Podujevë: Shkon në mbi 420 numri i rasteve aktive me koronavirus

Kosova

Podujevë: Shkon në mbi 420 numri i rasteve aktive me koronavirus

Më: 28 mars 2021 Në ora: 21:36
Foto ilustrim

Është rritur dukshëm numri i rasteve ditor me COVID-19, duke bërë kështu që të rritet edhe numri i rasteve aktive në Komunën e Podujevës.

Vetëm përgjatë 24-orëve të fundin, në këtë Komunë, IKSHPK janë konfirmuar edhe 29 raste pozitive në Podujevë. Prej tyre, 13 janë në qytet, 3 në fshatin Surkish, dy raste në fshatrat; Lluzhan, Bellopojë dhe Sekiraçë dhe me nga një rast në fshatrat; Bradash, Gërdoc, Lupç i Poshtëm, Merdarë, Obrançë, Sfeçël dhe Zakutë.

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama, ka deklaruar për Llapi.info se tani për tani aktivë me koronavirus janë mbi 420 qytetarë.

“Të dielën janë konfirmuar me virusin korona 29 qytetarë llapjanë. Këto raste të fundit bëjnë që në Podujevë tani të jenë 426 raste aktive me këtë virus”, është shprehur Rama.

Më tej, Rama ka theksuar se janë edhe 75 qytetarë llapjanë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Ajo ka shtuar se në QKMF kryen mesatarisht rreth 100 teste në ditë.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 4 mijë. Deri tash janë raportuar 49 viktima, kurse 3247 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rritjes së lakores së të infektuarve të rinj, Komuna e Podujevës ditë më parë është vendosur në zonë të kuqe sa i përket rrezikshmërisë së përhapjes së virusit korona.

Në anën tjetër, IKSHPK ka bërë të ditur se bazuar në 4.733 mostra të testuara, pozitivë në koronavirus kanë rezultuar edhe 914 persona.

Nga sëmundja COVID-19 janë shëruar edhe 602 pacientë, ndërsa raste aktive aktualisht janë 13.726.

Kosova ka konfirmuar rastet e para pozitive më 13 mars të vitit të kaluar dhe, që atëherë, ka regjistruar gjithsej 87.981 të tilla. Prej tyre, 1,840 pacientë kanë vdekur dhe 72.415 janë shëruar. Aktualisht janë edhe 13.726 raste aktive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat