​Vaksinimi anti-COVID, imunizohen 2700 qytetarë në Deçan

Kosova

​Vaksinimi anti-COVID, imunizohen 2700 qytetarë në Deçan

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Nga fillimi i procesit të vaksinimit në mars të këtij viti e deri më sot në Komunën e Deçanit kundër COVID-19 janë vaksinuar 2 mijë e 700 persona. Në këtë komunë ku procesi i imunizimit po zhvillohet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare brenda ditës vaksinohen me vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca rreth 100 deçanas.

Kështu ka deklaruar për KosovaPress, koordinatorja e cilësisë për procesin e vaksinimit në Deçan, Florenta Gjukaj e cila tha se i gjithë procesi i vaksinimit po shkon mirë.

Gjukaj: Kemi vaksinuar 2700 qytetarë

“Procesi po shkon mjaftë mirë, qytetarët kanë treguar edukatë të jashtëzakonshme. Varësisht nga dozat dhe caktimi i terminëve që bëhet përmes platformës online E-Kosova bëhet edhe planifikimi i dozave brenda ditës që jepen mesatarisht 100 doza në ditë deri tani dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë jemi në planifikim të dozave. Deri tani 2700 qytetarë të komunës së Deçanit janë vaksinuar me Pfizer, AstraZeneca dhe dozën e dytë për ata që veçse janë vaksinuar me dozën e parë”, u shpreh ajo.

Kjo komunë aktualisht ka në dispozicion mbi 600 vaksina, 417 janë doza të vaksinës Pfizer dhe mbi 200 të tipit AstraZeneca.

Gjukaj tha se krahas gjashtë ekipeve të vendosura në hapësirat e vaksinimit aktiv është edhe ekipi mobil për të vaksinuar personat me aftësi të kufizuara.

Gjukaj: Kemi gjashtë ekipe

“I kemi gjashtë ekipe, tre ekipe në turnin paradite, tre në turin pasdite, ekziston edhe një ekip mobil për personat me aftësi të kufizuara dhe nuk munden të vijnë deri në QKMF këtu. Furnizimi me dozat e vaksinave bëhet varësisht nga numri i terminëve dhe sa janë në stok për momentin i kemi 417 doza të vaksinës Pfizer dhe mbi 200 të AstraZenecës dhe varësisht sa kemi qytetarë që vaksinohen furnizohemi edhe me vaksina”, theksoi ai.

Koordinatorja e cilësisë ne QKMF-në në Deçan, Florenta Gjukaj tha se është rritur interesimi i qytetarëve për t’u imunizuar ndaj virusit Sars-Cov-2.

Por ajo shton se vaksinimi po bëhet vetëm duke respektuar fazën e dytë për imunizim që përfshinë personat mbi moshën 65-vjeçare, personat me sëmundje kronike, personelin shëndetësor dhe shërbyesit e sigurisë.

Gjukaj: Ka interesim për t’u vaksinuar

“Ka interesim mjaftueshëm, sidomos tash vonë, në fillim ka pasur hezitim duke marrë parasysh se ka qenë diçka e re edhe virusi, por edhe vaksina, por tani përmes platformave online qytetarët janë më të informuar edhe ne si mjek e kemi bërë punën në këtë drejtim dhe tani ka interesim më të lartë të qytetarëve. Jemi munduar që t’i respektojmë rekomandimet e IKSHP-së që secili nën moshën 65 vjeçare ka pasur dëshminë për sëmundjet kronike dhe janë bashkangjitur edhe dokumente të tjera dhe është aplikuar vaksinimi”, deklaroi Gjurkaj.

Aktualisht në Kosovë nga 15 qershori ka nisur vaksinimi masiv, vetëm në 24 orët e fundit janë vaksinuar në të gjithë Kosovën mbi 3 mijë e 600 persona, ndërsa nga marsi kur filloi ky proces e deri më tani janë imunizuar mbi 144 mijë qytetarë. Ndërsa vetëm në 24 orëshin e fundit pozitiv me COVID-19 kanë rezultuar 20 qytetarë dhe një person e ka humbur betejën me pandeminë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat