​Të shtunën do të mbahet për herë të parë konferenca Amerikane DREAMin Kosovo

Kosova

​Të shtunën do të mbahet për herë të parë konferenca Amerikane DREAMin Kosovo

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 14:44
Foto ilustrim

Organizata Ndërkombëtare Leadership Development Association Balkan, dega në Kosovë dhe Trailblazer Community Group Prishtina do të organizojë konferencën prestigjioze amerikane DREAMin Kosovo 2021.

CEO i kësaj organizate, njëherit edhe lider i komunitetit Trailblazer për Kosovë, Qëndrim Hoxha tha për KosovPress se ky është viti i parë, që organizata LDA Balkan, ka fituar të drejtën ekskluzive për të sjellë edhe në Kosovë, një prej eventeve me te rëndësishme të botës së teknologjisë dhe inovacionit, kjo falë bashkëpunimit me kompaninë prestigjioze Amerikane Salesforce dhe Trailblazer Community Group.

Ai shtoi se konferenca është planifikuar të mbahet me audiencë të kufizuar sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës për parandalim të shpërndarjes së virusit COVID-19, ku do të kenë audiencë̈ me prezencë fizike me maska dhe me distancë sociale, si dhe lidhje virtuale të folësve si dhe transmetim livestream të saj përmes Agjencisë së lajmeve KosovaPress.

Për konferencën ka folur edhe menaxherja e saj, Raba Mehmeti e cila tha se Kosovo Dreamin është një konferencë e Salesforce e drejtuar nga komuniteti Trailblazer i cili është krijuar për të sjellë edukim, trajnim dhe mundësi të zhvillimit për të rinjtë në botë.

“Vizioni i komunitet Traliblazer është të fuqizojmë të rinjtë e Ballkanit në programet e Salesforce duke u munduar të ofrojmë bashkëpunimin përmes arsimit, rrjeteve që kemi dhe ndarjes së njohurive për të përmirësuar më shumë fuqinë punëtore dhe profesionale në vendin tone”, ka thënë ndër të tjera Mehmeti.

Informacionet për folësit, sponsorët, mënyrën e pjesëmarrjes dhe certifikimin mund t’i gjeni në faqen zyrtare të konferencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat