SBASHK e mund Ministrinë, pushimi pranveror ka filluar sot

Kosova

SBASHK e mund Ministrinë, pushimi pranveror ka filluar sot

Më: 1 prill 2019 Në ora: 13:00
SBASHK e mund Ministrinë, pushimi pranveror ka filluar sot

Greva e mësimdhënësve e cila u mbajt në fillim të këtij viti, po vazhdon të shkaktojë telashe në sektorin e arsimit. Mësimdhënësit po këmbëngulin që orët e humbura gjatë grevës të mos zëvendësohen, ndërkaq e palëkundur po qëndron edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila thotë se vendimi për zëvendësimin e këtyre orëve duhet të respektohet. Por në një mbledhje të mbajtur sot, sindikata ka vendosur që pushimi pranveror të fillojë dhe të mos zbatohet vendimi i MAShT’it për zëvendësimin e orëve

Për tri javë rresht, nga 14 janari i këtij viti e deri më 3 shkurt nxënësit e shkollave të Kosovës nuk mbajtën mësim. Por, kjo nuk u bë me dëshirën e tyre. Mësimdhënësit patën vendosur të mbajnë grevë për të rritur koeficientin e pagës së tyre.

Me kërkesat e vazhdueshme nga MAShT’i që orët mësimore të humbura gjatë grevës të zëvendësohen, dhe këmbënguljen e SBAShK’ut që kjo të mos ndodhë, është krijuar paqartësi edhe tek nxënësit të cilët po del të jenë më së shumti të dëmtuar në këtë mes.

Megjithatë kryetari i SBAShK’ut Rrahman Jasharaj, pas takimit me përfaqësuesit e sindikatës nëpër komuna i cili është mbajtur sot, ka thënë se pushimi pranveror ka filluar në shumicën absolute të shkollave në vend.

“Kryetarët e niveleve komunale nga te gjitha komunat e Kosovës kane raportuar se në shumicën absolute të institucioneve arsimore të vendit është respektuar vendimi i sindikatës, që do të thotë se mund të konstatojmë se pushimi pranveror është pushim dhe gjatë këtyre ditëve të pushimit nuk do të ketë kompensim të orëve të humbura”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka theksuar se nëse gjykata do të marrë një vendim pro zëvendësimit të orëve, SBAShK’u do ta respektojë këtë vendim, ani pse e çuan të padrejtë.

“Edhe pse është e padrejtë megjithatë nëse Gjykata thotë se orët duhet të zëvendësohen, ne do ta respektojmë vendimin e saj”, thotë Jasharaj për Express.

Ndërkaq e pa lëkundur në vendimin e saj, po qëndron edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

MAShT’i po këmbëngul se orët e mësimit të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve duhet të zëvendësohen dhe të respektohet vendimi i Ministrit të Arsimit, Shyqri Bytyqi.

“Vendimi i ministrit Bytyqi është në fuqi dhe si i tillë duhet të zbatohet. Drejtoritë Komunale të Arsimit e kanë për obligim të merren me zbatueshmërinë e këtij vendimi”, ka thënë për Valmir Gashi, Zëdhënës i MAShT’it.

Megjithëse SBAShK’u dhe MAShT’i patën arritur marrëveshje rreth pagave, mësimdhënësit nuk po duan ta respektojnë vendimin e të parit të arsimit, Shyqri Bytiqi, i cili thotë se orët e humbura gjatë grevës duhet të zëvendësohen.

Në vendimin e MAShT’it thuhet se nga 15 ditët e humbura gjatë grevës, 5 duhet të zëvendësohen të shtunave, 5 në pushimin pranveror dhe 5 nga to të zëvendësohen në përfundim të vitit shkollor.

E ky vendim nuk i ka pëlqyer sindikatës e cila ka dorëzuar padi në gjykatë ndaj MAShT’it, duke e quajtur si të padrejtë këtë vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat