Në Kosovë rrezikohet biodiversiteti, kërkohet zbatimi i ligjeve përkatëse

Kosova

Në Kosovë rrezikohet biodiversiteti, kërkohet zbatimi i ligjeve përkatëse

Më: 22 maj 2021 Në ora: 12:16
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ruajtja e biodiversitet po vazhdon të mbetet një prej sfidave më të mëdha të njerëzimit. Kosova pavarësisht pozitës së mirë gjeografike dhe pasurive që ka, po rrezikon humbjen e biodiversiteteve bimore e shtazore. Rrëqebulli, dreri dhe dhia e egër janë disa nga speciet të cilat janë në zhdukje. Nga institucionet dhe qytetarët po kërkohet zbatimi i ligjeve përkatëse për mbrojtjen e biodiverisitetit dhe natyrës në përgjithësi.

Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shënuar disa aktivitete në peizazhin e mbrojtur “Gërmia”. Zëvendësministrja e mjedisit Linda Çavdarbasha tha se Kosova deri tani ka krijuar politika të ndryshme për ruajtjen e biodervistetit, mirëpo të njëjtat nuk janë zbatuar sa duhet.

Çavdarbasha: Viti 2021 duhet të jetë vit i reflektimit, i mundësisë dhe i zgjedhjeve

“Nëse vazhdojmë me këtë tendencë, atëherë impakti i njerëzve do të jetë shumë i madh dhe speciet do të zhduken deri në 1 mijë herë. Ekspertët supozojnë se nëse vazhdohet me këtë trend, humbje të diversitetit, do të ketë pasoja fatale edhe për njerëzimin. Shumë lloje bimore kanë vlera të jashtëzakonshme shëndetësore, andaj zhdukja e tyre do të thotë edhe zhdukjen e kësaj vlere. Viti 2021 duhet të jetë vit i reflektimit, i mundësisë dhe i zgjedhjeve. Pritet prej secilit prej nesh që të veprojmë duke treguar një vullnet të fortë për kornizën globale e cila do të ulë humbjen e biodiversitet dhe përfitimin e njerëzve në gjithë planetin tonë”, tha ajo.

Më tej, ajo ka theksuar se Kosova pavarësisht se është e pasur me biodiversitet, po rrezikon humbjen e tyre.

Çavdarbasha: Kosova është shumë e pasur me biodiversitet

“Kosova edhe pse me një sipërfaqe të vogël është shumë e pasur me biodiversitet për shkak të pozitës gjeografike që ka, klimës, faktorëve pedologjikë, hidrogjofikë dhe releviorë. Kosova si shumë vende në botë po përballet me këtë problem. Reduktimi i sipërfaqeve pyjore, kualitative dhe degradimi i vazhdueshëm i tyre ka bërë që shumë lloje të cilat ne i kemi të jenë në zhdukje. Prej tyre mund të përmendim rrëqebullin, ariun e murrmë, drerin dhe dhinë e egër”, ka shtuar ajo.

Ajo ka kërkuar që të veprohet sa më shpejt dhe që të zbatohet ligji dhe rregulloret në fuqi.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Mustafa tha se biodiversiteti është vlera më e madhe e natyrës, ndaj ka bërë thirrje për zbatim të ligjeve.

Mustafa: 30% të biodiversitet të Ballkanit gjenden në Kosovë

“Kosova është një vend i vogël në kuadër të Ballkanit me 1,6 përqind të territorit. Por, në pikëpamje të vlerave të biodeversitetit është jashtëzakonisht e begatshme. Prej 7500 llojeve sa llogaritet që ka Ballkani të bimëve, diku 2500 lloje apo rreth 30% të tyre gjenden edhe në Kosovë. Kjo është një mrekulli dhe një diçka që duhet vërtetë t’i kushtojmë kujdes kësaj vlere të natyrës. Por, fakti është se kjo vazhdimisht po rrezikohet. [...] Ligjet përkatëse për mbrojtjen e biodiverisitetit dhe natyrës në përgjithësi, fatkeqësisht nuk po zbatohen sa dhe si duhet”, ka shtuar ai.

Për rrezikun e zhdukjes së kafshëve të rralla ka folur edhe Fatos Lajçi nga organizata joqeveritare “Era”. Sipas tij, përveç rrëqebullit janë në rrezik edhe dreri e dhia e egër.

Lajçi: Rrëqebulli është në rrezik nga zhdukja

“Kjo specie e rrëqebullit atlantik është ekstremisht në rrezik nga zhdukja dhe ne shpresojmë shumë se qytetarët e këtij vendi bashkë me banorët e vendit do të luftojnë shumë që këtë specie që është ekstremisht e rrallë t’i ndihmojnë që të mos zhduket nga shteti ynë, nga Kosova. Kjo shtazë jashtëzakonisht e veçantë dhe në zhdukje e ka vendosur edhe gjeo-politikisht Kosovën në hartën e rëndësishme të strategjive botërore. Është ora e fundit kur ne të gjithë duhet të mendojmë për mbrojtjen e këtyre vlerave që ne i kemi”, ka potencuar ai.

Në Gërmi janë ekspozuar edhe materialet e përgatitura nga kjo organizatë, ku më pastaj bashkë me nxënësit e shkollës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, është organizuar ecje në shtigjet e Gërmisë.

Biodiversiteti paraqet llojshmërinë e jetës bimore dhe shtazore në tokë. Gjithsejtë ekzistojnë 1,75 milionë lloje bimore dhe shtazore, mirëpo akoma nuk është hulumtuar gjithë globi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat