Çeku për liturgjinë serbe: Nuk është njoftuar policia – përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike

Kosova

Çeku për liturgjinë serbe: Nuk është njoftuar policia – përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 21:24
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas liturgjisë së sotme të mbajtur nga serbët në kishën e cila gjendet në oborrin e kampusit universitar të Prishtinës.

Çeku, në një shkrim në Facebook, ka thënë se për aktivitetin në fjalë nuk ka qenë e njoftuar policia.

Dhe sipas tij, kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike.

“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”, u shpreh Çeku.

Tutje shtoi se prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, dhe për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat.

“Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”, shkroi ministri.

Më tej tha se veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë

“Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional. Mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”, shkroi ministri Çeku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat