Bie interesimi i qytetarëve për t’u testuar për COVID-19 në IKSHPK

Kosova

Bie interesimi i qytetarëve për t’u testuar për COVID-19 në IKSHPK

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 21:10
Foto ilustrim

Numri i testimeve për Covid-19 që kryhen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka rënë dukshëm, kjo si pasojë edhe e mos interesimit të qytetarëve për t’u testuar.

Qytetarët nuk shprehin më interesim të madh për të kërkuar udhëzime në Qendrat e Mjekësisë Familjare për tu testuar.

Një gjë të tillë e pranojnë edhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Një një përgjigje me shkrim për media nga MSH thonë se ka rënë interesimi, derisa u bëhet thirrje qytetarëve nga IKSHPK që të shkojnë të testohen të gjithë ata që kanë simptoma.

Po ashtu në MSH thonë se sot ka rënë në 14 për qind përqindja e rasteve pozitive për dallim me muajin e kaluar ku kanë qenë rreth 50 për qind.

“Po, ka renë interesimi i qytetareve, prandaj po u bëhet thirrje nga IKSHPK që të shkojnë  e të testohen ata me indikacione epidemiologjike. Por ka renë edhe % e rasteve pozitive ndjeshëm, sot në 14%, për dallim prej para një muaji kur ka qenë rreth 50%”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Rrezart Halili, pranon se ka rënë interesimi i qytetarëve që kërkojnë udhëzime për testime në IKSHPK, por që thotë ka interesim për testet rapide, të cilat po kryhen në QKMF-të në Prishtinë.

“Ne tashmë jemi duke i bërë testet e shpejta me strisho, antigjen, pra testet rapide. Mesatarisht po kryhen 100 teste brenda ditës. Interesimi i qytetarëve është më i madh pasi edhe rezultatet janë më të shpejta. Mirëpo nëse shohim në përgjithësi, ka rënë interesimi i qytetarëve, të cilët kërkojnë udhëzime për t’u testuar”, ka thënë Halili.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 744 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 109 raste pozitive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat