Supremja hedh poshtë ankesën e Sejdiut ndaj Bordit të SHSKUK-së

Kosova

Supremja hedh poshtë ankesën e Sejdiut ndaj Bordit të SHSKUK-së

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 16:34
Basri Sejdiu

Gjykata Supreme përfundimisht ka hedhur poshtë ankesën e ish-drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ndaj Bordit Drejtues.

Kolegji i Gjykatës Supreme ka marr vendim më datën 1 korrik për refuzimin e ankesës së Basri Sejdiut dhe Inspektoratit të Punës.

Basri Sejdiu u shkarkua nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së nga Bordi Drejtues para një viti. Inspektorati i Punës në anën tjetër vendosi në favor të tij, duke e rikthyer në pozitë.

Por Bordi Drejtues e kishte kontestuar këtë vendim në Gjykatën Themelore e cila kishte vendosur që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të IP-së deri në shqyrtimin e lëndës nga gjykata.

Ndaj këtij vendimi ishte ankuar Sejdiu dhe rasti ka shkuar dy herë deri në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit përfundimisht ka vendosur në favor të Bordit Drejtues duke i dhënë të drejtë Gjykatës Themelore për shtyrjen e vendimit të Inspektoratit të Punës.

Në vendimin, një kopje të të cilit e posedon Gazeta Shneta, thuhet se është refuzuar ankesa e Basri Sejdiut dhe Inspektoratit të Punës, ndërsa është vërtetuar vendimi i Gjykatës Themelore.

“Me aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit nr. 348/2021 të datës 26.04.2021, janë refuzuar si e pabazuar ankesat e të paditurës, Inspektoratit të Punës dhe palës me interes juridik Basri Sejdiu, ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Çështjes Administrative”, thuhet në vendim.

Sejdiu ishte shkarkuar një vit më parë më 6 korrik të vitit 2020 nga Bordi Drejtues, pas parregullësive të gjetura nga Auditori i Brendshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat