​Plani i qeverisë për arsimin konsiderohet i përgjithshëm

Kosova

​Plani i qeverisë për arsimin konsiderohet i përgjithshëm

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 10:37
Foto ilustrim

Edukimi parashkollor, tekstet e reja shkollore, shkollimi profesional, sistemi i bursave, arsimi i lartë pa pagesë dhe themelimi i fondit për hulumtime shkencore, janë gjashtë pika që qeveria Kurti i ka listuar si prioritete në fushën e arsimit. Njohës të fushës së arsimit thonë se plani i qeverisë për arsimin është shumë i përgjithshëm, megjithatë thonë se i adreson disa nga problemet kryesore me të cilat përballet arsimi në vend.

Në planin e qeverisë parashihet ndarja e 1 mijë bursave studentore për vajzat, ndërtimi i çerdheve si hap për të përfshirë fëmijët në edukimin e hershëm dhe zëvendësimin e notimit diferencial për klasat 1-4 me vlerësimin formativ. Po ashtu, në plan parashihet harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me tregun punës nëpërmjet ndërlidhjes së kurrikulave me tregun e punës.

Megjithatë në plan nuk parashihet ndonjë veprim se si do të adresohen problemet që pandemia COVID-19 ka shkuar në sistemin arsimor, krejt çka thuhet për këtë çështje është se do të angazhohen për arsim cilësor nëpërmjet stabilizimit të gjendjes në shkolla pas pandemisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, thotë se një reformë e mirëfilltë në sistemin arsimor ka nevojë për më shumë kohë sesa një mandat qeverisës, megjithatë thotë se programi adreson të gjitha problemet me të cilat përballet arsimi në vend.

Uka, që është edhe anëtar në Komisionin për Arsim, thotë se ajo çka ka ndodhur me arsimin gjithë këto vite është një degradim i plotë, e kjo sipas tij, dëshmohet edhe me rezultatet e testit PISA ndër vite.

Uka: Një prej prioriteteve kryesore është ndërlidhja më e fortë e arsimit me ekonominë

“Ajo çfarë ne si LVV e kemi propozuar edhe në fushatën parazgjedhore, por që po përpiqemi t’i mbajmë të njëjtat premtime edhe tash, dhe të punojmë në programin e qeverisë, është në radhë të parë një përfshirje më e madhe e fëmijëve në edukimin e hershëm, si parakusht për të krijuar një njohje më të mirë tek fëmijët për t’i pajisur ata me shkathtësi dhe kompetenca të domosdoshme për të nxënë në nivelet e tjera të arsimit. Gjithashtu, një reformë që e përfshin edhe mësimdhënien dhe mësimnxënien duke futur në shkollimin fillor logjikën gjuhësore dhe matematikore si të domosdoshme për të rritur nivelet e njohjes. Po ashtu, nëse mund të vëreni edhe prej programit qeverisës që një prej prioriteteve kryesore është ndërlidhja më e fortë e arsimit me ekonominë, qoftë e arsimit të lartë, qoftë e arsimit të mesëm, sepse deri më tash këto dyja kanë qenë dy hallka të ndara dhe nuk mund të ketë assesi një arsim të mirëfilltë pa një ekonomi që e ushqen dhe anasjelltas”, thotë ai.

Ai deklaron se gjithëpërfshirja në edukimin e hershëm është një ndër masat që do të garantojë edhe ngritje të cilësisë në arsim dhe rezultate më të mira edhe në vlerësimet ndërkombëtare.

Uka: Duke e rritur gjithëpërfshirjen në edukimin e hershëm përmirëson rezultatin në testin PISA

“Duke e rritur gjithëpërfshirjen në edukimin e hershëm ne mendojmë të ndërmarrim një masë jashtëzakonisht të rëndësishme për të përmirësuar rezultatin në testet e PISA-s. Nuk mund të përgatisim nxënësit për testin e PISA-s sot për sot, pra nëse i nënshtrohen testit të PISA-s nxënësit e klasës së shtatë që të përgatitën në fillim të këtij semestri për testin që i pret në PISA. Ata duhet të përgatiten prej moshës trevjeçare, kur për herë të parë frekuentojnë edukimin e hershëm dhe vetëm një masë e tillë e cila garanton ekspozimin e fëmijëve në edukimin e hershëm në përvojat e hershme të mësimnxënies, në ndërveprimin social, në të mësuarit e vetrregulluar është garanci për sukses edhe në testin PISA e në çfarëdo lloj vlerësimi tjetër ndërkombëtar”, thotë Uka.

Uka thotë se janë për depolitizim të arsimit të lartë, e këtu përmend edhe garantimin për funksionim të pavarur të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

Njohës të fushës së arsimit thotë se programi i Qeverisë Kurti për arsimin është shumë i përgjithshëm, megjithatë thonë se i adreson disa nga problemet kryesore me të cilat përballet arsimi në vend.

Njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani, thotë se programi i qeverisë për arsimin është shumë i përgjithshëm, megjithëse shton se i adreson problemet kyçe me të cilat përballet arsimi në Kosovë.

Osmani: Programi që është prezantuar është shumë i përgjithshëm

“Të them të drejtën programi që është prezantuar është shumë i përgjithshëm, nuk ka indikatorë matës dhe nuk është i bazuar në rezultate konkrete...Ky program duhet të detalizohet në muajt dhe në ditët në vijim, të mos humbet kohë. Duhet të përcaktohet arsimi si prioritet, të mos kemi retorikë të përsëritur dhe demagogji të stilit arsimi është prioritet numër një, kurse shumica e buxhetit është investuar nëpër autostrada dhe nëpër projekte që pak ose aspak i kanë ndikuar jetën sociale. Kjo duhet të ndërrojë nëse dëshirojmë të kemi rezultate më të mira në të ardhmen”, thotë ai.

Osmani thotë se në program është dashur t’i kushtohet vëmendje edhe dhunës në shkolla dhe ngacmimeve seksual që ditëve të fundit janë shtuar raportimet për këto fenomene.

Ndërsa, Rinor Qehaja, drejtor i Institutit EdGuard, thotë se programi i qeverisë prek shumicën prej problemeve me të cilat përballet arsimi në Kosovë, megjithatë deklaron se për disa prej reformave të paraqitura aty nevojitet një debat më i gjerë mes akterëve të përfshirë.

Qehaja: Programi në përgjithësi prek shumicën prej problemeve në të gjitha nivelet e arsimit

“Programi i qeverisë Kurti në përgjithësi prek shumicën prej problemeve në të gjitha nivelet e arsimit në vendin tonë, ajo cka neve do të dëshironim të shohim është një përkushtim më i madh për instalim të një llogaridhënie dhe përgjegjësie përgjatë zbatimit të gjithë këtyre reformave dhe politikave, pasi që rikujtojmë që i gjithë ky plan qeverisës është subjekt i një llogaridhënie në zbatim të gjithçkaje që po promovohet si reformë...Brenda këtij plani qeverisës ka plotë reforma të cilat paraqesin një risi për sistemin, mirëpo për të cilat nevojitet një debat më i gjerë përfshi këtu edhe eliminimin e sistemit diferencial të vlerësimit, por edhe promovimin e të mësuarit dual. Pra, janë reforma të thella që prekin shumë kurrikulën dhe zbatimin e saj dhe për çka nevojitet edhe një konsensus më i gjerë në veçanti i komunitetit të shkollës, përfshi këtu mësimdhënës, nxënës dhe prind”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës ka miratuar planin qeverisës për vitin 2021-2025 në fillim të këtij muaji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat