Mësimi online sfidues, i humbi pikë Kosovës në Testin Pisa

Kosova

Mësimi online sfidues, i humbi pikë Kosovës në Testin Pisa

Më: 2 korrik 2021 Në ora: 14:23
Foto ilustrim

Cikli i ulët i arsimit në vend sot përfundoi procesin mësimor për këtë vit shkollor. Që nga përhapja e pandemisë në vend mjaft sfidues ishte edhe procesi mësimor duke filluar prej kalimit nga prania fizike e nxënësve në institucionet arsimore në sistemin online, kategorizimi i skenareve për mbajten e mësimit sipas MASHT-it dhe oraret e shkurtuara.

Se ky vit shkollor ishte i vështirë dhe sfidues e thotë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv në Qendrën e Arsimit të Kosovës (KEC), Petrit Tahiri.

‘’Është më se e qartë që viti shkollor 2020-2021 ishte një vit i vështirë, i zhvilluar në kohe pandemie globale. Pandemia COVID-19 i ka zënë të gjitha shtetet dhe shoqëritë të papërgatitura. Në këtë kontekst, edhe në vendin tonë, ashtu siç ka ndodhur edhe në shumë vende tjera, nuk kemi qenë të përgatitur për mbyllje totale si shoqëri, aq më pak sistemi arsimor’’, thotë Tahiri.

Media ka kontaktuar edhe drejtoreshën e shkollës së mesme të ulët, ’Pjetër Bogdani’ në Prishtinë, Dafina Alaj-Miftari për të parë se si ishte ky vit shkollor për këtë shkollë.

Miftari tha se ky vit ishte mjaft sfidues pasiqë kishte edhe të infektuar me COVID-19.

‘’Ky vit shkollor ishte mjaftë sfidues për të gjitha shkolla në vend, por fatmirësisht përfundoi me gjendje të mirë të nxënësve gjithashtu edhe mësimdhënësit. Pati të infektuar me COVID-19 por me numër të vogël, për gjatë gjithë një viti, shkolla qëndroi e mbyllur vetëm për dy javë’’, tha Miftari.

Drejtoresha tregoi edhe për mënyrën e mbajtjes së procesit mësimor të shkollës Pjetër Bogdani.

‘’Kemi funksionuar me skenarin B duke mbajtur mësim me një grup një javë dhe një grup javën tjetër për klasat 6-9 ndërsa për klasat 1 deri 5 prej fillimit është punuar me dy grupe brenda ditës nga 3 orë për nga gjysmë ore. Që nga maji janë bashkuar dy grupet dhe me orar të rregullt prej klasë 1deri në 5 ndërsa prej 6 deri në 9 me të dy grupet me nga 5 orë me 30minuta’’, tha Miftari

Sa ishte efektive për nxënësit mbajtja e mësimit online?

Drejtoresha e shkollës ‘Pjetër Bogdani’ thotë se nuk ishte efektive krahasuar me vitet e kaluara pasi që pati ngecje dhe vështirësi në përdorimin e mjeteve teknologjike.

‘’Ky mësim ishte mjaft sfiduese dhe jo efektive ashtu siç ishte viteve të kaluara por janë arritur rezultatet që janë paraparë me kurrikulën. Mësimdhënësit e kanë dhënë maksimumin e tyre për arritjen e rezultateve.”

‘’Mësimi online ishte pak problematik sepse kishte ngecje me përdorimin e teknologjisë sepse kishte nxënës që nuk ishin të pajisur me mjete teknologjike por pastaj me ndihmën e drejtorisë komunale të arsimit e edhe komuna e Prishtinës ka shpërnda mjete teknologjike për nxënës ku të gjithë janë furnizuar pa problem dhe vështirësi kishte edhe për mësimdhënësit në moshë të cilët e kishin të vështirë t’i përdorin platformat teknologjike por me kohën janë mësuar’’, tha drejtoresha e kësaj shkolle.

E që mësimi online solli problematikat e saj dhe ngecjet në cilësin e arsimit e thotë edhe u.d i drejtorit ekzekutiv të KEC, Petrit Tahiri i cili thotë se vetëm nga forma online e organizimit të mësimit nxënësit humbën deri 15 pikë në testin PISA.

‘’Sipas raportit të Bankës Botërore, organizimi i mësimit online në formatin gjatë gjysmëvjetorit pranveror të vitit të kaluar mund të ketë ndikuar që “humbjet mësimore” të jenë nga 9 pikë të testit PISA, për ata që e kanë ndjekur mësimin online deri në 15 pikë për ata që nuk kanë pasur mundësi me ndjekë mësimin online për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike (laptop, PC, tablet apo telefon) apo mungesës së sinjalit të RTK (për mësimet që janë dhënë përmes TV).

‘’Nëse e përkthejmë në vite shkollimi atëherë i bie që “humbjet mësimore” mund të jenë nga 15% deri në 40% të një viti shkollor. Andaj, shkollat do të duhej të intensifikojnë ofrimin e mësimit plotësues, për të minimizuar “humbjet mësimore’’, tha Tahiri.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jashari tha se krahasuar me vitin e kaluar ky vit ishte më i lehtë për arsimin sepse u zhvillua në institucionet arsimore.

‘’Ky vit shkollor ishte gogja i vështirë por nëse e marrim parasysh situatën pandemie ishte më i lehtë sesa vitin e kaluar sepse nga 13 marsi  deri në përfundim të vitit shkollor funksionoi platforma online. Ndërsa ky vit ishte më i lehtë sepse kryesisht mësimi u mbajt në institucionet arsimore përveç rasteve kur kishte të infektuar dhe kishin kaluar në mësimin online’’, tha Jashari.

Duke ditur se pandemia përfshiu gjithë botën mësimi u organizua në formë online në të gjitha vendet. Mirëpo sipas u.d të drejtorit ekzekutiv, Petrit Tahirit, vendet më të zhvilluara kanë pasur qasje më të lehtë dhe mundësi më mira të mbajtjes së mësimit online.

‘’Mbyllja e pjesërishme dhe masat e ndërmarra nga qeveritë e shteteve të ndryshme i ka karakterizuar një lloj uniformiteti. Edhe organizimi i mësimit online thuajse është zhvilluar në të njëjtën mënyrë edhe në vendet tjera. Shumica e shteteve të Ballkanit kanë preferuar transmetimin e mësimeve përmes TV publike dhe ofrimin e përkrahjes për nxënësit përmes platformave elektronike. Në vende tjera më të zhvilluara, ku kushtet e përgjithshme kanë mundësuar qasje më të lehtë, ka pasur diversifikim të mundësive për mësimin online, qofshin ato me përmbajtje në kohë reale (drejtpërdrejt) apo përmbajtje asinkrone përmes platformave të mësimit online’’, tha Tahiri.

Përveç aspekteve negative, Tahiri thotë se mësimi online pati edhe anët pozitive të saj për të nis përfshirjen e mësimit online në sistemin arsimor të vendit.

‘’Pandemia dhe rrjedhimisht organizimi i mësimit në distancë, përveç sfidave, përbën një mundësi të mirë për të kuptuar rëndësinë dhe përparësinë e shfrytëzimit të teknologjisë në mësimdhënie dhe për të ndërmarrë masa konkrete në ndërtimin dhe përfshirjen e mësimit online në sistemin arsimor të Kosovës’’, tha Tahiri.

Ndërsa sa i përket ngecjeve të mësimit online kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari nuk bënë dallim të cilësisë së arsimit krahasur me vende në rajon.

‘’Kemi një mësim të përfunduar në mënyre relativisht në mënyrë të duhur jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan apo në Evropë të cilët gjithashtu e kanë vlerësuar si një vit të vështirë dhe kemi bërë arritje brenda mundësive sa kemi mundur’’, tha Jashari.

Për fund Jashari tha se institucionet e arsimit duhet të punojnë për një plan strategjik për fillimin e vitit shkollor.

“Urojë që institucionet e arsimit të shfrytëzojnë verën që të ulen dhe punojnë dhe të ketë një plan strategjikë për shtator e tutje duke mos harruar kërkesa tona dhe të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë’’, tha Jashari.

Ndërsa Tahiri nga KEC tha se është dashur që të ketë një maksimizim përpjekjesh për të ofruar mësim cilësor.

‘’Konsideroj që është dashur që me këto mundësi që janë të maksimizohen përpjekjet për të ofruar mësim cilësor’’,përfundoi Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat