Vihen në gatishmëri të gjitha kapacitetet shtetërore, gjendja nga vërshimet mund të përkeqësohet

Kosova

Vihen në gatishmëri të gjitha kapacitetet shtetërore, gjendja nga vërshimet mund të përkeqësohet

Më: 26 janar 2021 Në ora: 17:40
Ilustrim

Zyra për komunikim në Qeverinë e Kosovës, ka bërë të ditur se kryeministri Avdullah Hoti, është njoftuar nga Qendra e  Situatave – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, se nga reshjet e vazhdueshme atmosferike, në pjesë të caktuara të vendit situata mund të përkeqësohet me mundësi të vërshimeve.

Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave, në autostradën Pejë-Prishtinë afër rrethrrotullimit tek aeroporti, ka filluar të ngritët niveli i ujit, por megjithatë autostrada është e kalueshme.

Njësitet e Policisë janë në vendin e ngjarjes në fshatin Kuzmin, ku rruga  është e pakalueshme, niveli i ujit është në rritje dhe mund të rrezikohen disa shtëpi.

Në Volljakë tek Guri i zi, restorantet janë përmbytur nga uji i Drinit të Bardhë dhe lumi Mirusha.

Në zonën e Malishevës të gjitha rrugët janë të kalueshme por me vështirësi.

Qendra e Situatave – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, bën të ditur se të gjitha institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale, Policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat