Reagon Ramush Haradinaj pas dyshimeve për helmim nga uji në fshatrat e Deçanit

Kosova

Reagon Ramush Haradinaj pas dyshimeve për helmim nga uji në fshatrat e Deçanit

Më: 11 korrik 2021 Në ora: 20:51
Ramush Haradinaj

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për rastin e helmimeve të mbi 164 qytetarëve në komunën e Deçanit.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se ka përcjellur me shqetësim situatën e krijuar në Deçan.

Ai ka falënderuar Shtabin Emergjent të Komunës, kryetarin Bashkim Ramosaj, personelin mjekësor dhe teknik të QKMF dhe të gjithë ata që janë të angazhuar në menaxhimin e kësaj situate.

“Përderisa jemi në pritje të raportit zyrtar për shkaqet e këtij helmimi, të gjithë qytetarët që kanë simptoma, ju uroj t’i tejkalojnë sa më shpejt”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq, qindra qytetarë të Deçanit mbrëmë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në “Adem Ukëhaxhaj”, për shkak të dyshimit të helmimit nga uji i pijes.

Drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vetëm mbrëmë kanë kërkuar ndihmë mjekësore 164 pacientë.

Ai shtoi se fillimisht kanë menduar se kjo është si pasojë e temperaturave të larta.

“Kemi menduar se është si pasojë e temperaturave të larta dhe mërgimtarëve që kanë ardhur në këtë periudhë kohore që kanë udhëtuar me makina disa ditë, dhe për neve ka qenë një dyshim normal. Mirëpo gjatë ditës është rrit numri i pacientëve. Ne jemi duke hulumtuar se si ka ardhur deri te kjo situatë”, u shpreh drejtori i QKMF-së në Deçan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat