Një vetaksident ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:30 në fshatin Bajçinë të Podujevës, ku si pasojë e tij një i ri ka vdekur.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës dhe Emergjenca e Podujevës, teksa edhe një person tjetër është dërguar për tretman mjekësor në QKUK të Prishtinës.
“Njëri prej tyre nuk ka arritur të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tij e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Personi tjetër është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Zëdhënësja për Informim e Policisë së Kosovës për rajon e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Personi që mbeti i vdekur nga ky aksident është J. G (rreth 19 vjeç) nga fshati Dobërdol i Podujevës.