Shpenzimet e Komunave për zbukurimet e fundvitit - Bota Sot
Shpenzimet e Komunave për zbukurimet e fundvitit

Kosova

Shpenzimet e Komunave për zbukurimet e fundvitit

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 16:25
Ilustrim

Në prag të festave të fundvitit, përveç shtëpive dhe ambienteve private po zbukurohen edhe qytetet e Kosovës. Por, sa është buxheti që kanë ndarë shtatë komunat më të mëdha të Kosovës për sheshe e rrugë festive, me drita e zbukurime.

Cilat janë kompanitë kontraktuese dhe si arsyetohen këto mjete buxhetore të dedikuara vetëm për hijeshinë e qyteteve?! Prishtina, Mitrovica, Prizreni, Ferizaj, Gjilani dhe Gjakova janë komunat të cilat sivjet do të investojnë mijëra euro për pritjen e festave me drita shumëngjyrshe e zbukurime të tjera, përveç Pejës e cila nuk do të shpenzojë asnjë cent!

Media ka siguruar shifra se sa është ndarja e buxhetit për zbukurimet e fundvitit për secilën komunë.

Prishtina e para

Komuna e Prishtinës sivjet do të shpenzojë rreth 63 mijë euro për zbukurimin e qytetit.

Kjo shumë vije nga kontrata kornizë në vlerë prej 190 mijë euro për 36 muaj (3 vjet). Në kontratën kornizë të Komunës së Prishtinës bëhet e ditur se ky buxhet është +/-30% me devijim të lejuar. Kryeqyteti për kontratën kornizë sivjet ka nënshkruar kontratë me ndërmarrjen private “Anea”.

Në kontratë përfshihen edhe detajet e zbukurimeve duke i arsyetuar mjetet e dedikuara. Ku përcaktohet edhe gjatësia e bredhit që duhet të jetë deri në 10 metra, ngjyrat e dritave dekoruese janë përcaktuar të kuqe dhe të bardhë, si dhe është përcaktuar edhe mirëmbajtja e këtyre dekorimeve.

Mitrovica ndriçohet me 2 mijë euro

Komuna e Mitrovicës deri më tani nuk ka kontraktuar asnjë kompani për stolisjen e qytetit. Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Tafil Peci, në një përgjigje ka theksuar se dekorimi i sheshit për festat e fundvitit do të bëhet në bashkëpunim me bizneset dhe OJQ-të. Për dekorimin e qytetit shuma maksimale që mund të ndahet është jo më shumë se 2 mijë euro. “Nëse vendosin t’i mbështesin, shuma maksimale mund të arrijë deri në 2000 euro”, ka konfirmuar Peci.

Prizreni si vjet edhe sivjet

Komuna e Prizrenit sivjet sikur viteve të kaluara ka ndarë shumën e njëjtë për projektin e dekorimin e qytetit për festat e fundvitit. Zyrtari për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari ka thënë se Komuna e Prizrenit sivjet ka ndarë buxhet prej 30 mijë euro. Sipas Dorambarit ende nuk janë zhvilluar procedurat tenderuese. Komuna e Prizrenit deri më tani nuk ka kotraktuar asnjë kompani për zbukurimin e qytetit. “Sipas praktikave të viteve të kaluara, koha e ndarë për realizimin e projektit ka qenë 15 ditë. Mirëpo këtë kohë e përcakton Njësia Kërkuese dhe Menaxheri i Kontratës para publikimit të thirrjes, pas analizimit të punimeve që do të realizohen”, ka thënë ai.

Megjithatë, Komuna e Prizrenit edhe pse me 30 mijë euro buxhet për drita e zbukurime ende nuk kanë një plan konkret. Sipas zëdhënësit të komunës projekti nuk është dorëzuar akoma nga kompania projektuese. Buxheti i ndarë nga Komuna e Prizrenit edhe në vitin 2018 ka qenë po ashtu 30 mijë euro.

Ferizaj me më pak para

Sikur Prishtina edhe Komuna e Ferizajt për stolisjen e qytetit ka hartuar një Kontratë Publike Kornizë për 36 muaj. Sipas kontratës shuma e kontraktuar është 34 mijë e 224 euro. Zyrtari për Marrëdhënie me Publikun nga Komuna e Ferizajt, Albion Sherifi ka thënë se kosto e shpenzim për projektin e dekorimit të qytetit të Ferizajt për sivjet është afro 12 mijë euro, sipas tij kosto kjo jashtëzakonisht e ulët krahasuar me vitet pararendëse. Fituesi i tenderit për zbukurimin e Ferizajt është OE “N.Sh. Besa”. Sherifi ka njoftuar se periudha kur do të finalizohet dekorimi i qytetit për festat e fundvitit është 5-10 dhjetor. Gjakova me 5 mijë euro më pak Për stolisjen e qytetit për festat e fundvitit, Komuna e Gjakovës ka paraparë të ndajë buxhet në vlerë prej 14 mijë euro, pesë mijë euro më pak se në vitin 2018. Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, në një përgjigje për portalin rtv21.tv ka thënë se me këto mjete është planifikuar të zbukurohet “ Tregu i Vitit të Ri” si dhe zbukurime të ndryshme në qytet. Sipas Halilajt operatorët ekonomikë kishin të drejtë të ofertojnë deri më 14.11.2019. Pas kësaj date, pasojnë procedurat tjera deri në përzgjedhjen e operatorit për stolisjen e qyteti. Gjakova vitin e kaluar ka shpenzuar 19 mijë euro.

Peja nuk ndanë buxhet

Për dallim nga komunat e tjera, Peja as sivjet nuk ka ndarë buxhet për dekorimin e qytetit. Në një përgjigje elektronike drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj ka arsyetuar mosndarjen e buxhetit për dekorimin e qytetit. “Komuna e Pejës nuk ka ndarë buxhet për dekorimin e qytetit, po ashtu nuk ka ndarë as vitin e kaluar edhe qyteti ka qenë i dekoruar prej kompanive private të qytetit të Pejës, arsyeja pse s’kemi nda buxhet është se në sheshin kryesor janë duke u zhvillu punime në Infrastrukturë”, ka thënë Abazaj. Ai theksoi se edhe sivjet ka gjasa që kompanitë private do ta stolisin pjesën e Parkut “Ibrahim Rugova” që është afër qendrës.

Gjilani në “terr”

Se sa është buxheti i Komunës së Gjilanit për projektin e dekorimeve për festat e fundvitit dhe si do të dekorohet ky qytet nuk dihet, pasi që asnjë nga zyrtarët e komunës që janë kontaktuar  nuk janë përgjigjur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat