​Kosova s’ka kapacitet të ofrojë autoambulanca vetëm për të infektuarit me COVID-19

Kosova

​Kosova s’ka kapacitet të ofrojë autoambulanca vetëm për të infektuarit me COVID-19

Më: 10 maj 2021 Në ora: 11:43
Foto Ilustrim

Të infektuarit me COVID-19 dhe ata më sëmundje të tjera po transportohen me të njëjtat autoambulanca. Kjo po konsiderohet rrezik për personat të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera e që shërbimet i marrin me të njëjtat autoambulanca. Përfaqësuesit e komunave kanë kërkuar shtim të kapaciteteve. Por, edhe disa nga autoambulancat që kanë marrë donacion, kanë mbetur në doganë, meqë janë të vjetra më shumë se 10 vjet.

Gjatë mbledhjes së komitetit anti-COVID në qeverinë e kaluar, është diskutuar shqetësimi i bartjes së pacientëve të infektuar me COVID, në automjet të njëjtë me ata me sëmundje të tjera.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë se shumë komuna kanë fituar donacion të disa autoambulancave, por që është e pamundur që t’i marrin.

Ibrahimi: Me ligjet në fuqi nuk mund të importosh një makinë, e cila është më e vjetër se 10 vjet 

“Neve si Asociacion, kemi kërkuar nga niveli qendror që mundësisht të bëjë të pamundurën që të sigurojë autoambulanca më shumë komunave. Në mënyrë që të kemi një autoambulancë që është e dedikuar 100 përqind për personat me COVID-19. Gjithashtu kemi shqetësimin e kryetarëve të komunave që donacionet për komuna sa i përket kemi disa autoambulanca të cilat janë duke pritur në doganat e Kosovës, mirëpo problemi është që ato janë më të vjetra se 10 vjet. Dhe me ligjet aktuale në fuqi, nuk mund të importosh një makinë, e cila është më e vjetër se 10 vjet”, tregon ai.

Ai thotë se po vijojnë me diskutimet me nivelin qendror që komunat të mund të sigurojnë këto autoambulanca.

Ibrahimi: Duhet të rishqyrtohet kjo mundësi

“Në këto raste nëse është donacion, apo autoambulancë, e cila është në shërbim të qytetarëve, jo për shërbime private, atëherë të rishqyrtohet kjo mundësi dhe nuk e shohim ndonjë problem nëse një donator ka shprehur vullnetin e mirë që të jap një autoambulancë për një komunë specifike”, shton ai.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra thotë për KosovaPress senuk është e përshtatshme që me të njëjtën autoambulancë të transportohen edhe pacientët me COVID edhe pacientët me sëmundje të tjera.

Ai uron që shëndetësia të kthehet në fokusin e partive politike.

Kodra: Një gjë e tillë e rrezikon sigurinë e pacientëve

“Parimisht nuk është e përshtatshme që me të njëjtën autoambulancë të transportohen edhe pacientët me COVID edhe pacientët me sëmundje të tjera. Sikurse nuk ka qenë e përshtatshme që me një objekt shëndetësor të trajtohen pacientët me COVID edhe të tjerët me sëmundje të tjera. Nuk e di se si janë duke vepruar komunat, mirëpo një gjë e tillë e rrezikon sigurinë e pacientëve me sëmundje të tjera”, thotë ai.

Kodra tregoi se në nivel vendi janë rreth 100 autoambulancaqë ato edhe në kushte normale nuk i kanë plotësuar kushtet apo kërkesat për trajtim.

Kodra: Kosova ka rreth 100 autoambulanca

“A janë kapacitet e mjaftueshme, nuk janë. Kosova ka diku rreth 100 autoambulanca që ato edhe në kushte normale nuk i kanë plotësuar kushtet apo kërkesat për trajtim. Tash kur kemi një situatë me COVID, këto kapacitete edhe më tepër janë ngarkuar. Mirëpo, duhet të shihet mundësia se si të veprohet në kësi situata”, deklaroi Kodra.

Sa i përket autoambulancave, është debatuar ditë më parë edhe në Kuvendin e Kosovës. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte akuzuar paraardhësin Armend Zemaj, për blerje të autoambulancave me çmim më të shtrenjtë.

Vitia: Keni blerë autoambulanca me 20 për qind më shtrenjtë se normalja

“Keni blerë autoambulanca me 20 përqind më shtrenjtë se normalja që ka qenë standardi për shumë vjet. Nga viti 2017 ose 2018. E për t’i vënë pikë gjithë kësaj pune në një kohë kur kemi nevojë për barna, çka ju është dashur një Qendër e Mjekësisë Familjare në Strellc, në vendlindjen e juaj zotëri Zemaj?. A do të thotë që ta ndërtojë një në Marevc tani? Edhe të shkojë me këtë logjikë zotëri Zemaj?”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, Zemaj ka deklaruar se këto ambulanca i kishte gjetur të blera pikërisht nga Vitia. Për këtë ishte shprehur i gatshëm të tërhiqej nga mandati i tij si deputet nëse vërtetohet e kundërta.

Zemaj: Autoambulancat i kam gjetur të blera nga qeveria kur ke qenë ti

“Me përgjegjësi të plot morale, autoambulancat i kam gjetur të blera nga qeveria kur ke qenë ti. I kam gjet të blera edhe një herë po e them. Nëse nuk kanë qenë të blera, unë sot e dorëzoj mandatin e deputetit. 20 përqind më shtrenjtë nga ju, jo nga unë. Kështu që merrni informacionet e sakta. 3 autoambulanca ose 4 nëse nuk gaboj, kanë qenë të blera në mandatin e juaj si ministër. Vetëm i kemi shpërndarë”, është kundërpërgjigjur ai.

Se sa autoambulanca ka e gjithë Kosova, redaksia ka pyetur edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Të njëjtit kanë kërkuar që për një gjë të tillë të pyetet Ministria e Shëndetësisë. E, nga kjo e fundit, KosovaPress ka pritur me javë një përgjigje të cilën nuk e mori asnjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat