Supremja vendos pro Kastratit, refuzon prindërit

Kosova

Supremja vendos pro Kastratit, refuzon prindërit

Më: 31 maj 2021 Në ora: 21:04
Qëndron Kastrati

Gjykata Supreme ka nxjerrë një aktgjykim me të cilin hidhet poshtë ankesa e prindërve të nxënësve të Busavatës së Kamenicës për  ta rishqyrtuar vendimin e Gjykatës së Apelit.

Kjo e fundit kishte konfirmuar Themeloren  për refuzim të kërkesës së banorëve për ta pezulluar  reformën arsimore.

Në këtë dokument thuhet se paditësit nuk kanë arritur të dëshmojnë fakte të bindshme, me të cilat vendimi do të mund të ishte në favor të tyre.

“Gjykata Supreme vlerëson se, gjykata e shkallës së dytë drejtë ka zbatuar dispozitat e procedurës administrative, ato të ligjit për konflikte administrative dhe drejtë ka vërtetuar faktet që kanë qenë me ndikim për refuzimin e ankesës së paditësve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të organit të paditur.”, thuhet në aktgjykim.

Banorët e Busavatës këtë e shohin si presion, ndërkaq thonë se do ta respektojnë vetëm vendimin e Ministrisë së Arsimit, për mësimin e përshpejtuar në shkollat e këtyre fshatrave.

Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i paditësve i tha Klanit se pas analizimit të arsyetimit, do të vazhdojnë procedurat ligjore. Por, që të mbetet me kaq bënë thirrje kryetari i komunës, Qëndron Kastrati, i cili për Klan Kosova, tha se i fton prindërit ta respektojnë vendimin, e t’i lejojnë fëmijët të vijojnë mësimin në shkollat e përcaktuara nda DKA-ja.

Megjithatë, Kastrati, insiston se Ministria e Arsimit, duke qenë të vetëdijshëm për vendimet gjyqësore kundër pezullimit të reformës, ka  vazhduar të ndikojë për interesa elektorale.

Në MAShT, u deklaruan se kanë njohuri për konteste gjyqësore mes komunës e prindërve por kjo nuk ka të bëjë me ta, andaj vendimi për mësimin e përshpejtuar do të vazhdoj sipas planit.
Akgjykimi i Gjykatës Supreme vlenë për paditësit nga Busavata, teksa për fshatrat tjera pritet të merret vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat