Auditori gjen parregullësi edhe në Komunën e Rahovecit

Kosova

Auditori gjen parregullësi edhe në Komunën e Rahovecit

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 15:55
Komuna e Rahovecit

Në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë u debatua në Komunën e Rahovecit. 

Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, tha se bazuar në raportin e fundit të auditimit në përgjithësi Komuna e Rahovecit ka një progres në krahasim me vitet paraprake. 

“Në vitin 2017 Komuna e Rahovecit ka marrë opinion të kualifikuar me theksim të çështjes, ndërsa në vitin 2018 dhe në vitin 2019 ka marrë opinion të pakualifikuar me theksim të çështjes. Theksimi i çështjes për 2019 ka qenë për shkak të keqklasifikimit të shpenzimeve dhe kjo nuk është vetëm për fajin e komunës, mirëpo në këtë aspekt duhet bashkëpunim me nivelin qendror”, deklaroi Bajraktari.

Ai  tha se gjetjet e auditimit për vitin 2019 tregojnë se në fushën e prokurimit ka më shumë dobësi dhe fokusi duhet të jetë në përmirësimin e çështjeve të evidentuar. 

Sipas tij sa i përket menaxhimit të pasurisë duhet të shtohen aktivitetet, meqë disa gjetje po paraqiten për vite me radhë. Ndërsa sa i përket zbatimit të rekomandimeve Bajraktari tha se 5 rekomandime janë zbatuar plotësisht dhe 11 të tjera kanë qenë në proces. 

Ai bëri me dije se për vitin 2019 është përgatitur me kohë plani i veprimit si dhe pastaj është dërguar një raport lidhur me progresin e zbatimit të rekomandimeve.

Kurse kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vlerësoi se ka përmirësim të zbatimit të rekomandimeve nga vitet e kaluara. Ai u zotua se do të zbatohen me përpikëri rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm. 

“Ka pasur një progres komuna jonë në vitin 2019 në krahasim me vitin 2018. Këtu e kemi planin e zbatimit të rekomandimeve me të dhënat e nevojshme që tregon se kemi caktuar grupin punues për zbatimin me përpikëri të rekomandimeve të ZKA-ja”, theksoi Latifi duke shtuar se disa rekomandime nuk varen nga komuna meqë ndërlidhen me nivelin qendror. 

Në këtë kontekst ai tha se keqklasifikim që po ju adresohet komunave, është gabim për shkak se komunat nuk duhet ta kenë barrë pagesën e shujtave dhe pagave jubilare sepse kontrata kolektive i obligon institucionet qendror të ndajnë buxhet për këtë çështje.

Duke folur për gjetjet e raportit të auditimit për vitin 2019, Latifi tha se nuk do të ketë në të ardhmen pagesa pa dëshmi, dhënie të kontratave për operator të papërgjegjshëm si dhe kontrata  pa menaxher dhe pa plan të menaxhimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat