Syla: 90-95 për qind e mediave në Kosovë raportojnë në mënyrë korrekte

Kosova

Syla: 90-95 për qind e mediave në Kosovë raportojnë në mënyrë korrekte

Më: 28 maj 2019 Në ora: 14:29
Pamje nga takimi

Mediat e Kosovës qëndrojnë më mirë se vendet e tjera të rajonit në raportimin e drejtë të lajmit, ku 90 – 95 për qind e raportimeve janë korrekte, pasi në Kosovën e pasluftës është investuar shumë në këtë aspekt.

Kështu u tha sot në një tryezë mes mediave nga Kosova dhe Serbia me temën “Gjuha e urrejtjes në media dhe si mund të ndihmojnë mediat në procesin ripajtimit”, ku u diskutua edhe për aksionin e sotëm të Policisë të Kosovës në veri.

Drejtori i informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla pohoi se në Kosovë është investuar mjaftueshëm në raportimin e drejtë të mediave, ndërkohë që shprehu shqetësimet e tij për devijimet që mediat po u bëjnë aksioneve policore.

Syla: 90-95 për qind e raportimeve të mediave në Kosovë është fer

“Shumë më shumë ka vërejtje në Kosovë sesa që ka në Serbi, dhe kam përshtypjen se 90-95 për qind e mënyrës që raportohet në Kosovë është fer deri diku ën aspektin e gjuhës të urrejtjes. Tash mund të ketë ngecje profesionale që dikush nuk i ka faktet për atë që po ndodh, por unë e kam problem të kuptoj pse duhet devijuar raportimi për një  ngjarje kur je duke e mbuluar në terren. Detyra e gazetarit është në fakt edhe të raportojë mënyrën se si një kryetar komune, një politikan ose dikush i Listës serbe e quan aksionin”, tha ai.

Edhe profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, tha se në Kosovën e pasluftës është bërë kujdes që mediat të kursehen nga një gjuhë që nxit urrejtjen ndëretnike.

Sa i përket raporteve Kosovë - Serbi, Spahiu kërkoi nga qytetarët që të jenë të qetë. Teksa theksoi se mediat në Kosovë janë më pak të prira ndaj gjuhës së urrejtjes në krahasim me vendet fqinje, pikërisht për shkak të investimit që kanë bërë ndërkombëtarët gjatë qeverisjes të Kosovës.

Ai kujtoi edhe rastin e ndalimit të Marko Gjuriqit, për çka u shpreh se beson se ka pasur një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit.

Spahiu: Propaganda del nga titujt dhe nga mes titujt

“Në Kosovën e pasluftës është bërë kujdes që mediat të kursehen nga një gjuhë e cila nxit urrejtjen në mes të komuniteteve etnike. Ajo që quhet më tepër propagandë del nga titujt, nga mes titujt e shkrimeve, sepse nëse jep një deklaratë presidenti apo kryeministri, është e natyrshme që mediat do ta përcjellin atë. Por, presidenti apo kryeministri nuk e përzgjedhin titullin e shkrimit, këtë e bëjnë gazetarët, redaktorët që i përcjellin këto tendenca. Këtu qëndron e gjithë esenca e asaj se a gravohet situata ose shkon në një drejtim të duhur, nga kjo përzgjedhje që bëhen nga deklaratat që japin zyrtarë të ndryshëm, e që mund të jenë paqe ruajtëse ose nxitëse”, tha ai.

Dallime mes të pranishmeve pati në vlerësimin e tyre se cilat media janë më korrekte, ato të Kosovës apo të Serbisë.

Stefan Ristiq, kryeredaktor i Vremes në Serbi, foli se sa afër të vërtetës janë mediat në Kosovë dhe Serbi. E sipas tij, problemi gjuhësor është një ndër barrierat  kryesore.

Ai përmendi edhe aksionin e sotëm të Policisë të Kosovës në veri të Mitrovicës, për çka tha se mediat e Kosovës dhe ato në Serbi e komentojnë në mënyra të ndryshme.

Ristiq: Mediat në Serbi dhe në Kosovë raportojnë ndryshe ngjarjet në veri

“Mendoj se nevojitet një lloj profilizimi i mediave. Për ngjarjet e sotme, nga mediat serbe, çdo aksion që realizohet në veri konsiderohet i paligjshëm. Ndërkohë që në Kosovë, kjo komentohet si pjesë e veprimit për thyerje të grupit parlamentar”, tha ai.

Aty pati edhe pyetje. Kështu Nexhat Behluli nga Presheva pyeti se ku mund të drejtohet një person që ka qenë pjesë e shpifjeve mediale.

Behluli: Kam qenë pjesë e sulmeve dhe nuk kam pasur ku të ankohem

“Në Kosovë unë vetë kam qenë shënjestër e sulmeve, njollosjeve, shpifjeve, shantazheve dhe nuk kam pasur kujt t'i drejtohem, për shkak se ata mekanizma nuk funksionojnë. Kujtdo që i teket, secilit medium, mund ta shkatërrojë karrierën e dikujt dhe nuk ke kujt t’i drejtohesh, si është e rregulluar në Kosovë kjo”, u shpreh ai.

E përgjigje për këtë dha Gazmend Syla, për çka tha se në këtë drejtim investon një pjesë të madhe të punës në trajnimin e gazetarëve për raportim të drejtë. Teksa shtoi se Kosova ka mekanizmat e saj rregullues.

Në këtë tryezë u tha se është e rëndësishme që dikush të japë edhe përgjigjen për atë që ka ndodhur, se kush e ka ditur dhe si e ka ditur. Kjo u aludua në deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ku një javë më parë kishte paralajmëruar për aksionin e sotëm.

Kështu, drejtori i Programit në Dukagjin, Arben Ahmeti, tha se është e çuditshme se si ka mundur presidenti Vuçiq ta di një javë më parë për aksionin e sotëm në veri.

E këtë dilemë e parashtroi edhe Senka Odaviq-Vllatkoviq nga Insajderi i Beogradit, e cila tha se kjo është një pyetje që duhet parashtruar autoriteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat