Mësimdhënësi kërkon kompensimin e pagave jubilare dhe shujtave ditore, Komuna e Vitisë thotë se nuk ka linjë buxhetore

Kosova

Mësimdhënësi kërkon kompensimin e pagave jubilare dhe shujtave ditore, Komuna e Vitisë thotë se nuk ka linjë buxhetore

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 14:39
Ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, ka përfunduar procedura civile në rastin ku paditësi Nijazi Ukshini po kërkon nga e paditura Komuna e Vitisë, kompensimin e pagave jubilare dhe shujtave ditore.

Në seancën e së enjtes, përfaqësuesi i paditësit, avokati Shpëtim Bislimi, fillimisht e ka precizuar kërkesëpadinë, ashtu që në emër të shpërblimit jubilar për përvojën e punës mbi 24 vite, ka kërkuar 75% të pagës bazë, në shumën prej 315 euro, si dhe për kompensimin e shujtave ditore për 620 ditë të pranisë në punë ka kërkuar shumën prej 1,240.00 euro, gjithsejtë në total 1,555 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër përfaqësuesi i të paditurës, Ekrem Shabani, ka deklaruar se Komuna e Vitisë, përkatësisht DKA, nuk janë palë nënshkruese e marrëveshjes Koloktive në mes të SBASHK-ut dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, andaj Komuna e Vitisë dhe nuk ka mjete financiare për kompensimin e këtyre benificioneve që i parasheh kjo kontratë.

Ai shtoi se Komuna e Vitisë, përkatësisht, nuk ka të drejtë ligjore, sipas ligjit mbi ndarjen buxhetore në Republikën e Kosovës, që Komunat të paguajnë pagesat për shujta, pasi që këto janë çështje të nivelit qendror.

Pas administrimit të provave është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse, ku përfaqësuesi i paditëses ka kërkuar që padia të aprovohet si e bazuara, si dhe i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës, në shumë prej 269 euro.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Ekrem Shabani në fjalën e tij ka kërkuar nga gjykata që padia të refuzohet si e pa bazuar.

Pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjyqëse, gjykatësja Liridona Haziri Mustafa, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët në afat ligjor do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 12 shkurt 2020, paditësi Nijazi Ukshini po kërkon nga Komuna e Vitisë, që në emër të shpërblimit jubilar për përvojën e punës mbi 24 vite, 75% të pagës bazë, në shumën prej 315 euro, si dhe kompensimin e shujtave ditore për 620 ditë pune.

Në padi thuhet se paditësi është i punësuar në SHFMU “28 Nëntori”, në pozitën mësimdhënësit.

Sipas padisë, paditësi kërkesën e tij e ka mbështetur në Ligjin e Punës dhe në Kontratën Kolektive të Arsimit përkatësisht në nenin 35 paragrafi 7 dhe 8 të kësaj kontrate.

Gjithmonë sipas padisë, paditësi  fillimisht kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës, por siç thuhet kjo e fundit kishte kthyer përgjigje negative.

Me kërkesëpadi, paditësi po kërkon nga e paditura që atij t’i paguajë shujtat ditore për ditët e punës, si dhe kompensimin e shpërblimin jubilar prej 75 % të një page bazë, ku shuma e përgjithshme kap vlerën prej 1,555.00 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat