Malisheva po shënon 28 Nëntorin

Kosova

Malisheva po shënon 28 Nëntorin

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 13:05
Pamje nga vendi i ngjarjes

Përmes aktiviteteve të ndryshme, në Komunën e Malishevës, ka vazhduar festa e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari  dhe daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot janë bërë nderime dhe homazhe në vendet më të rëndësishme, që lidhen me datën e 28 Nëntorit dhe me historinë e Malishevës.

Janë bërë nderime dhe homazhe te Shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Sheshin e Dëshmorëve në Malishevë, në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë, në Lapidarin në Dragobil dhe pranë memorialit për viktimat e luftës në Malishevë. Në këto ceremoni kanë marrë pjesë, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, Kryetari i OVL të UÇK-së, Metush Kryeziu, i shoqëruar nga kryesia e organizatës dhe veteran të shumtë, përfaqësues të subjekteve politike në Malishevë, zyrtarë tjerë komunal dhe qytetarë.

“28 Nëntori është një datë e shenjtë për të gjithë popullin shqiptar, duke filluar nga Skënderbeu, për të vazhduar me ngritjen e flamurit në Vlorë, lindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e për të kulmuar me daljen e parë publike të UÇK-së dhe luftën sublime të popullit shqiptar, luftë e cila u finalizua me lirinë e vendit. Sot do të donim, sikur edhe herave tjera ta festonim këtë datë të rëndësishme, por rrethanat me pandeminë na kanë imponuar ta shënojmë me aktivitete të reduktuara, dhe ju kërkojmë falje të gjitha familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe të gjithë qytetarëve tjerë. Pavarësisht kësaj, nuk zbehet rëndësia e kësaj date të madhe. Sot ne kujtojmë edhe luftën dhe sakrificën sublime të UÇK-së, luftë e cila, edhe sot pas 20 viteve, vazhdon të sfidohet, dhe ne sot po festojmë pa krerët e UÇK-së, por edhe në këtë sfidë ne do të dalim fitues, pasi lufta jonë ishte luftë e pastër dhe çlirimtare”, ka thënë mes tjerash, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili i ka uruar të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, me rastin e 28 Nëntorit. “ Në emrin tim personal dhe në emër të Kryetarit të Komunës, Ragip Begaj, i cili për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të marrë pjesë në këto shënime, ju uroj të gjithëve, Gëzuar 28 Nëntorin”, ka thënë Berisha.

Edhe kryetari i OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, në fjalimet e rastit gjatë homazheve dhe nderimeve, i ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e 28 Nëntorit. “Kjo është datë e shenjtë, datë e rëndësishme për të gjithë ne, pasi të gjitha sakrificat e popullit shqiptar janë të lidhura ngushtë me 28 Nëntorin. I uroj të gjitha familjet dëshmorëve, të gjithë invalidët, veteranë e luftës dhe të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës. Falë këtyre luftës dhe sakrificave, ne sot po festojmë dhe po shënojmë datat tona me rëndësi historike, dhe pavarësisht sfidave që na dalin përpara, ne do të vazhdojmë të jemi triumfues, sepse populli shqiptar gjithmonë ka bërë luftë çlirimtare, sikur ishte edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Kryeziu, i cili krahas urimeve, është shprehur i bindur se edhe krerët e UÇK-së që sot po përballen me drejtësinë, së shpejti do të kthehen triumfues dhe faqebardhë, sepse lufta e UÇK-së, ka qenë luftë e drejtë.

Organizimet gjatë shënimit të 28 Nëntorit, kanë qenë të redutkuara, sikur edhe numri i pjesëmarrësve, për shkak të situatës me pandemi.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat