VV në Podujevë: Alarmante, në investime kapitale u shpenzua vetëm 3.27% e buxhetit të paraparë

Kosova

VV në Podujevë: Alarmante, në investime kapitale u shpenzua vetëm 3.27% e buxhetit të paraparë

Më: 7 maj 2019 Në ora: 21:17
Fitim Muçolli

Vetëvendosje në Podujevë ka ngritur shqetësimin se një pjesë shumë e vogël e buxhetit është shpenzuar në investime kapitale.

Asamblisti i VV-së në këtë komunë, Fitim Muçolli përmes një postimi në facebook ka shkruar se nga shuma e paraparë për investime kapitale  janë investuar vetëm 3.27%.

“Alarmante – Vetëm 200 mijë euro në investime kapitale, pritet dyfishim i tepricës buxhetore Taksat e qytetarëve të Podujevës po vazhdojnë të keqmenaxhohen. Nga mbi 6 milionë euro sa ishin planifikuara të shpenzoheshin në investime kapitale gjatë 2019-es, për tre muaj janë investuar vetëm 219 mijë e 658 euro dhe që në përqindje i bie vetëm 3.27%”, ka shkruar ai.

Muçolli ka shtuar gjithashtu se edhe ato pak investime janë orientuar në mënyrë të gabuar.

“E veç shumës jashtëzakonisht të vogël të investuar edhe ato janë orientuar në mënyrë të gabuar e disa prej tyre janë edhe borxhe nga viti paraprak që janë përcjellur në këtë vit. Nëse vazhdohet me këtë keqmenaxhim paraqitet rreziku që të dyfishohen tepricat buxhetore ndërsa qytetarët e Podujevës të mbesin me të njëjtin apo me standard jetësor më të ulët”, ka shtuar Muçolli.

Ai po ashtu u ka kërkuar qytetarëve të kërkojnë përgjegjësi për taksat e tyre.

“Investimet kapitale ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve andaj ky do të duhet të ishte prioritet i udhëheqjes së Kryetarit Veliu. Nevoja për investime kapitale në Podujevë është jashtëzakonisht e madhe andaj llapjanët duhet të kërkojnë llogari për paranë publike dhe investime në atë që do t’u sillte fitim. Mos lejoni që paratë tuaja të hynë në xhepat e zyrtarëve komunal”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat