Selimaj i LDK-së: S’do ketë pengesa për bashkatdhetarët që të votojnë

Kosova

Selimaj i LDK-së: S’do ketë pengesa për bashkatdhetarët që të votojnë

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 23:56
Brahim Selimaj

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Brahim Selimaj, e ka komentuar lehtësimin e masave për parandalimin e COVID-19 nga ana e Qeverisë në detyrë, duke thënë se ky është një veprim i duhur duke u bazuar në gjendjen aktuale në vend.

Në Edicionin e Analizës Zgjedhore, ai ka theksuar se sa i përket ndalesave, nuk do të ketë ndalesa për bashkatdhetarët dhe sipas tij, kurrsesi nuk do të ketë pengesa për ardhjen e tyre që të votojnë në Kosovë.

“Unë mendoj se Qeveria ka bërë lehtësime që bashkatdhetarëve tanë t’u krijohen kushte qoftë në sigurime qoftë dhe gjëra të tjera, por ne ligjin nuk mund ta anashkalojmë si për bashkatdhetarët po ashtu edhe për qytetarët që jetojnë në Kosovë”.

“Ne e dimë se në vitin 2020 kemi pasur humbje të mëdha ekonomike të cilat pandemia i ka krijuar dhe dashtë e pa dashtë është dashur që të respektohet ligji”.

“Tani në këto zgjedhje që jemi, duhet të jemi vigjilent secili qytetar për vetveten, por a mund të parandalohet pandemia ashtu siç po kërkohet? Është e pamundur për shkak të fluksit të madh dhe kohës  së shkurtër për zgjedhje të jashtëzakonshme”.

“Unë mendoj se pandemia veç po shihet se e ka fundin dhe mendoj se këto ditë në të gjithë globin ka filluar vaksinimi dhe shihet një gjendje krejt tjetër në Kosovë”.

“Fatbardhësisht prej fillimit të zgjedhjeve nuk kemi pasur ngritje të infeksioneve dhe mendoj se këtë gjendje që është krijuar sonte me këto masa është shume e qëlluar – posaçërisht për bizneset”.

Sa i përket masave për bashkatdhetarë, Selimaj ka shtuar se sigurisht se do të ketë edhe ndonjë shtesë për vendet që kanë numër më të lartë të të infektuarve.

“Reciprociteti do të varet prej shtetit që është me një lartësi të madhe të COVID-19, kështu e interpretoj”.

“Sa i përket ndalesave, mendoj se s’do të ketë ndalesa për bashkatdhetarët tanë dhe kurrsesi nuk do të ketë pengesa për ardhjen e tyre që të votojnë në Kosovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat