. Por, patjetër që është me rëndësi që të ecim përpara, ta shohim të ardhmen", tha ajo.

Në emër te familjes Duriqi foli Mimoza Duriqi e cila tha se si familje e kanë pasur të vështirë ta përballojnë humbjen e shtatë anëtarëve të familjes.

Duriqi: Familja Duriqi humbi shtatë anëtarë të familjes

"28 marsi ishte kur forcat çetnike serbe u vërsulën mbi njerëzit e pa mbrojtur dhe u ekzekutuan barbarisht prej gjyshit 72-vjeçar e deri tek Albioni 21 muajsh, këta ishin 7 anëtarët e familjes Duriqi, sa e vështirë për t’u përballuar për t’u përmbajtur dhe për të vazhduar tutje", tha Duriqi.

David Vasallo, doktori i cili i kishte shëruar disa nga fëmijët e mbijetuar, teksa i kujton momentet se si ishte takuar dhe si i kishte shëruar fëmijët e familjes Bogujevci dhe Duriqi, tha se Kosova duhet të ketë fqinjësi të mirë me të gjithë.

Vasallo: Duhet ta duam njëri-tjetrin si fqinjë

"Meqenëse, Kosova po e ndërton rrugën e saj drejt botës në mënyrë paqësore unë lutem sot me të gjithë ju që të gjithë ne ta duam njëri-tjetrin si fqinj në të njëjtën mënyrë se si po e bëjmë sot", u shpreh Vasallo.

Në 20-vjetorin e masakrës së familjes Bogujevci dhe Duriqi familjarë e qytetarë gjatë ditës kanë bërë homazhe te varrezat e të rënëve.

Parku i Paqes së Mançester u ndërtua nga “Manchester Aid to Kosovo”, një organizate bamirëse britanike, e cila me kërkesë të fëmijëve të evakuuar në Mançester për shërim më 1999, e ndërtuan këtë park.

Nesër duke filluar nga ora 14:00 në Bibliotekën Kombëtare do të hapet ekspozita me titullin "Zërat e Kosovës në Mançester".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat