“Valon Flamuri Shqiptar” – mjekët me emrat më të mirë për Ditën e Flamurit

Kosova

“Valon Flamuri Shqiptar” – mjekët me emrat më të mirë për Ditën e Flamurit

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 20:29
Foto ilustrim

Fraza “Valon Flamuri Shqiptar” për shumë kë u bë frymëzim që fëmijët e tyre t’i pagëzojnë me këta emra në periudha të ndryshme për shkak të situatës politike që mbretëronte atëbotë në Kosovë.

E pikërisht këta tre emra i mbajnë me shumë krenari tre mjekë të lëmive të ndryshme që po u shërbejnë qytetarëve në këto ditë të vështira pandemie.

Një nga ta është edhe stomatologu Valon Avdiu. Edhe stomatologët, sikurse puna e Avdiut, ofrojnë shërbime urgjente edhe për të dyshuarit apo të prekurit nga koronavirusi.

“Ne jemi direkt të përballur me pandeminë. Ndoshta jo si kolegët tanë që janë në Infektivë, mirëpo edhe ne jemi në frontin e parë duke i shërbyer pacientëve në format tona për ndalim të dhimbjeve, kryesisht në Emergjencën Stomatologjike”, ka treguar ai.

Në fakt kjo ditë feste për pulmologun Flamur Marku është ditë pune në Klinikën e Pulmologjisë në qendrën spitalore të vendit.

“Ndjesia ka qenë e veçantë, sepse që nga mëngjesi kam marrë urime të shumta nga familjarët, ashtu si edhe nga pacientët, për ditën e emrit. Mirëpo, dita e punës këtu ka qenë sikur çdo ditë tjetër, sikur çdo kujdestari tjetër – me një fluks shumë të madh të punës dhe me raste të cilat janë të rënduara”, ka thënë Marku.

Kurse për kirurgun torakal Shqiptar Demaçi kjo ditë është të paktën festë shpirtërore.

Kirurgu Demaçi beson që edhe vendi ynë do t’ia dalë në luftën ndaj COVID-19.

“Gjithë bota është mobilizuar. Edhe ne jemi mobilizuar dhe besoj që kemi rezultate të caktuara. Natyrisht që kjo na ka dhënë ekspertiza të reja që do të thotë që të menaxhojmë situata të rënda, sikurse është kjo. Prej kësaj do të dalim më të fortë edhe më të ditur”, deklaroi Demaçi.

Ky është nëntori i dytë që shqiptarët nuk kanë festë. Vitin e kaluar Shqipëria u përball me një fatkeqësi të rëndë natyrore, tërmetin, derisa ky vit u bë i njohur si viti i pandemisë COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat