Refuzohet kërkesa për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandoll

Kosova

Refuzohet kërkesa për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandoll

Më: 26 mars 2021 Në ora: 23:07
Kaçandoll

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka refuzuar ta pajisë me pëlqim mjedisor kompaninë “Hidrocom” për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandoll të Podujevës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se ky vendim ka ardhur pas insistimit dhe këmbëngulësisë së komunës që të mos lejohet ndërtimi i hidrocentralit në rrjedhën e lumit.

“Pas insistimit dhe këmbëngulësisë sonë, që të mos lejojmë ndërtimin e hidrocentralit në rrjedhën e lumit Kaçandolli, sot edhe Ministria e Eknomisë dhe Ambientit ka refuzuar ta pajis me pëlqim mjedisor kompaninë "Hidrocom" sh.p.k. Llaplesellë, Graçanicë. Në këtë mënyrë ia kemi dalë ta ruajmë atë zonë nga degradimi i ambientit, siç do t'i ruajmë edhe pasuritë e tjera natyrore në komunën tonë”, ka shkruar Bulliqi.

Komuna e Podujevës pati ushtruar padi në fillim të këtij muaji ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) për fillimin e procedurave, siç ka thënë, në mënyrë arbitrare, për pajisje me pëlqim mjedisor për kompaninë “Hidrocom” për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandoll.

Mirëpo kompania e cila kërkonte lejen për ndërtimin e tij pati deklaruar se ky hidrocentral nuk e dëmton natyrën e asaj pjese.

Ky projekt parashihej të ndërtohej brenda 24 muajsh. Hidrocentrali pritej të prodhonte mesatarisht 6,081,730 kilovat orë energji elektrike në vit.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat