Skënder Gashi nderohet me Medalje presidenciale të Meritave

Kosova

Skënder Gashi nderohet me Medalje presidenciale të Meritave

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 14:46
Skënder Gashi nderohet me Medalje presidenciale të Meritave

Është vlerësuar lart jeta dhe vepra e albanologut Skënder Gashi, i cili është ndarë nga jeta më 27 qershor.

Kontributi i tij dhënë në fushën e albanologjisë, si dhe kontributi për tërë angazhimin e tij në arsim, shkencë, art, kulturë, rini, sport, shëndetësi, shërbim civil, në rrafshin diplomatik dhe shtetndërtim të Kosovës, është vlerësuar me medalje Presidenciale të Meritave.

E medaljen familjarëve ia dorëzoi presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili tha se roli i profesor Skënderit është një rol i jashtëzakonshëm dhe emblematik për shkencën shqiptare, afirmimin diplomatik të Kosovës.

Thaçi: Duke vlerësuar meritat e profesor Gashit kam vendosur që t’i ndajë medaljen Presidenciale të Meritave

“Kam pasur rastin dhe kënaqësinë që gjithashtu të njoh nga afër profesorin Gashi dhe vlerësoj jashtëzakonisht shumë kontributin e tij për liri, për pavarësi, për demokraci, për shtetndërtim, me këshillat e tij të urta, të mbrehta politike, diplomatike. Por, në të njëjtën kohë duke vlerësuar edhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsim, publicistikë, histori, albanologji, por edhe rolin e tij të jashtëzakonshëm diplomatik për të cilën folën. Mund të them se roli i profesor Skënderit është një rol i jashtëzakonshëm dhe emblematik për shkencën shqiptare, afirmimin diplomatik të Kosovës. Në këtë drejtim duke respektuar autoritetin tim kushtetues dhe ligjor, duke vlerësuar meritat e profesor Gashit, si president i vendit kam vendosur që t’i ndajë medaljen presidenciale të meritave”, tha presidenti Thaçi.

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, tha se janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit profesorit i cili edhe në Prishtinë edhe në Vjenë gjithë jetën ia ka kushtuar misionit si profesor dhe si veprimtar.

Haziri: Në atë kohë si studiues në Vjenë ai u bë udhëheqësi jonë dhe i mërgatës

“Duke qenë një prej të rrallëve në atë kohë si studiues në Vjenë ai u bë udhëheqësi jonë dhe i mërgatës, në të njëjtën kohë e ktheu ish shtëpinë e tij në seli të Kosovës. Kthimi i asaj selie në misionin për vendin dhe për atdheun natyrisht që ishte shembulli më i mirë se si të organizohen  dhe si duhet të organizohen karshi një represioni të madh, një okupimi të egër, po aspiratën për liri, për pavarësi dhe demokraci me e qu deri në fund. Për koincidencë dhe për histori Vjena u bë kryeqendra e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës dhe ai natyrisht duke qëndruar afër të rinjve, tash një udhëheqje krejt tjetër e LDK-së në Vjenë, por duke e luajtur rolin e të urtit dhe këshilluesit të mirë gjithmonë ka qenë afër veprimtarëve atje, po edhe afër delegacionit të Kosovës që për 118 muaj u desh me e dërgua procesin deri në shpallje të pavarësisë”, tha Haziri.

Ai tha se i thonë lamtumirën e fundit profesorit Skënder Gashi, duke pasur parasysh testamentin e gjallë të tij për ta dashur Kosovën, ta ruajnë dhe ta zhvillojnë Kosovën.

Për profesorin Skënder Gashi, ka folur edhe profesori Rifat Blaku, i cili tha se emri dhe vepra e tij nuk do të shuhet kurrë.

Blaku: Sot po ndahemi nga një punëtor i palodhshëm

“Sot po ndahemi nga një punëtor i palodhshëm, nga një pedagog i mrekullueshëm, shkencëtarë i thellësive thelbësore të albanologjisë, vepra e të cilit shërben edhe sot si pikë e referimit për studiuesit e ri. Me profesorin Skënder kam pasur rastin fatin që tri katër vite të punojmë dhe të bashkëpunojmë, ishte një njëri i virtyteve të veçanta, i kulturuar, i urtë, modest, por shumë i pranueshëm për të gjithë”, tha ai.

Djali i profesorit Skënder Gashi, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës Dardan Gashi, ka falënderuar të gjithë që kanë nderuar jetën dhe veprën e babait të tij.

Gashi: Faleminderit që mundësuat që në shtëpinë e tij politike të nderohet edhe një herë

“Një falënderim që e mundësuat që në shtëpinë e tij politike, në LDK, të nderohet edhe një herë", tha ai.

Profesori Skënder Gashi është varrosur në ora 14:00,në fshatin e tij të lindjes,  në Mramor të Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat