Bashkëjetesa me pandeminë – rrëfimi emocional i mjekes Dafina Krasniqi

Kosova

Bashkëjetesa me pandeminë – rrëfimi emocional i mjekes Dafina Krasniqi

Më: 2 janar 2021 Në ora: 19:34
Dafina Krasniqi

Janë bërë më shumë se nëntë muaj prej kur jeta e njerëzve ka ndryshuar pothuajse krejtësisht.

E gjithë bota është në luftë me “armikun” e padukshëm. COVID-19 pjesë të jetës sonë të përditshme i ka bërë maskat, dezinfektuesit, por edhe distancën sociale.

“Ushtarët” që gjenden në vijën e parë të kësaj lufte padyshim që janë mjekët dhe infermierët.

Çdo ditë nga 12 orë punë larg familjes, shpeshherë duke mos i takuar për shumë ditë më të dashurit e tyre. Pa e kursyer edhe atomin e fundit të energjisë së tyre.

Një rrëfim plot emocione, në secilën shkronjë, e ka dhënë doktoresha Dafina Krasniqi.

Ajo tregon për vështirësitë dhe ankthin që e përjetojnë mjekët dhe infermierët bashkë me pacientët e infektuar me COVID-19 të cilët përpiqen t’i shërojnë.

“Një ndryshim rrënjësor dhe i papritur në një botë që e ka zbuluar veten të papërgatitur nga çdo këndvështrim, kryesisht shëndetësor, por edhe politik, ekonomik, njerëzor. Para muajit mars askush nuk e dinte se SARS-COV-2 ekzistonte. Të infektuarit e parë ishin në muajin mars, derisa mobilizimi ishte i menjëhershëm nga të gjithë sektorët që lidhen me shëndetin e qytetarëve”.

Image

“Kosova nga muaji mars po bashkëjeton me COVID-19. Nga kjo kohë dhe deri më tash ata që janë në vijën e parë të frontit janë mjekët dhe infermierët të cilit profesion i përkas edhe unë. Një ndryshim i madh në rutinën e punës, edhe në kushtet e kësaj periudhe të vitit, edhe në çdo kohë. Jemi të detyruar që të mbingarkohemi me veshjet mbrojtëse nga 12 orë dhe jemi të stërlodhur dhe me shumë stres. Çdo ditë luftojmë për jetën e pacientëve dhe për përballimin e vështirësive në profesionin tonë”.

Doktoresha Dafina, që ua dëgjon rrëfimet e dhimbjeve, thotë se lutet për secilin pacient që ta kalojë sa më shpejt këtë periudhë të vështirë.

“Unë mbaj syze të mëdha, por të shoh në sy kur i rrëfen dhimbjet dhe në një moment hyj në lëkurën tënde. Unë vesh dorëza, por të shtrëngoj dorën dhe lutem për ty që ta luftosh. Ehhh sa shumë dhimbje”.

“Jemi duke punuar me orë shtesë mes plagëve, krizës nervore dhe frikës se kur të shkojmë në shtëpi mund të infektojmë familjarët tonë. Ka kolegë me plagë në lëkurën e fytyrës për shkak se maskat të cila duhet shtrënguar shumë fort i mbajnë për shumë orë – gjë që para muajit mars nuk e kishim. Ky armik i padukshëm na ndryshoi edhe mënyrën e punës, por unë si doktoreshë me plot kolegë të tjerë po luftojmë kundër COVID-19 dhe jemi në vijën e parë të frontit me të njëjtën forcë, përkushtim dhe sakrificë”.

Ani se ajo vetë nuk i frikësohet COVID-19 është kujdesur maksimalisht që të mos infektohet dhe të mos rrezikojë të tjerët.

Por, megjithatë familjarët e saj nuk shpëtuan pa u infektuar nga koronavirusi.

Ajo tregon për klanin plot emocion përballjen e babait të saj me këtë virus të rrezikshëm.

“Frikë nuk kam pasur aspak. Megjithatë, duke e ditur që po përballeshim me një situatë të pazakonshme dhe të panjohur për ne, normalisht se ishte pak stresuese në fillim kur nuk dinim sesi të vepronim. Kur manualet për mbrojtje u bënë të ditura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) çdo gjë u kthye në rutinë të përditshme për ne. Jam e re, me plot vullnet për punë dhe kam dhënë një betim se do të jem aty ku ka nevojë populli im. Kam edhe kolegë të tjerë që edhe pse janë afër pensionit dhe bëjnë pjesë në grupin e personave më të rrezikuar qëndruan në vijën e parë të “luftës” me armikun e padukshëm dhe të panjohur për ne”.

“Bashkë me kolegët mjekë dhe infermierë po bëjmë një luftë të dyfishtë. Derisa po përpiqemi që të shpëtojmë jetët e pacientëve të prekur nga virusi jemi të izoluar nga familjet tona për t’i mbrojtur nga një infektim i mundshëm nga COVID-19”.

“Pavarësisht që u mundova që ta ruaj familjen, prindërit e mi u infektuan dhe bashkë me ta edhe vëllai. Gjendja dita-ditës u rëndua tek babai duke e lënë si zgjidhje të vetme hospitalizimin. Gjendja jo e mirë e shëndetit të tij ishte shumë e vështirë për mua. Ishte shumë stresuese të qëndroja me të, sepse e dija gjendjen dhe pasojat që po sjell ky armik i padukshëm”.

Për një mjek është gjithmonë e dhimbshme humbja e një pacienti.

“Unë dhe kolegët e mi jemi nga mishi e gjaku, prandaj kur humbim ndonjë të sëmurë me të cilët tashmë jemi lidhur ngushtë ‘si mishi me thoin’ ndjejmë një dhimbje të madhe. Ne çdo ditë ndajmë buzëqeshjen dhe gëzimin me ata që shërohen dhe triumfojnë nga kjo sëmundje. Ne jemi çdo ditë pranë tyre”.

Ani se në kohë festash familjet bëhen bashkë për doktoreshën Dafina nata e ndërrimit të motmoteve do të jetë shumë më ndryshe.

“Ky fundvit është një atmosferë e zymtë larg familjarëve. Do të jemi në krye të detyrës për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe pacientëve që janë të prekur nga kjo sëmundje tinëzare. Ne nuk do të ndalemi deri në fund. Me ndihmën e Zotit dhe tuajën do t’ia dalim edhe kësaj here”.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat anti-COVID edhe në periudhën e festave dhe të qëndrojnë bashkë me familjet e tyre.

“Ju jeni ata që na ndihmoni që në ndërrimin e motmoteve të kemi sa më pak të infektuar që edhe ju dhe familjarët tuaj të qëndroni të qetë në shtëpi dhe të festoni së bashku. Mos ta kalojmë këtë festë në lot. Bashkë ta mposhtim këtë sëmundje virale që e ka katandisur globin mbarë”.

“Ju lutem respektoni masat dhe na ndihmoni edhe neve që me përkushtim, dije, profesionalizëm, mund dhe sakrificë po vazhdojmë t’iu shërbejmë dhe t’iu dalim në ndihmë të gjithë të sëmurëve që për fatin e keq janë prekur nga kjo sëmundje virale dhe ky armik i padukshëm. Po vazhdojmë të punojmë pa bukë dhe ujë me orë të tëra, me orar të zgjatur pune, pa pushim, pa gjumë, larg përqafimit të familjarëve për të cilët kemi shumë mall dhe pa e llogaritur rrezikun për vete”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat