Komuna e Fushë Kosovës nuk i ka paguar profesorët qe 10 muaj

Kosova

Komuna e Fushë Kosovës nuk i ka paguar profesorët qe 10 muaj

Më: 3 tetor 2020 Në ora: 21:44
Komuna e Fushë Kosovës

Procedurat burokratike të instaluara brenda Komunës së Fushë-Kosovës, kanë lënë profesorët e shkollës së mesme profesionale pa u paguar tash e dhjetë muaj për punën që kanë kryer.

Vet drejtori i Arsimit thotë se kjo po ndodh për shkak të procedurave administrative. Derisa profesorët presin që të paguhen të paktën brenda këtij viti, në komunat e tjera nuk është raportuar për vonesa të ngjashme.

Në çdo komunë të Kosovës, shkollat mesme profesionale hapin konkurs në mënyrë që t’i jepet mundësia çdo të rrituri që të diplomojë në nivelin e mesëm të studimeve, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë diplomuar. Ky lloj mësimi quhet mësim për të rritur (joformal).

Mësimin për të rritur e vlerësojnë profesorët e shkollave profesionale, e ku zakonisht ligjëratat dhe notimi i nxënësve bëhet pas orarit të punës. Kjo punë konsiderohet honorar dhe për këtë mund profesorët paguhen nga mjetet që nxënësit paguajnë të drejtën për t’u notuar dhe diplomuar.

Paraprakisht, çdo profesor nënshkruan kontratë të veçantë për të punuar jashtë orarit gjatë verës dhe dimrit. Ligjëratat mbahen vazhdimisht, por afati i notimit bëhet në janar dhe qershor. Në çdo komunë të Kosovës, profesorët paguhen menjëherë pas përfundimit të vitit shkollor. Por, jo në Fushë-Kosovë.

Momentalisht, profesorët e shkollës profesionale të mesme në Fushë-Kosovë kanë dhjetë muaj pa u paguar. Paratë e tyre nuk i kanë marrë as pas afatit të janarit e as pas atij të qershorit.

Sipas drejtorit të Arsimit në Fushë-Kosovë, Islam Shabanit, kjo gjë po ndodh për shkak se kështu është rregulluar me procedura administrative. Madje, Shabani insiston se këto pagesa duhet kaluar përmes Kuvendit Komunal dhe nuk ka formë tjetër.

“Kjo çështje është rregulluar që të kalojë përmes Kuvendit. Pa e votuar Kuvendi Komunal, paratë nuk mund t’iu dalin profesorëve. Nuk ka formë tjetër”, ka thënë Shabani.

Por, Komuna e Prishtinës për të njëjtën çështje nuk ka probleme të ngjashme. Gjithashtu as komunat e tjera.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka thënë se këto pagesa nuk janë punë e drejtorisë fare, e aq më pak të kalojnë përmes Kuvendit.

“S’ka nevojë që pagesat të kalojnë përmes Kuvendit. Është procedurë e brendshme e shkollës, madje as e Drejtorisë së Arsimit nuk është. Por, e di që mjetet i shpërndajnë drejtorët e shkollave”, ka thënë Shpresa Shala.

Gjithashtu, Express ka kontaktuar edhe Jahë Salihin, drejtor i Shkollës Ekonomike i cili ka thënë se pagesat e tilla janë punë e shkollës dhe asnjëherë deri tash nuk ka ndodhur që pagesat të vonohen.

“Deri tash asnjëherë nuk ka ndodhur që pagesat të vonohen. Gjithmonë pas afatit të janarit dhe qershorit janë paguar profesorët”, ka thënë Salihi për Express.

Derisa profesorët e shkollave të mesme në Prishtinë janë paguar dy herë brenda vitit për punën e tyre dhe afati tjetër i janarit po afron, profesorët në Fushë-Kosovë ka shumë mundësi që këto para të mos i marrin fare në vitin 2020.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat