Krasniqi: Parku i Gjelbërt në Mirushë i braktisur nga komuna

Kosova

Krasniqi: Parku i Gjelbërt në Mirushë i braktisur nga komuna

Nga: N. H Më: 23 maj 2021 Në ora: 14:44
Alban Krasniqi

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, që është edhe burri i ish-deputetes Albulena Haxhiu, ka treguar se Parku i Gjelbërt në Mirushë të Malishevës është braktisur nga komuna.

Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se në Malishevë, vende që ofrojnë kushte të tilla ka fare pak, e edhe ato që janë ndodhen në kushte skandaloze.

Ja shkrimi i tij:

Parku i Gjelbërt në Mirushë i braktisur nga komuna

"Rreth 1000 € në muaj i paguhen Ekoregjionit nga buxheti i komunës për mirëmbajtjen e këtij parku"

Sot është ditë me diell dhe ditë pushimi. Qytetarë të shumtë presin fundjavën për të kaluar kohën mefamiljen, fëmijët e tyre në shtëpi apo në hapësira publike që ofrojnë mundësi për pushim dhe rekreacion.

Në komunën tonë vende që ofrojnë kushte të tilla kemi fare pak, e edhe ato që i kemi janë në kushte skandaloze.

Njëra nga këto hapësira është edhe "Parku i Gjelbërt" në Mirushë i cili sot më shumë gjason me vendbanimet e braktisura rreth "Çernobilit".

Ky park është ndërtuar në vitin 2012 nga fondet e Komisionit Evropian me participim nga komuna që ka kushtuar rreth 100 mijë euro dhe që për ironi programi kishte emrin "Kosova e bukur".

Që nga koha kur është vënë në funksion është shfrytëzuar fare pak, kryesisht për "skarë" nga grupe vizitorësh sesa si vend pushimi dhe rekreacioni për fëmijë, të moshuar apo familje.

Me kalimin e muajve dhe viteve parku filloi të dëmtohet në mungesë edhe të mirëmbajtjes nga komuna dhe sot ka këtë pamje.

Për më tepër është shëndrruar si strehë e qenve endacak, derisa një biznes privat ka dëmtuar pjesë të rrethojave dhe hapësirës së parkut.

Ka tri vite që nga taksat tona shpenzohen rreth 1 mijë euro në muaj për mirëmbajtjen e parkut të cilat po përfundojnë në xhepat e menaxhmentit të Ekoregjionit, të zyrtarëve komunal dhe atyre partiak të partisë që udhëheq me komunën.

Degradimi i mjedisit dhe i hapësirave gjelbëruese ka marrë përmasa shqetësuese në komunën tonë.

Andaj, edhe qytetarët zgjedhin destinacione jashtë komunës sonë për pushim dhe rekreacion sepse mentaliteti qeverisës ka vënë betonin para gjelbrimit, tenderin para mirëmbajtjes, bizneset para qytetarëve, makinat para fëmijëve duke e lënë komunën tonë pa asnjë vend të mirëfilltë që i mundëson familjeve, gjyshërve e mbesave-nipave, nënave shtatëzëna të kalojnë sado pak kohë në parqe publike që ofrojnë kushte minimale për të pushuar e zbavitur.

Kjo gjendje duhet të ndryshojë dhe do të ndyshojë sapo të ndërrohet mentaliteti qeverisës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat